Kërko

Pamje nga ndeshja Palestinë-Izrael Pamje nga ndeshja Palestinë-Izrael  (AFP or licensors)

Papa: të mos i harrojmë Ukrainën, Izraelin e Palestinën. Të lutemi për paqen

Në përfundim të lutjes së Engjëllit, Françesku kujtoi edhe vendet në luftë dhe u bëri thirrje gjithë besimtarëve të jenë "paqebërës, në çdo ditë të vitit të ri". Më pas shprehu mirënjohjen për nismat e shumta të djeshme dhe të sotme për Ditën e 57-të Botërore të Paqes, e në veçanti, për demonstratën e organizuar nga Shën Egjidi dhe Marshimin e Paqes në Gorizia

R. SH. - Vatikan

“Ju lutem, të mos i harrojmë Ukrainën, Palestinën, Izraelin, që janë në luftë. Të lutemi që të vijë paqja”.

Përsëri, edhe në këtë ditë të parë të vitit, Papa Françesku shprehu ankthin e tij dhe u kërkoi besimtarëve lutje për vendet e prekura nga lufta, ku sulmet me raketa vazhdojnë të pandërprera dhe numri i viktimave vijon të rritet. Papa na kërkoi të lutemi për paqe - në Ditën e 57-të Botërore që i kushtohet - në përfundim të Engjëllit të Tënzot, në Sheshin e Shën Pjetrit ku, ndërmjet të tjerëve, ishin të pranishëm pjesëmarrësit në manifestimin "Paqe në të gjitha trojet" organizuar nga Shën Egjidi në Romë dhe në qytete të tjera anembanë botës. Një nismë, përmes së cilës anëtarët e Bashkësisë duan t’i kujtojnë të gjitha vendet në veri dhe jug të botës, që presin fundin e luftës dhe të terrorizmit, duke përfshirë shumë zona të Afrikës, nga Saheli në Mozambik. Për t'i kujtuar këto vende, pjesëmarrësit në manifestim në Sheshin e Shën Pjetrit valëviten parrulla dhe flamuj.

Marshimi për paqe në Gorizia

Në përshëndetjet e tij pas Engjëllit, Papa Françesku kujtoi edhe Lëvizjen Evropiane të Veprimt të Padhunshëm (MEAN), projekt për mbrojtjen e paqes dhe ndihmën humanitare në Ukrainë. Më pas kujtoi me mirënjohje "nismat e panumërta të lutjes dhe të angazhimit për paqen, në të gjitha kontinentet, organizuar nga bashkësitë kishtare". Në veçanti, përmendi marshimin kombëtar zhvilluar mbrëmë, më 31 dhjetor, në Gorizia, kryesuar nga Kryeipeshkvi Carlo Roberto Maria Redaelli.  

Veprimtarë të paqes

Së fundi, duke kujtuar sërisht Marinë, Papa u lut që "me ndërmjetësimin e saj amtar" të mbështesë "qëllimin dhe angazhimin për të qenë paqebërës çdo ditë":

“Çdo ditë, edhe ditën e Vitit të Ri, çdo ditë paqebërës, që e çojnë paqen kudo”.

01 janar 2024, 14:34