Kërko

Papa: "nga pikëpamja sociale, grykësia është ndoshta vesi më i rrezikshëm"

Në audiencën e sotme të përgjithshme, Papa Françesku kujtoi posaçërisht një tip “pangopësie” që i shfrytëzon pa mëshirë të mirat dhe planetit, një e keqe që "po vë në lojë” të ardhmen e të gjithëve". "Grykësia shoqërore" është vesi i rrezikshëm, dëmton njeriun e vret planetin. Reflektim mbi marrëdhëniet jo të shëndetshme me ushqimin - bulimia, anoreksia dhe obeziteti - "sëmundje të lidhura shpesh me psikikën dhe shpirtin"

R.SH. / Vatikan

Në katekizmin e audiencës së sotme të përgjithshme, mbajtur paradite në Vatikan, Papa Françesku u përqendrua tek vesi, personal dhe shoqëror, i grykësisë, domethënë, tek pangopësia jonë për pasuritë e tokës e cila - nënvizoi Papa - "e vret planetin" dhe "vë në lojë ardhmërinë e të gjithëve”, por së pari i hap rrugën idesë së një Mesie, armik i çdo gjëje që e bën njeriun të lum. Ndërsa mrekullia e parë e Jezusit në dasmën e Kanës së Galilesë tregon se Zoti i do gëzimet njerëzore". Papa nënvizon këtu ndryshimin e Jezu Krishtit nga asketi Gjon Pagëzuesi. Ndërsa ky i fundit ushqehej me atë që gjente në shkretëtirë, Ungjijtë shpesh na e paraqesin Jezusin të ulur në sofër:

“Sjellja e tij shkandullon, sepse jo vetëm që është dashamir ndaj mëkatarëve, por edhe ha me ta; gjest, ky, që të kujton dëshirën për të jetuar ndërmjet njerëzve të refuzuar nga të gjithë”.

Mrekullia e parë e Jezusit: Dasma e Kanës

Mrekullia e parë e Jezusit, në Dasmën e Kanës, "tregon qartë se i vlerëson dhe pëlqejnë gëzimet njerëzore": ndërsa në katekizmin e audiencës së sotme të përgjithshme, Papa ndalohet tek vesi i grykësisë, personale e shoqërore, domethënë tek pangopësia për pasuritë e tokës që po e vret planetin, duke vënë në lojë ardhmërinë e të gjithëve". Por, së pari, i kundërvihet idesë së një Mesie armik i lumturisë njerëzore dhe nënvizon dallimin e tij në krahasim me asketin Gjon Pagëzuesi.  

 "Dasmorët nuk mund të agjërojnë, kur dhëndri është me ta"

Papa Françesku vijon të vërejë sjelljen e kuptueshme të Jezusit - që e njihte mirë Ligjin - ndaj dishepujve të tij të uritur, të cilët po mblidhnin kallinj në një arë ditën e shtunë. U tregon sakaq një shëmbëlltyrë, në të cilën theksohet se "dasmorët nuk mund të agjërojnë, kur dhëndri është me ta". Mesazhi i Jezusit - shpjegon Papa - tani lidhet plotësisht me vetjen e tij:

“Kur Ai është mes nesh, ne nuk mund të jemi në zi; por në orën e mundimeve, atëherë po, duhet të agjërojmë. Jezusi dëshiron që ne të jemi të gëzuar në shoqërinë e tij; por edhe të marrim pjesë në mundimet e tij, që janë edhe vuajtjet e të vegjëlve e të varfërve”.

Ushqimet e pastra e  të papastra

Një tjetër risi që sjell Jezusi, të cilën Papa e thekson në katekizmin e audiencës së sotme të përgjithshme, është qëndrimi i përhapur aso kohe "ndaj ushqimeve të pastra dhe ushqimeve të papastra". Zoti pohon se njeriun nuk e ndot çka hyn në të, por çka del nga ai. Prandaj, vëmendja nuk duhet t'i kushtohet ushqimit, por marrëdhënies me të. Kujton, prandaj, marrëdhënien e njeriut me ushqimin, "veçanërisht në shoqëritë e ashtuquajtura “të mirëqenies”, ku vërehen çekuilibrime dhe patologji" si anoreksia, bulimia dhe obeziteti, e ku "hahet tepër shumë” ose “shumë pak".  E më pas, pohon:

“Të ushqyerit është shprehje e diçkaje të brendshme: e aftësisë për ekuilibër ose për teprim; për të falënderuar ose për të pretenduar me arrogancë autonominë; është ndjeshmëri e atyre që dinë ta ndajnë ushqimin me nevojtarët, ose egoizëm i atyre, që e grumbullojnë ethshëm gjithçka për vete”.

Vesi i grykësisë

Pikërisht nga ky vëzhgim u nis Papa Françesku, që vazhdoi të flasë për vesin e grykësisë në këndvështrimin shoqëror, duke e cilësuar si "vesin ndoshta më të rrezikshëm", sepse "babëzia jonë për të mirat të planetit, që vijon prej më se një shekulli, po kompromenton të ardhmen e të gjithëve".

Me hidhërim Papa vëren dëshirën e njeriut për t'u bërë zotërues të asaj, që e kishim për detyrë ta ruanim. Nga njerëz që ishim - kujton - pa e kuptuar fare, u bëmë “konsumatorë”. Këtë e theksoi fort Papa e, në përfundim të audiencës së sotme të përgjithshme, uroi të marrë fund grykësia personale e ajo shoqërore:

“U bëmë për të qenë burra dhe gra ‘eukaristike’, të aftë për falënderim, të matur në përdorimin e tokës e, në vend të kësaj, u shndërruam në grabitqarë, e tani po e kuptojmë se kjo formë e ‘grykësisë’ ka bërë shumë dëm për ne dhe për mjedisin në të cilin jetojmë. Ta lëmë Ungjillin të na shërojë  nga grykësia vetjake e nga grykësia shoqërore”.

10 janar 2024, 12:22

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >