Kërko

Papa: lakmia për para prek të pasur e të varfër, pasuritë tona le të jenë bekim për të tjerët

Papa: sado që të grumbullojmë pasuri në këtë botë, për një gjë jemi absolutisht të sigurt: se ato nuk do t’i marrim me vete në arkivol. Ja si zbulohet pasaktësia e këtij vesi i lakmisë. Lidhja e zotërimit mbi gjërat është vetëm e dukshme, sepse nuk jemi ne zotërinjtë e botës. "Mëkati" i lakmisë për para, që i prek njëlloj të pasur e të varfër, nuk ka të bëjë me llogarinë bankare, është sëmundje e zemrës, jo e portofolit. Pasuritë, në fund të fundit, nuk i zotërojmë, na zotërojnë.

R.SH. / Vatikan

Në audiencën e sotme të përgjithshme Papa, në vijim të ciklit të katekizmit kushtuar veseve dhe virtyteve, reflektoi mbi "mëkatin" e lakmisë për para, që i prek njëlloj të pasur e të varfër. Ne mund të jemi zotërinjtë e pasurive që grumbulluam, por shpesh ndodh e kundërta: në fund të fundit nuk i zotërojmë, po na zotërojnë. Dhe kjo u ndodh atyre, që kanë aq shumë pasuri, saqë as natën nuk i merr gjumi, por edhe atyre që kanë pak, që lidhen me gjëra të pakta, por që për ta kanë vlerë tepër të madhe.

Kështu është grykësia: "ves transversal", "çmenduri" dhe "sëmundje" që nuk ka të bëjë me llogarinë bankare, por me zemrën. E vazhdoi kështu ciklin e katekizmit të audiencës së sotme të përgjithshme mbi veset dhe virtytet Papa Françesku i cili, pas epshit dhe grykësisë, këtë të mërkurë, 24 janar, u përqendrua tek mëkati i grykësisë, "formë e lidhjes me paranë që e bën njeriun ta harrojë bujarinë:

“Nuk është mëkat që ka të bëjë vetëm me njerëzit, të cilët kanë pasuri të mëdha, një ves transversal, që shpesh nuk ka të bëjë me gjendjen e llogarisë rrjedhëse. Është sëmundje e zemrës, jo e portofolit”.

Fetish a objekt kulti

Për këtë reflektim, Papa Françesku u bazua në urtinë e Etërve të Shkretëtirës ​të cilët, si e studiuan, arritën në përfundimin se kjo e keqe kishte pushtuar edhe disa murgjër të cilët, si kishin hequr dorë nga trashëgimitë e mëdha, në vetminë e qelisë së tyre ishin lidhur me objekte me pak e aspak vlerë: "Nuk i huanin, nuk i ndanin me të tjerët, aq më pak ishin të gatshëm t'i dhuronin”:

“Ato objekte u bënë për ta një lloj fetishi, nga i cili ishte e pamundur të shkëputeshim. Një lloj regresi deri në fazën e fëmijëve që mbajnë lodrën duke përsëritur: “Është e imja! Eshte e imja!".

Meditoni për vdekjen

Ky lloj "pretendimi" prek shumëkënd, nëse jo të gjithë, edhe sot e kësaj dite. Në të – na kujton Papa - "bën folenë një marrëdhënie e sëmurë me realitetin, e cila mund të çojë në forma të grumbullimit të detyrueshëm ose akumulimit patologjik". Murgjit e gjetën ilaçin "për ta mjekuar këtë sëmundje": "Metodë drastike, por shumë e suksesshme: meditimi i vdekjes" - shpjegoi Ati i Shenjtë Françesku:

“Sado që të grumbullojmë pasuri në këtë botë, për një gjë jemi absolutisht të sigurt: se ato nuk do t’i marrim me vete në arkivol. Ja si zbulohet pasaktësia e këtij vesi. Lidhja e zotërimit mbi gjërat është vetëm e dukshme, sepse nuk jemi ne zotërinjtë e botës: kjo tokë, që ne e duam, në të vërtetë nuk është jona! Ecim në të si të huaj e shtegtarë”.

Çmenduria e koprracisë

Mendime të thjeshta, këto, por që në fund të fundit “na bëjnë ta kuptojmë çmendurinë e koprracisë, e edhe arsyen më të fshehtë të saj” - nënvizoi Papa. “Është përpjekje për të larguar frikën nga vdekja: njeriu kërkon siguri, të cilat në realitet bëhen hi e pluhur që në çastin kur i shtiem në dorë - theksoi Papa - duke kujtuar, në vijim, shëmbëlltyrën e budallait, fshati i të cilit kishte pasur korrje të bollshme e ai përkundej në ëndërrime, duke menduar se si do t'i zgjeronte magazinat e tij për t’i grumbulluar ndër to të gjitha të korrat, ndërsa po atë natë do t’i kërkohej jeta.

Të pasurit pushojnë pak, sepse duhet të "ruajnë pasuritë". E kujton këtë një shëmbëlltyrë simbolike që na tregon se si, në fund të fundit, nuk i zotërojmë ne mallrat; janë ata, që na zotërojnë! Vështirë se ndodh e kundërta:

“Disa të pasur nuk janë më të lirë, nuk kanë më kohë as të pushojnë, duhet të shikojnë para e mbas shpine, sepse grumbullimi i mallit kërkon shumë kujdes. Janë gjithmonë në ankth, sepse trashëgimi grumbullohet me shumë djersë, por mund të zhduket në një çast”.

Rruga e verbër e pakënaqësisë

Këta njerëz - nënvizoi Papa Françesku në katekizmin e audiencës së përgjithshme - e "harrojnë Ungjillin, i cili nuk pohon se pasuria në vetvete është mëkat, por përgjegjësi është, sigurisht". “Zoti nuk është i varfër”, thotë Papa, “është Zot i të gjitha sendeve”:

“Këtë nuk e kupton koprraci. Mund të ishte burim bekimi për shumë njerëz, po ai,  përkundrazi, përfundon në qorrsokakun e pakënaqësisë”. Koprraci nuk është kurri lum – këtë na kujton ky katekizëm i Papës, ndërsa jetojmë në një botë, sa të lashtë, aq edhe të re, në udhët e së cilës vijon të endet koprraci me gjithë koprracinë, nga e cila nuk është e lehtë të heqësh dorë!

24 janar 2024, 12:05

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >