Papa: të ndihmosh nevojtarin, më shumë se filantropi, është t’i japësh dinjitet
R.SH. / Vatikan
Në prag të solemnitetit të Dëftimit të Zotit, festës që tek shqiptarët njihet si solmeniteti i Ujit të Bekuar, Papa Françesku priti në Vatikan rreth 3500 miq, të cilët prej 50 vitesh angazhohen si Kooperativë, ndërsa prej dhjetë vitesh të tjera, si Fondacion në ndihmë të nevojtarëve. Me këtë rast ritheksoi se mbështetja materiale, megjithëse e dobishme, nuk mund të shkëputet nga afërsia e marrëdhënieve të gjithanshme njerëzore, në dobi të të gjithë shoqërisë.
Bamirësia duhet jetuar
Papa, në dritën e Kohës së Krishtlindjes që po jetojmë, theksoi se "Zoti na u afrua në varfërinë tonë, duke e treguar këtë si mënyrë e privilegjuar për ta takuar". Më pas Papa kujtoi fushat e ndryshme të shërbimit të shoqatës: nga varfëria ekonomike, tek nevoja për kulturë; nga vetmia, tek nevoja për stërvitje, duke përdorur, përveç mjeteve të zakonshme të ndihmës financiare dhe ushqimore, edhe shumë mjete të tjera, si shëtitja, letërsia, arti, muzika…E, duke cituar enciklikën Fratelli tutti, Ati i Shenjtë nënvizoi rëndësinë e një stili, të aftë për të shkuar përtej planit të mbijetesës.
“[...] duke e parë, që në fillim, mbrojtjen e konsumatorit, mbi aspektin e saj të thjeshtë tregtar, ju arritët të kuptoni përmasën themelore njerëzore: atë të të ndihmës për të gjithë, për të bërë diçka për të tjerët, domethënë, për ta jetuar bamirësinë, dashurinë vepruese”.
Zemër, mendje dhe duar për ta njohur tjetrin
Këtu Papa Françesku, duke folur lirisht, përdori një shprehje që ia kujtoi fjala 'zemër': "Zemra është burim i dijes". Kujtoi, kështu, se njohuritë që shfrytëzojnë vetëm intelektin, janë të paplota.
Më pas Papa, duke u thelluar në “modelin e mbrojtjes, kujtoi se për të arritur rezultatet e dëshiruara, duhet të jesh i bashkuar. E jo "kundër" armikut, por "për të" ndërtuar të mirën. Sepse të ruash të mirën e njeriut do të thotë jo vetëm të kujdesesh për disa nga interesat sektoriale, por të promovosh realizimin dhe dinjitetin e tij të plotë.
Prekeni varfërinë, shikoni dhe kuptoni
"Të jemi pranë njerëzve, që i ndihmojmë: të jemi pranë!". Papa e përsëriti këtë, duke kujtuar një përvojë personale:
“Unë, kur, në rrëfime, ndonjëherë pyes njerëzit: ‘Po a jep lëmoshë, a ndihmon?’ - ‘Po, po’- ‘Pa më thuaj, kur jep lëmoshë, a e shikon personin në sy, a ia prek dorën apo i flak paratë aty dhe pastaj e bën kështu… [bën një gjest]?”. Duhet prekur, duhet prekur varfëria, të preket; një zemër që prek; shikoni dhe kuptoni. Mos e harroni këtë!”.
E tmerrshme, çka po ndodh në Ukrainë
Duke bekuar të pranishmit, Papa Françesku i falënderoi edhe për ndihmën që i japin "Ukrainës së martirizuar", në këtë kohë, të cilën e cilëson "dramatike". Dhe shton se “është e tmerrshme, çfarë po ndodh atje!”:
“Faleminderit për bashkëpunimin me Dikasterin e Vatikanit të Shërbimit të Bamirësisë, aktivitetet e të cilit po i mbështesni prej disa kohësh. Vazhdoni të synoni, në punën tuaj, zhvillimin integral të njeriut, rritjen e ndarjes së burimeve dhe të aftësive, duke vlerësuar atë që sjell secili, për të mirën e të gjithëve”.