Papa: "sot feja shpesh mohohet, përqeshet, kufizohet dhe tallet"

Papa pret pjesëmarrësit e seancës plenare të Dikasterit për Doktrinën e Fesë, të cilëve u kujton detyrën kryesore të "ruajtjes së fesë", por edhe të shpalljes së saj në botën e sotme në të cilën shpesh "mohohet, margjinalizohet dhe tallet": "Ne do të ripërtërijmë solemnisht fenë tonë në Jubileun e ardhshëm". Më pas, duke u ndalur te dokumenti Fiducia Supplicans, tha: “Me bekime, tregoni afërsinë e Zotit dhe të Kishës me ata që kërkojnë ndihmë”

R.SH. / Vatikan

Dikasteri i Vatikanit për Doktrinën e Fesë po merret sot me inteligjencën e fesë përballë ndryshimit të epokës, që karakterizon kohën tonë”,  pohoi Papa Françesku, gjatë audiencës së sotme, me pjesëmarrësit e seancën plenare të Dikasterit të Selisë së Shenjtë për Doktrinën e Fesë, me të cilën “dëshiroj të këmbej disa mendime, përmbledhur në tri fjalë: sakramente, dinjitet dhe fe”.

Sakramentet

Papa u ndalua, së pari, tek Sakramentet. Ditët e fundit - kujtoi Ati i Shenjtë - reflektuat mbi temën e vlerës së Sakramenteve. Jeta e Kishës ushqehet dhe rritet falë tyre. Për këtë arsye kërkohet kujdes i veçantë nga meshtarët në  mbarështimin e sakramenteve dhe në zbulimin e thesareve të hirit, që u komunikojnë besimtarëve:

“Nëpërmjet Sakramenteve, besimtarët bëhen të aftë për profeci e për dëshmi. E koha jonë ka nevojë të veçantë dhe urgjente për profetë të jetës së re dhe dëshmitarë të bamirësisë: ta duam e t'i bëjmë edhe njerëzit që ta duan të bukurën dhe fuqinë shëlbuese të Sakramenteve!”.

Dinjiteti

"Fjala e dytë: dinjitet - vazhdoi Papa - Si të krishterë, nuk duhet të lodhemi kurrë së këmbënguluri mbi ‘përparësinë e njeriut dhe mbrojtjen e dinjitetit të tij, pavarësisht nga çdo rrethanë' (Nxitja Apostolike Laudate Deum, 39)”.

E di se po merreni me një punim mbi këtë temë. Shpresoj se mund të na ndihmojë, si Kishë, të jemi përherë pranë të gjithë atyre që, pa u ndjerë e pa u dukur, në të përditshmen konkrete, luftojnë dhe paguajnë personalisht haraç, për të mbrojtur të drejtat, që nuk ka kush t’i mbrojë (Angelus, 10 dhjetor 2023) dhe për të bërë që, "kur ndeshemi me mënyra të ndryshme aktuale për t’i zhdukur a për t’i injoruar të tjerët, të jemi në gjendje të reagojmë me një ëndërr të re vëllazërimi dhe miqësie shoqërore, që nuk kufizohet vetëm me fjalë" (Letra Enciklike Fratelli tutti, 6).

Feja

"Fjala e tretë është feja - vijoi Françesku - Lidhur me këtë dua të kujtoj dy ngjarje: përvjetorin e dhjetë të Nxitjes Apostolike Evangelii gaudium, që përfundoi kohët e fundit, dhe Jubileun tashmë të afërt, në të cilin do të përtërijmë fenë në Jezu Krishtin, Zotin e vërtetë dhe njeriun e vërtetë, shpresë e historisë dhe e botës". "Megjithatë, ne nuk mund ta fshehim faktin se në zona të mëdha të planetit feja - siç pohoi Benedikti XVI - "nuk përbën më parakushtin e qartë për një jetë të përbashkët, përkundrazi, shpesh madje edhe mohohet, tallet, mënjanohet, përqeshet (Letra Apostolike në formën e Motu proprio Porta fidei, 2)"- kujtoi Françesku e shtoi: "Ndaj është koha të reflektojmë përsëri dhe me pasion më të madh për disa tema, si shpallja dhe komunikimi i fesë në botën e sotme, veçanërisht ndërmjet brezave të rinj; konvertimi misionar i strukturave kishtare dhe agjentëve baritorë; kulturat e reja urbane, me ngarkesën e tyre të sfidave por edhe të pyetjeve të reja mbi kuptimin e jetës; së fundi, e mbi të gjitha, qendrueshmëria e kerygmës (predikimit të Ungjillit jo besimtarëve) në jetën dhe misionin e Kishës”.

Sipas Papës, "këtu pritet ndihma nga Dikasteri për Doktrinën e Fesë: 'të ruash fenë' sot ka kuptimin e përkushtimit për reflektim dhe aftësi dalluese, në mënyrë që e gjithë bashkësia të punojë për të bërë kthesë të vërtetë baritore dhe misionare kerygmatike, e cila do të mund ta ndihmojë gjithashtu edhe shtegtimin sinodal në vazhdim”:

"Çka është më themelore, më e bukur, më tërheqëse dhe njëkohësisht më e nevojshme për ne, është besimi në Krishtin Jezus - shtoi - Të gjithë së bashku, në dashtë Zoti, do ta përtërijmë solemnisht gjatë Jubileut të ardhshëm dhe secili prej nesh është i thirrur t'ia shpallë çdo burri dhe çdo gruaje mbi tokë. Kjo është detyra themelore e Kishës, të cilës i kushtova Evangelii gaudium”.

26 janar 2024, 13:30