Kërko

2024.01.06 Santa Messa nella solennita' dell'Epifania 2024.01.06 Santa Messa nella solennita' dell'Epifania

Papa: të ecim me sytë drejt qiellit e këmbët mbi tokë

Papa: një Zot që u bë njeri, që ka dhembshuri për ne, vuan me ne dhe vdes për ne. Përballë këtij misteri, jemi thirrur të përkulim zemrat dhe gjunjët për ta adhuruar: adhurojeni Zotin, që vjen vogëlosh, që banon në normalitetin e shtëpive tona, që vdes për dashuri. Zotin që, «ndërsa shfaqej në pafundësinë e qiellit me shenjat e yjeve, i gjendur nën një strehë të ngushtë; i ligësht në trupin e një fëmije, i mbështjellë me pelena të porsalinduri, adhurohej nga Mbretërit dhe tmerronte të ligjtë”

R.SH. / Vatikan

 Mbretërit Dijetarë vihen për udhë në kërkim të mbretit, që lindi. Ata janë shëmbëlltyra e popujve në shtegtim, në kërkim të Zotit, e të huajve, që tani janë në malin e Zotit (shih Is 56.6-7), e të largtëve, që tani mund të dëgjojnë kumtin e shëlbimit (shih Is. 33.13), e gjithë të humburve, që dëgjojnë thirrjen e një zëri miqësor. Sepse tani, në korpin e Foshnjës së Betlehemit, lavdia e Zotit u zbulohet të gjithë njerëzve (shih Is 40,5) dhe "çdo njeri do të shohë shpëtimin e Hyjit" (Lk 3,6). Këto, fjalët e para të homelisë, mbajtur nga Papa në Meshën e Dëftimit të Zotit, kremtuar paradite në Bazilikën e Shën Pjetrit. Le t'i vërejmë këta njerëz të mençur që vijnë nga Lindja dhe të përqendrohemi në tre aspekte: ata i kanë sytë drejt qiellit, këmbët në ecje mbi tokë, zemren të përkulur në adhurim të Zotit Jezus.

Sytë e Tre Mbretërve drejtohen kah qielli

Para së gjithash, Mbretërit i kanë sytë drejt qiellit - kujtoi në vijim të homelisë Papa - Ata janë përplot me nostalgjinë e pafundësisë, vështrimi i tyre tërhiqet nga yjet qiellorë. Nuk jetojnë duke parë gishtat e këmbëve, të palosur brenda vetes, të burgosur të horizontit tokësor, duke u zvarritur në ankime. E ngrenë kokën lart, për të pritur një dritë që ndriçon kuptimin e jetës së tyre, një shpëtim, që vjen nga lart. Dhe kështu Dijetarët shohin një yll që ngrihet, më i ndritshëm se të gjithë. I tërheq dhe i vë për rrugë. Ky është çelësi që zhbllokon kuptimin e vërtetë të ekzistencës sonë: nëse jetojmë të mbyllur në perimetrin e ngushtë të sendve tokësore, nëse marshojmë me kokën ulur, pengje të dështimeve dhe keqardhjeve tona, nëse jemi të uritur për të mirat dhe ngushëllimet e kësaj bote në vend të kërkuesve të dritës dhe të dashurisë, jeta jonë shuhet. Mbretërit, që janë të huaj dhe ende nuk e kanë takuar Jezusin, na mësojnë të shikojmë lart, t’i sjellim sytë drejt qiellit, t’i lartojmë kah malet prej nga do të na vijë ndihma, sepse ndihma jonë vjen nga Zoti (shih Ps 121,1-2).

 Ta vendosim Zotin në qendër 

Vëllezër dhe motra, t’i ngulim sytë në qiell! Duhet të shikojmë edhe lart për t’u mësuar ta shohim realitetin nga lart. Kemi nevojë ta shikojmë  nga lart. Kemi nevojë, në udhëtimin e jetës, për t'u shoqëruar nga miqësia me Zotin, nga dashuria e tij që na mbështet, nga drita e Fjalës së tij, që na udhëheq si ylli natën. Kemi nevojë për të në udhëtimin e fesë, në mënyrë që të mos rëgjohet në një grumbull praktikash fetare ose në një zakon të jashtëm, por të bëhet zjarr që digjet brenda nesh dhe na bën kërkues të pasionuar të fytyrës së Zotit dhe dëshmitarë të Ungjillit të Tij. Ne kemi nevojë për të në Kishë, ku, në vend që të ndahemi në bazë të ideve tona, jemi thirrur ta vendosim përsëri Zotin në qendër. Atë, dhe jo idetë apo projektet tona. Le të fillojmë përsëri nga Zoti, le të kërkojmë tek Ai guximin për të mos u ndalur përballë vështirësive, forcën për të kapërcyer pengesat, gëzimin e të jetuarit në bashkësi dhe harmoni.

