Kërko

Pasojat e tërmetit në Japoni Pasojat e tërmetit në Japoni

Tërmeti në Japoni, solidariteti dhe lutja e Atit të Shenjtë

Në një telegram të nënshkruar nga kardinali Parolin, dhimbja e Papës për viktimat (rreth pesëdhjetë deri tani) e tërmetit, që goditi dje Ishikawa-n, në bregun perëndimor të vendit. Inkurajim për autoritetet dhe personelin e shpëtimit

R.SH. – Vatikan

Një tronditje e fuqishme, që, fatkeqësisht, Japonia e njeh mirë dhe ka mësuar prej kohësh ta përballojë. Por 7.6 gradë të shkallës Rihter, aq sa ishte tërmeti, i cili goditi Ishikawa-n, në bregun perëndimor të vendit, kësaj radhe, la pas rrënoja të shumta e, sidomos, viktima, 48 sipas bilancit të fundit.

Fjalët e Papës

Tragjedia e ka bërë Papën të ndiejë dhimbje të thellë, siç nënvizohet në telegramin e nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, me të cilin Françesku siguron solidaritetin e tij "për të gjithë ata, që janë prekur nga kjo katastrofë", së bashku me "afërsinë shpirtërore" dhe lutjen “për viktimat, për ata që vajtojnë humbjen e tyre dhe për shpëtimin e njerëzve, që ende nuk janë gjetur”. Inkurajimi dhe bekimi i Françeskut u shkon gjithashtu edhe autoriteteve civile dhe personelit të emergjencës, që po ndihmon të mbijetuarit.

Ndihmat

Pikërisht për përballimin e emergjencës dhe për ndihmat në favor të të mbijetuarve nga tërmeti, qeveria e Tokios dërgoi një mijë ushtarë në zonat e prekura. Kryeministri Fumio Kishida deklaroi se "shpëtimi i jetëve njerëzore është përparësi", veçanërisht për njerëzit e bllokuar nën rrënojat e shtëpive. Sot, një tërmet i ri me magnitudë 5.6 goditi zonën e Ishikawa-s, ku autoritetet përgjegjëse për administrimin bërthamor deklaruan se disa termocentrale në rajon funksionojnë normalisht.

Përplasje ndërmjet avionëve

Dje, Agjencia Meteorologjike Japoneze paralajmëroi për tsunami në Ishikawa, për tërmete në pjesën tjetër të bregdetit të ishullit Honshu dhe në bregdetin verior të Hokkaido-s, megjithëse me intensitet më të vogël. Fatmirësisht, alarmi u tërhoq pak orë më vonë. Një tjetër dramë e lidhur pjesërisht me tërmetin është ajo që ndodhi sot, në orët e vona të pasdites, në Tokio, kur një avion i Japan Airlines u përplas me një avion të Rojës Bregdetare, që po ndihmonte viktimat e tërmetit. Pesë nga gjashtë personat në aeroplan humbën jetën, ndërsa 379 pasagjerët e avionit të linjës shpëtuan, pavarësisht se avioni mori flakë sapo preku tokën.

02 janar 2024, 14:55