Papa, Urdhrit të Maltës: ushtrojeni diplomacinë humanitare përvujtërisht e pa retorikë
R. SH. - Vatikan
Tuitio fidei et obsequium pauperum (Mbrojtje e fesë dhe respekt për të varfërit) shkruhet në Kartën Kushtetuese të Urdhrit Sovran Ushtarak Spitalor të Shën Gjonit të Jeruzalemit, Rodit dhe Maltës. Por edhe bamirësi e diplomaci së bashku, si gurët e themelit mbi të cilët bazohet vepra thuajse mijëravjeçare e këtij realiteti, ambasadorët e të cilit u pritën, sot më 27 janar, në audiencë, në Sallën e Koncistorit të Pallatit Apostolik. Përfunduan, kështu, dy ditë konference në Villa Magistrale, në Romë, me tema të gjeopolitikës, etikës dhe ekonomisë ndërkombëtare.
Shërbeni me dashuri e përvujtëri, pa mburrje
Në fjalën e tij, Papa u përqendrua tek një shprehje domethënëse: “zotërinj të sëmurë”. Është emri me të cilin anëtarët e Urdhrit i thërrasin të sëmurët e tyre. Na kujton - pohoi Françesku - qëndrimin e Marisë në Betani kur ajo shprehu 'obsequium' - apo bindjen e saj ndaj Zotit. Secilit - kujtoi Papa - iu besua kjo detyrë, me një betim: “Do ta kryejmë me dashuri e përvujtëri, pa retorikë e pa mburrje”. Bëhet fjalë për të punuar me dhembshurinë dhe butësinë e Krishtit, për të cilin predikimi e shërbimi ishin një veprim i vetëm:
“Vepra juaj nuk është vetëm humanitare, si puna e shumë institucioneve të tjera: është veprim fetar, që i jep lavdi Zotit në shërbim të më të ligshtëve dhe që dëshmon se janë të zgjedhurit e Zotit”.
Diplomacia në vartësi të Selisë së Shenjtë
Papa Françesku theksoi veçanërinë e veprimtarisë diplomatike, që Urdhri e kryen në 113 vende dhe në 37 misione pranë organizatave ndërkombëtare. Pa harruar se Moderatori Suprem, që drejton Urdhrin, në rrethana të veçanta historike, fitoi edhe një status ndërkombëtar, e kështu u ngritën edhe "ambasadat" e para.
“Në këtë mënyrë përvijohet rëndësia e Urdhrit në kontekstin ndërkombëtar, si mjet i veprimit apostolik, me nënshtrimin e tij, si Urdhër fetar, ndaj Selisë së Shenjtë dhe bindjen ndaj Papës, si Epror i lartë i të gjitha institucioneve fetare (krh. CIC, 590). Prandaj është e rëndësishme që ndërmjet përfaqësuesit diplomatik të Urdhrit dhe Legatës Papnore vendase, të krijohen marrëdhënie bashkëpunimi të frytshëm, me një veprim të përbashkët për të mirën e Kishës dhe të shoqërisë; po kështu edhe lidhja e Urdhrit me Papën nuk është kufizim i lirisë së tij, por kujdestari [...].
Veprim i përbashkët
E ashtuquajtura "diplomaci humanitare" e Urdhrit të Maltës duhet të vazhdojë të ushtrohet - rikujtoi në fund Papa - nën varësinë e Selisë së Shenjtë. Kjo nuk e pakëson - saktësoi më tej - “rëndësinë e përfaqësive të tij diplomatike, përkundrazi, na lejon ta kapim edhe më plotësisht kuptimin e tyre, si kanale të veprimtarisë apostolike-bamirëse të Urdhrit, të gatshme dhe bujare, sidomos atje ku ka më shumë nevojë”:
“Kjo natyrë e veçantë e diplomacisë suaj, gjë që nuk ia pakëson aspak rëndësinë, është dëshmi e çmuar e shenjë shprehëse edhe për ambasadat e tjera, në mënyrë që veprimtaria e tyre të synojë edhe të mirën konkrete të popujve e të ketë kujdes të veçantë për më të ligshtit”.