Il Papa nell'udienza con la delegazione del Partito Comunista del Vietnam Il Papa nell'udienza con la delegazione del Partito Comunista del Vietnam

Vietnam, delegatë të Partisë Komuniste te Papa. Gallagher: Françesku dëshiron të vizitojë vendin

Sekretari Vatikanit për marrëdhëniet me Shtetet, në një konferencë shtypi në Vatikan, komenton takimin e sotëm me përfaqësuesit politikë vietnamezë: "Takim pozitiv". Imzot Gallagher njofton se do të udhëtojë në Vietnam në prill dhe se do të udhëtojë edhe sekretari i Shtetit të Vatikanit kard Parolin. Optimist për një vizitë të mundshme të Papës: “Mendoj se do të bëhet. Françesku dëshiron të shkojë, komuniteti katolik e do shumë atë dhe do të ishte një mesazh shumë i bukur për të gjithë

R.SH. - Vatikan

Takimi i sotëm i Papës me një delegacion përfaqësuesish të Partisë Komuniste të Vietnamit ishte një “takim pozitiv”, një shenjë e përforcimit të marrëdhënieve me Selinë e Shenjtë, e edhe një vizitë e mundshme e ardhshme e Papës në vend. Audienca u zhvillua paraditen e sotme, më 18 janar, në Pallatin Apostolik në Vatikan dhe më pas grupi u kaloi në Sekretarinë e Shtetit të Vatikanit për një bisedë me Sekretarin Shtetit, Kardinalin Parolin dhe me Imzot Gallagher, Sekretar për marrëdhëniet me shteteve.

Hapa përpara

Vetë Imzot Gallagher njofton detaje nga takimi, në kuadrin e një konference për iniciativat me rastin e 200-vjetori të vdekjes së kardinalit Ettore Consalvi, në Zyrën e Shtypit të Vatikanit. Fillimisht, Sekretari i Vatikanit për marrëdhëniet me Shtetet, kryeipeshkvi Gallaher e gjykon pozitivisht takimin e sotëm, duke shprehur shpresën se komuniteti katolik në Vietnam do të mund të përfitojë nga kjo që është një hap i mëtejshëm përpara në marrëdhëniet dypalëshe, i cili i shtohet rezultateve të tjera të rëndësishme të arritura nga pikëpamja diplomatike. Para së gjithash, marrëveshja në dhjetor për emërimin e një përfaqësuesi papnor rezident në Vietnam, nuncin apostolik në Singapor, imzot polak Marek Zalewski. Kjo marrëveshje u nënshkrua në korrik me rastin e vizitës së Presidentit Vo Van Thuong në Vatikan në bazë të seancës së dhjetë të Grupit të Përbashkët të Punës Vietnam- Selia e Shenjtë, që u zhvillua më 31 mars në Romë.

Shpresat për një udhëtim të Papës

Imzot Gallagher njofton gjithashtu se ai do të vizitojë personalisht Vietnamin "në prill" dhe se Sekretari i Shtetit të Vatikanit kardinali Parolin do të shkojë më pas brenda vitit. “Do t'i bëjmë gjërat gradualisht”, shpjegon prelati, duke thënë se është optimist – në përgjigje të një pyetjeje – edhe për mundësinë e një vizite të vetë Papës Françesku në të ardhmen: “Po, mendoj se do të ketë. Por ka disa hapa që duhen ndërmarrë përpara se kjo të jetë në përkim me rrethanat. Unë mendoj - shpjegon imzot Gallagher - se Papa dëshiron të shkojë, sigurisht që komuniteti katolik dëshiron shumë që Papa të shkojë dhe mendon se do të ishte një mesazh shumë i bukur për të gjithë rajonin”. Vietnami, shton Sekretari i Vatikanit për marrëdhëniet me Shtetet, është në fakt një "vend i rëndësishëm", "një lloj mrekullie ekonomike në shumë aspekte".

18 janar 2024, 21:06