Rrëmbime në Nigeri Rrëmbime në Nigeri  (AFP or licensors)

Ankthi i Françeskut për rrëmbimet në Nigeri dhe dhunën në RD të Kongos

Thirrje në Lutjen e Engjëllit për dy vende afrikane. Françesku bashkon zërin me ipeshkvijtë kongolezë në lutjen për paqe, duke shpresuar "një dialog të sinqertë dhe konstruktiv", ndërsa kërkon angazhim në Nigeri për t’i frenuar "sa më shumë të jetë e mundur" rrëmbimet. Shpreh afërsinë edhe me Mongolinë e përfshirë nga një valë e jashtëzakonshme ngricash, "shenjë e krizës klimatike": "Bëni zgjedhje të mençura dhe të guximshme për të kontribuar në kujdesin e krijimit".

R. SH. - Vatikan

Plot ankth, vështrimi që Papa Françesku i drejton Afrikës, ku dhuna po bëhet gjithnjë më e frikshme në Republikën Demokratike të Kongos dhe ku numri i njerëzve të rrëmbyer në Nigeri po rritet. Në përfundim të Engjëllit, Papa i përmendi dy vendet, duke u bërë thirrje për dialog dhe paqe:

“Ndjek me shqetësim rritjen e dhunës në pjesën lindore të Republikës Demokratike të Kongos. Bashkohem me ftesën e ipeshkvijve, që kërkojnë lutje për paqen, duke shpresuar se ndeshjet do të ndërpriten e do të kërkohet rruga e dialogut të sinqertë dhe konstruktiv”.

 Republika Demokratike e Kongos, Kisha lutet për paqen në lindje të vendit

Dje në mëngjes, më 24 shkurt, në katedralen e Zojës së Kongos, në Kinshasa, Kardinali Fridolin Ambongo kremtoi një meshë për kthimin e paqes në vend, në fund të së cilës tha "lutjen për paqe". Është lutja që ipeshkvijtë e Konferencës Ipeshkvnore Kombëtare (Cenco) kërkuan të shqiptohet në fund të çdo feste eukaristike, duke nisur nga e diela, 18 shkurt 2024. Vendi po përjeton luftime intensive ndërmjet ushtrisë kongoleze dhe grupit të armatosur M23. Qyteti i Sake, një nga epiqendrat, u godit javët e fundit nga bombat, të cilat shkaktuan vdekje dhe lëndime dhe e detyruan popullsinë të shpërngulej për të gjetur strehim diku tjetër, veçanërisht në Goma, në pjesën lindore të vendit. Por edhe në Kiwu-në e Veriut vazhdon dhuna, që i detyroi mbi 133 mijë njerëz të ikin, sipas një raporti të Oxfam, në të cilin kujtohen kushtet e papërfytyrueshme për refugjatët pa banjë, pa ujë të pijshëm, me rrezikun e kolerës dhe  mungesën e ushqimit për të miturit.  

Të ndalohen rrëmbimet

Një tragjedi e vërtetë regjistrohet edhe në Nigeri ku - kujtoi Papa nga dritarja e Pallatit Apostolik - "rrëmbimet gjithnjë e më të shpeshta shkaktojnë shqetësime të vazhdueshme":

“I shpreh afërsinë time në lutje popullit nigerian, duke shpresuar se do të punojë për të siguruar që përhapja e këtyre episodeve të përmbahet sa më shumë që të jetë e mundur”.

Nigeri, rrëmbimet në rritje: solidaritet i Dikasteri për Ungjillizimin

Fenomeni i rrëmbimeve në vendin afrikan është në rritje dramatike muajt e fundit. Që nga maji 2023 dhe fillimi i mandatit të Presidentit Bola Ahmed Tinubu në detyrë, firma e konsulencës për menaxhimin e rrezikut SBM Intelligence ka regjistruar rrëmbimin e 3,964 personave. Rrëmbime masive, si ajo në kryeqytetin federal Abuja, ku më 11 janar u rrëmbyen mbi 10 persona, duke përfshirë një 13-vjeçar të vrarë për mospagim  shpërblimi, ose rrëmbime individësh a familjesh, si ajo e Mansoor Al-Kadriyar, që u rrëmbye së bashku me gjashtë vajzat e tij dhe më vonë u lirua pasi pagoi 50 milionë naira (35,336 dollarë) për lirimin e vajzave. Njëri prej tyre u vra për shkak të mospagimit të shumës së kërkuar.

Dikasteri për Ungjillëzimin ndërhyri urgjent, përmes një letre të nënshkruar nga kardinali Luis Antonio Tagle, pro-prefekt i Seksionit për ungjillizimin, dhe sekretari nigerian, Imzot Fortunatus Nwachukwu, drejtuar presidentit të Konferencës Episkopale nigeriane. “Asgjë nuk mund të justifikojë krimin e rrëmbimit. Dhuna fizike dhe tortura mendore minojnë shtyllat e harmonisë civile dhe shoqërore”, lexojmë në letrën e botuar nga Agenzia Fides, në të cilën qeverisë së Nigerisë iu kërkua “të veprojë shpejt për ta përballuar këtë kërcënim, për të ndaluar krizën e vazhdueshme” dhe “për të marrë masa në mbrojtje të e jetës dhe të pronës”.

 Ngrica të jashtëzakonshme në Mongoli

Nga Afrika në Azi, afërsia e Papës shkon në Mongoli, vend i Azisë Qendrore që Françesku e vizitoi në shtator 2023 dhe që tani po përjeton një dimër veçanërisht të ashpër, me reshjet më të mëdha të borës të regjistruara që nga viti 1975. Qeveria e Ulaan Baatar flet për vdekje dhe humbje të më shumë se 660,000 bagëtive për shkak të të ftohtit dhe stuhive të borës. “Jam edhe pranë popullatës së Mongolisë, goditur nga një valë ngricash, me pasoja të rënda humanitare” - kujtoi Françesku, duke nënvizuar se “ky fenomen ekstrem është edhe shenjë e ndryshimeve klimatike”. Më pas, një thirrje tjetër për të mos harruar shtëpinë tonë të përbashkët:

“Kriza klimatike është  problem social global me ndikim të thellë në jetën e shumë vëllezërve dhe motrave, veçanërisht atyre më të ligshtve: lutemi që të mund të bëjmë zgjedhje të mençura dhe të guximshme për të kontribuar në kujdesin e krijimit”.

25 shkurt 2024, 15:14