Papa: vesi i zemërimit është zanafilla e luftërave dhe e dhunës
R.SH. / Vatikan
Pasionet nuk janë gjithmonë të këqija, “na takon ne, me ndihmën e Shpirtit Shenjt, të gjejmë masën e duhur”, na takon t’i “edukojmë, që të bëhen të mira”. Në fund të katekizmit të audiencës së sotme të përgjithshme pasi foli për vesin e zemërimit dhe fuqinë e tij "shkatërruese", Papa Françesku theksoi se ekziston edhe "zemërimi i shenjtë", si ai që duhet ta ndjesh kur përballesh me një padrejtësi. “Nuk duhet të perëndojë dielli mbi zemërimin tuaj dhe mos i lini vend djallit (...) Përkundrazi, duhet të jeni të mirë me njëri-tjetrin, të mëshirshëm, ta falni njëri-tjetrin, ashtu siç ju fali Zoti në Krishtin. (Efesianëve 4,26-27,31-32)”
Zemërimi është ves i shfrenuar
“Është ves, që vijon” - kujtoi Papa - duke folur për zemërimin, gjatë audiencës së përgjithshme mbajtur paradite në Sallën Pali VI, dhe duke vazhduar kështu serinë e analizave të thella mbi veset dhe virtytet, nisur në audiencën e përgjithshme të 27 dhjetorit të kaluar. Shpesh zemërimi nuk u drejtohet vetëm atyre, që besojmë se kanë bërë gabime kundër nesh, as edhe kundër njeriut të parë, që na zë rrugën. E këtu Papa Françesku jep një shembull nga jeta e përditshme:
“Ka njerëz që e përmbajnë zemërimin në vendin e punës, duke punuar të qetë dhe të heshtur, por që sapo kthehen në shtëpi, bëhen të padurueshëm për gruan dhe fëmijët e tyre. Zemërimi është ves i shfrenuar: është i aftë të na e rrëmbejë gjumin dhe të na bëjë të komplotojmë vazhdimisht në mendjet tona, pa qenë në gjendje të gjejmë asnjë pengesë për të arsyetuar”.
Pajtohuni sa më shpejt që të jetë e mundur!
Zemërimi - vazhdon Françesku - "ves shkatërrimtar i marrëdhënieve njerëzore", vë në dukje paaftësinë për t’i pranuar ata, që janë të ndryshëm nga ne ose mendojnë ndryshe, shkakton inate dhe pakënaqësi dhe përfundon jo vetëm me sjellje të caktuara, por me gjithë personin që e kemi përpara nesh. Është ves që të zhduk qartësinë dhe që nuk zbehet me kalimin e kohës. Për këtë arsye - pohon Papa - është e rëndësishme që të përpiqemi të përballojmë menjëherë problemin e edhe të pajtohemi, menjëherë:
“Nëse gjatë ditës mund të lindë ndonjë sherr dhe dy njerëz nuk mund ta kuptojnë më njëri-tjetrin, duke u ndjerë papritur si të largët, nata nuk duhet t'i dorëzohet djallit. Vesi do të na mbante zgjuar në errësirë, duke menduar për arsyet tona dhe gabimet e shëmtuara, që nuk janë kurrë tonat, po gjithmonë të tjetrit”.
Praktikoni artin e faljes
Në lutjen e "Atynës” Jezusi flet për "fajtorët tonë” që duhet t'i falim - vërejti Papa Françesku - por sigurisht të gjithë ne jemi ”fajtorë” ndaj dikujt, që nuk e deshëm gjithmonë, ashtu siç duhet:
“Jemi të gjithë mëkatarë, të gjithë i bëjmë hesapet pa hanxhinë: mos e harroni këtë. Ne jemi debitorë, me llogari në të kuqe. Për këtë arsye të gjithë duhet të mësojmë të falim, në mënyrë që edhe të falemi. Njerëzit nuk mund të rrinë bashkë, nëse nuk e praktikojnë edhe artin e faljes, aq sa është e mundur. Zemërimit i kundërvihen dashamirësia, zemërgjerësia, butësia, durimi”.
Por ka edhe “zemërim të shenjtë"…
Nëse zemërimi është ves i tmerrshëm, sepse "në origjinë të luftërave dhe të dhunës" - nënvizoi më tej Papa - ne nuk jemi gjithmonë përgjegjës për fillimin e tij brenda nesh, por ama jemi përgjegjës për zhvillimin e tij. Ndërkaq - vazhdoi Françesku – duhet të kujtojmë edhe se është ndjenjë që nuk duhet mohuar gjithmonë:
“Ndonjëherë është mirë që zemërimi të shfrehet si duhet. Nëse njeriu nuk zemërohet kurrë, nëse nuk indinjohet kurrë para padrejtësisë, nëse përballë shtypjes së një njeriu të ligësht nuk i vlojnë përmbrendcat, atëherë do të thotë se ai njeri nuk është njeri, aq më pak i krishterë”.
Papa Françesku, në përfundim të katekizmit të sotëm, kujton Jezusin, të cilin Ungjilli e përshkruan edhe të zemëruar, por "kurrë duke iu përgjigjur të keqes me të keqe". Edhe ne - përfundoi Ati i Shenjtë - na takon, me ndihmën e Shpirtit Shenjt, të gjejmë masën e duhur të pasioneve”. Na takon “t’i edukojmë si duhet, që të kthehen drejt së mirës, jo drejt së keqes”.