Kërko

Papa me presidentin e Kazakistanit, Kassym-Jomart Tokayev Papa me presidentin e Kazakistanit, Kassym-Jomart Tokayev

Papa takohet me presidentin e Kazakistanit dhe me atë të Kolumbisë: paqja, në qendër

Papa priti sot Kassym-Jomart Tokayev, liderin kazak që e pati takuar në udhëtimin e tij të vitit 2022. 20 minuta bisedë e, më pas, takimi me kardinalin Parolin dhe me imzot Gallagher në Sekretarinë e Shtetit për konfliktet, çështjet humanitare, dialogun ndërfetar. Ndërkaq, 35 minuta dialog, ndërmjet Papës dhe presidentit kolumbian, Gustavo Petro, i sapokthyer nga Forumi i Davosit. U theksua bashkëpunimi i frytshëm i Kishës me shtetin

R.SH. - Vatikan

Impenjimi urgjent për paqen dhe dialogun ndërfetar. Këto, temat e trajtuara nga Papa Françesku gjatë audiencës me presidentin e Republikës së Kazakistanit, Kassym-Jomart Tokayev, i cili më pas u takua me Sekretarin vatikanas për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare, imzot Paul Richard Gallagher.

"Gjatë takimeve të përzemërta në Sekretarinë e Shtetit - thuhet në Buletinin e Sallës së Shtypit të Vatikanit - u shpreh kënaqësia për marrëdhëniet e mira të Selisë së Shenjtë me Kazakistanin, duke iu referuar veçanërisht bashkëpunimit të ndërsjellë në dialogun ndërfetar. Gjithashtu, u urua për një rol gjithnjë e më aktiv të besimtarëve në jetën e kombit, në favor të së mirës së përbashkët. Më pas, biseda u përqendrua në temat me karakter rajonal e ndërkombëtar, me vëmendje të veçantë për konfliktet dhe çështjet humanitare, duke vënë në dukje rëndësinë e impenjimit urgjent në promovimin e paqes dhe të stabilitetit në botë”.

Papa me presidentin e Kolumbisë
Papa me presidentin e Kolumbisë

Dialogu, drejtësia shoqërore, pajtimi, në bisedën me presidentin Petro

Po sot, Papa priti në audiencë edhe presidentin e Kolumbisë, Gustavo Petro, i sapokthyer nga Forumi Ekonomik i Davosit. “Gjatë diskutimeve të përzemërta në Sekretarinë e Shtetit - njofton gjithnjë një notë e Sallës së Shtypit të Vatikanit - u shpreh kënaqësia për marrëdhëniet e mira të Kolumbisë me Selinë e Shenjtë, duke nënvizuar bashkëpunimin pozitiv ndërmjet Kishës dhe Shtetit për promovimin e dialogut, të drejtësisë shoqërore dhe të pajtimit”. Në bisedë, u vu në dukje edhe “situata social-politike, fenomeni migrator dhe mbrojtja e mjedisit në rajon”.

Presidenti i vendit të Amerikës së Jugut, ende në zinxhirët e trafikut të drogës e të dhunës, - mjafton të kujtohet vrasja e 188 liderëve të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, në vitin 2023 - bëri të ditur, disa ditë më parë, se do të fliste me Papën për "paqen kolumbiane", duke iu referuar dialogut të qeverisë me përfaqësuesit e ELN, grupit më të madh guerilas ende aktiv në vend, për arritjen e armëpushimit. Një nga pikat në qendër të planit të qeverisë Petro. Ai shtoi se do të diskutonte për “paqen botërore” me Papën, duke nënvizuar se “roli i Kishës Katolike në arritjen e paqes në Kolumbi ka qenë i jashtëzakonshëm deri tani”.

19 janar 2024, 16:10