Tre Mbretërit i kanë edhe këmbët në ecje mbi tokë. Ata u nisën drejt Jeruzalemit dhe pyesin: "Ku është ai që lindi, mbreti i Judenjve? Ne pamë yllin e tij që po ngrihej dhe erdhëm për ta adhuruar” (Mt 2:2). Ylli që shkëlqen në qiell i nxit të udhëtojnë rrugëve të tokës; duke ngritur kokën lart, shtyhen të zbresin poshtë; duke kërkuar Zotin, dërgohen për ta gjetur  te njeriu, tek një fëmijë i shtrirë në një grazhd, sepse Zoti që është pafundësisht i madh, është dukur në këtë botë të vogël, pafundësisht i vogël.

Nëpër rrugët e botës si dëshmitarë të Dritës që ndriçon jetën tonë

Vëllezër dhe motra, këmbët - në ecje mbi tokë! Dhurata e fesë nuk na u dha për të parë qiellin (shih Veprat e Apostujve 1:11), por për të ecur nëpër rrugët e botës si dëshmitarë të Ungjillit; drita që ndriçon jetën tonë, Zoti Jezus, nuk na u dha vetëm për t'u ngushëlluar në netët tona, por për të hapur rreze drite në errësirën e dendur që mbështjell shumë situata shoqërore; Zotin që vjen të na vizitojë nuk e gjejmë duke qëndruar të ngrirë në një teori të bukur fetare, por vetëm duke u nisur në udhëtim, duke kërkuar shenjat e pranisë së tij në realitetet e përditshme dhe, mbi të gjitha, duke takuar e duke prekur korpin e vëllezërve tanë.

Mbretërit kërkojnë Zotin, e gjejnë një Fëmijë. Kjo është e rëndësishme: takimi me Zotin e gjallë, në fytyrat që kalojnë pranë nesh çdo ditë, veçanërisht ato të më të varfërve. Mbretërit na mësojnë se takimi me Zotin na hap rrugët e një shprese më të madhe, e cila na bën të ndryshojmë stilin e jetesës dhe ta shndërrojmë botën; siç thoshte Benedikti XVI: «Nëse shpresa e vërtetë mungon, njeriu e kërkon lumturinë në dehje, në teprime dhe e shkatërron veten dhe botën. [...] Për këtë arsye ndjehet nevoja për burra që kanë shpresë të madhe dhe po për këtë arsye kanë edhe shumë guxim. Guximi i dijetarve, që ndërmorën një udhëtim të gjatë duke ndjekur një yll e që dinin të gjunjëzoheshin përpara një Fëmije dhe t'i ofronin atij dhuratat e tyre të çmuara" (Homelia 6 janar 2008).

Më në fund, Dijetarët i kanë zemrat e tyre të përulura në adhurim.

Ata shikojnë yllin në qiell, por nuk strehohen nën një përkushtim të shkëputur nga toka; ata udhëtojnë, por nuk enden si turistë pa cak. Ata shikojnë yllin në qiell, por nuk strehohen në një përkushtim të shkëputur nga toka; ata udhëtojnë, por nuk enden si turistë pa qëllim. Ata arritën në Betlehem dhe, kur e panë Ferishten e Betlehemit, "ranë përmbys dhe e adhuruan" (Mt 2:11). Pastaj hapën thesaret e tyre dhe i dhuruan ar, kem e mirrë. “Me këto dhanti mistike bënë të ditur se kush ishte ai që e adhuronin: me ar shpallin se është Mbret; me kem, se është Zot; me mirrë, se është i vdekshëm” (Shën Gregori i Madh, Homeli e Epifanisë, 6).

Një mbret, që erdhi të na shërbejë, një Zot që u bë njeri, që ka dhembshuri për ne, vuan me ne dhe vdes për ne. Përballë këtij misteri, jemi thirrur të përkulim zemrat dhe gjunjët për ta adhuruar: adhurojeni Zotin, që vjen vogëlosh, që banon në normalitetin e shtëpive tona, që vdes për dashuri. Zotin që, «ndërsa shfaqej në pafundësinë e qiellit me shenjat e yjeve, i gjendur nën një strehë të ngushtë; i ligësht në trupin e një fëmije, i mbështjellë me pelena të porsalinduri, adhurohej nga Mbretërit dhe tmerronte të ligjtë” (Shën Agostino, Diskurs, 200). Ta rizbulojmë shijen e lutjes e të adhurimit. Ne e njohim Jezusin si Perëndinë dhe Zotin tonë dhe i ofrojmë atij dhuratat që kemi, por mbi të gjitha, dhuratën që jemi, vetveten.

Vëllezër dhe motra, si Tre Mbretërit, t'i lartojmë sytë drejt qiellit, të nisemi në kërkim të Zotit, t’i përkulim zemrat tona në adhurim. E të kërkojmë hirin për të mos e humbur kurrë guximin: guximin për të qenë kërkues të Zotit, njerëz të shpresës, ëndërrimtarë të guximshëm që shikojnë qiellin dhe ecin rrugëve të botës për t'ua çuar të gjithëve dritën e Krishtit, që ndriçon çdo njeri.

06 janar 2024, 11:57