Kërko

Poster "Campanha da Fraternidade 2024" Brasile CNBB Poster "Campanha da Fraternidade 2024" Brasile CNBB

Mesazhi i Papës Françesku për Fushatën e Vëllazërisë 2024 në Brazil

Fushata e Vëllazërisë 2024 në Brazil filloi këtë të mërkurë, më 14 shkurt, me temën “Vëllazëria dhe Miqësia Sociale” dhe moton “Ju të gjithë jeni vëllezër e motra” (Mt 23,8). Papa Françesku u dërgoi një mesazh brazilianëve ku pohon: “Si vëllezër dhe motra, jemi të ftuar të ndërtojmë një vëllazëri të vërtetë universale që favorizon jetën tonë në shoqëri dhe mbijetesën tonë në Tokë, në shtëpinë tonë të përbashkët”.

R.SH. / Vatikan

Mesazhi i Françeskut për fushatën organizuar nga Konferenca Kombëtare e Ipeshkvijve brazilianë me temë "Vëllazëria dhe Miqësia Sociale", e cila nis më 14 shkurt, ditën e parë të Kreshmëve: "Në botë ka ende shumë hije dhe mbyllje në vetvete. Ne duhet ta përhapim dashurinë për çdo qenie të gjallë, duke kapërcyer pengesat e gjeografisë dhe të hapësirës”. Përballë "hijeve" të shumta në botë, si urrejtja, dhuna dhe "shenjat e vetë-mbylljes", është e nevojshme dhe urgjente "të ndërtohet vëllazëria e vërtetë universale, që favorizon jetën tonë në shoqëri dhe mbijetesën mbi Tokë, që është Shtëpia jonë e përbashkët, pa e humbur kurrë nga sytë Qiellin, ku Ati do të na presë të gjithëve si bijtë dhe bijat e tij".

Kjo është ftesa e Papës Françesku për të gjithë vëllezërit dhe motrat e Brazilit ku, më 14 shkurt, ditën e parë të Kreshmëve 2024, nisi Fushata e Vëllazërisë, e organizuar nga Konferenca Ipeshkvnore vendase, e cila sivjet kremtoi 60 vjetorin e themelimit.

Fe, përshpirtëri, përkushtim vëllazëror

Është fjala për një rrugë që i propozohet çdo vit Kishës braziliane dhe të gjithë "njerëzve vullnetmirë" të kombit në fillim të kësaj periudhe liturgjike: "Udhë kthese, që bashkon besimin dhe jetën, shpirtëroren dhe angazhimin vëllazëror, dashurinë për Zotin dhe dashurinë për të tjerët, veçanërisht ata që janë më të brishtë dhe kanë më shumë nevojë për vëmendje”, shkruan Papa në mesazhin e tij.

Në gjurmët e Fratelli Tutti

Këtë vit tema e Fushatës është "Vëllazëria dhe Miqësia Sociale"; ndërsa motoja, "Ju jeni të gjithë vëllezër dhe motra". Përmes tyre, ipeshkvijtë i ftojnë të gjithë brazilianët të ndjekin, në këto dyzet ditë që na ndajnë nga  Pashkët, "rrugën e kthesës, bazuar në enciklikën Fratelli tutti", nënshkruar nga Papa në Asizi, më 3 tetor 2020.

 “Fatkeqësisht - nënvizon Papa Françesku në mesazh - në botë shohim ende shumë hije, shenja të mbylljes në vetvete. Prandaj kujtoj nevojën për ta zgjeruar rrethin tonë e për të arritur tek ata që nuk ndjehen spontanisht pjesë e botës sonë të interesave, për ta shtrirë dashurinë tonë për 'çdo qenie të gjallë', duke hapur kufijtë dhe duke kapërcyer 'barrierat e gjeografisë dhe hapësirës'”.

Ndihmë për njerëzit dhe bashkësitë e Brazilit

Papa Fraçesku shpreson që Kisha në Brazil "të ketë fryte të mira në këtë udhëtim kreshmor" e edhe që Fushata e Vëllazërisë "t’i ndihmojë përsëri njerëzit dhe bashkësitë e këtij kombi të dashur në procesin e tyre të kthimit në Ungjillin e Zotit tonë Jezu Krishtit, duke kapërcyer çdo ndarje, çdo indiferencë, çdo urrejtje e çdo dhunë". Shpresa, të cilat Papa ia beson Virgjërës Mari të Aparecidës, duke u dërguar bekimin e tij "të gjithë bijve dhe bijave të kombit të dashur brazilian, veçanërisht atyre, që punojnë për vëllazërimin universal".

15 shkurt 2024, 10:16