Kërko

Haiti - protesta Haiti - protesta 

Papa: të lirohen murgeshat e rrëmbyera në Haiti. Popullsia vuan

Në përfundim të lutjes së Engjëllit Françesku bëri thirrje për lirimin e murgeshave të Shën Anës, rrëmbyer në Port-au-Prince më 19 janar, ndërsa po udhëtonin me autobus dhe lutet për harmoni sociale në vend". Nga Papa, thirrje për paqe në Ukrainë, Palestinë dhe Izrael, me një mendim të veçantë për fëmijët e shumtë “të plagosur dhe të vrarë, pa përkëdhelje, pa të ardhme”. E ndjejmë përgjegjësinë për t’u siguruar paqen - thekson.

R. SH. - Vatikan

Është thirrje e fuqishme kjo, që Papa Françesku e nisi nga dritarja e Pallatit Apostolik, në përfundim të Engjëllit sot, më 21 janar, për lirimin e gjashtë murgeshave të Kongregatës së Shën Anës, të rrëmbyera të premten e kaluar në kryeqytetin e Haitit, Port-au-Prince. Murgeshat u morën peng nga persona të armatosur, të cilët bllokuan një autobus ku udhëtonin së bashku me udhëtarët e tjerë. Të gjithë u kapën, përfshirë edhe shoferin. Papa shpreh “dhimbjen” për lajmin.

Haiti, gjashtë murgesha të rrëmbyera në Port-au-Prince. Ipeshkvi Dumas: "akt barbar"

Françesku kërkon lirimin e tyre dhe, në të njëjtën kohë, lutet për të gjithë ishullin e rrënuar nga dhuna dhe rrëmbimet, ku pritet vendosja e mbi një mijë agjentëve kenianë si pjesë e një misioni paqeruajtës ndërkombëtar, të udhëhequr nga Nairobi, ndërsa është arritur marrëveshja për të ndihmuar në luftën kundër krimit:

“Lutem për harmoni sociale në vend dhe i ftoj të gjithë t'i japin fund dhunës që i shkakton kaq shumë vuajtje asaj popullsie të dashur”.

Paqe në Ukrainë, Izrael dhe Palestinë

Nuk mungojnë, si çdo të diel, shqetësimet e Ipeshkvit të Romës për territoret e plagosura nga lufta: për Ukrainën, ku vazhdojnë bombardimet dhe sulmet me dronë, veçanërisht në rajonin e Donetskut, për Izraelin e Palestinën ku, në Rripin e Gazës, numri i të vdekurve që nga fillimi i konfliktit ka kaluar numrin 25 mijë:

“Të mos lodhemi duke e lutur Zotin për paqe në Ukrainë, Izrael, Palestinë dhe shumë pjesë të tjera të botës”.

Faltas: 10 mijë të mitur të vrarë gjatë konfliktit në Lindjen e Mesme. Disa ende nën rrënoja

Në veçanti, Papa tërheq vëmendjen e botës tek fëmijët, grupi më i ligësht e më i cenueshëm, që vuajnë më shumë nga mungesa e paqes:

“Mendoj për të vegjlit, për fëmijët e shumtë të plagosur e të vrarë, pa  dashuri, pa ëndrra, pa të ardhme. Ndjejmë përgjegjësi për t'u lutur dhe për të siguruar paqen për ta”.

Lutje për Ekuadorin

Së fundi, në përshëndetjet drejtuar grupeve të ndryshme, të pranishme në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa siguroi një grup nga Ekuadori, vend i tronditur ditët e fundit nga dhuna e bandave kriminale, se "lutet për paqen".

21 janar 2024, 13:14