Papa me profesorin Massimo Gandolfini Papa me profesorin Massimo Gandolfini

Papa takon Gandolfini-n: bisedë mbi amësinë surrogate dhe temat e jetës

Lideri i Ditës së Familjes, në audiencë sot me Françeskun në Pallatin Apostolik, bashkë me të shoqen dhe dy nga mbesat e tij për t'i paraqitur Papës Manifestimin për Jetën, që do të mbahet në maj, në Romë: “Ati i Shenjtë më inkurajoi në misionin tim. Sot, mbrojtja e jetës dhe e familjes është betejë tejet e madhe kulturore”

R.SH. – Vatikan

Folën rreth temave të jetës, për abortin, lindjet e sidomos për praktikën e amësisë surrogate, Papa Françesku dhe lideri i Ditës së Familjes, Massimo Gandolfini, në audiencën e sotme, jashtë radhës, në Pallatin Apostolik, në Vatikan. Françesku e priti neurokirurgun e emëruar kohët e fundit këshilltar kundër drogës në qeverinë italiane, për rreth 10-15 minuta, së bashku me gruan dhe mbesat e tij 8 dhe 10 vjeç, të cilat i dhanë Atit të Shenjtë një vizatim. “Është hera e tretë që Papa më pret,” pohon Gandolfini për Vatican News, “kam shkuar gjithmonë për të paraqitur manifestimin publik për jetën, që do të mbahet në maj, me një marshim nëpër rrugët e Romës. Edhe këtë vit më mirëpriti...”.

Inkurajimi i Papës

Papa tregoi "dashuri", "delikatesë" dhe "miqësi" ndaj profesorit, siç nënvizon ai vetë, duke i thënë fjalë të mira për veprimtarinë e tij disavjeçare, shpesh e kritikuar dhe objekt sulmesh personale. “Më tha: vazhdo. Kjo më dha shumë kënaqësi dhe guxim për këtë mision jo të lehtë, atë të “kthimit në bukurinë e lindjes së fëmijëve, të prokrijimit, në bukurinë e jetës, nga pikëpamja kulturore, duke kundërshtuar ato ideologji që po përpiqen të minojnë vlerat e mëdha antropologjike dhe të krishtera”.

Beteja për mbrojtjen e jetës

Sot, mbrojtja e jetës, nga fillimi deri në fundin e saj të natyrshëm, si edhe mbrojtja e familjes, është betejë shumë e rëndësishme kulturore”, komenton Gandolfini, duke denoncuar se këto çështje janë bërë lojë e opozitave politike. Me Papën, sqaron ai, u fol edhe për amësinë surrogate, të cilën vetë Ati i Shenjtë e pati përmendur në fjalimin e tij të 9 janarit drejtuar Trupit Diplomatik, duke kërkuar zhdukjen e kësaj praktike. “I thashë – thekson neurokirurgu për Vatican News – se po punojmë shumë për këtë, në nivelin italian dhe evropian”.

18 janar 2024, 14:12