Françesku dhe Ukraina, afërsia e përditshme me martirizimin e një populli
R.SH. – Vatikan
Një lutje e pandërprerë dhe e fuqishme për paqen në Ukrainë: Papa Françesku nuk ka reshtur së lartuari zërin deri te Hyji i Gjithëpushtetshëm për të kërkuar fundin e luftës ruso-ukrainase, gjatë këtyre dy viteve konflikti të vazhdueshëm, sepse "lufta është gjithmonë humbje, gjithmonë". "Disfatë e vërtetë njerëzore", nënvizon shpesh Ati i Shenjtë, sepse "fitojnë vetëm prodhuesit e armëve". "I martirizuar": ky është mbiemri i dhimbshëm, me të cilin Papa shpesh quan vendin, në të cilin bombat vijojnë të bien që nga 24 shkurti 2022. Që nga ajo ditë e tmerrshme, Papa i shfrytëzon të gjitha rastet për ta nxitur botën të lutet për paqen.
Gjatë këtyre dy viteve janë organizuar disa Ditë lutjeje: e para, më 26 janar 2022, kur tensionet ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës nuk kishin shpërthyer ende plotësisht, por shkaktonin shumë shqetësime. Një çast i dytë lutjeje dhe agjërimi pasoi disa muaj më vonë, më 2 mars: ishte e Mërkura e Përhime dhe Françesku u kërkoi besimtarëve që, “si vëllezër", t’i luteshin Zotit për t’i dhënë fund luftës. Të njëjtën lutje, Papa ia drejton Nënës së Zotit, më 25 mars 2022, gjatë kremtimit të pendesës në Bazilikën e Shën Pjetrit, me aktin e kushtimit Zemrës së Papërlyer të Marisë: kundër një "lufte të ndyrë", që shkakton vuajtje, frikë dhe tmerr në shumë njerëz, "nevojitet prania e Zotit dhe siguria e faljes hyjnore". Vitin e mëpasëm, më 27 tetor 2023, një ditë tjetër pendese, agjërimi dhe lutjeje, në të cilën Françesku kërkon ndihmën e Zojës për të arritur paqen: «Kërkojmë mëshirë, o Nënë e mëshirës; paqe, o Mbretëresha e paqes – u lut Papa! - Preki shpirtrat e atyre, që bllokohen në kurthin e urrejtjes, ktheji kah Zoti ata, që nxisin dhe ushqejnë konfliktet. Thaji lotët e fëmijëve, ndihmoji të vetmuarit e të moshuarit, mbështeti të plagosurit dhe të sëmurët, mbroji ata, që u është dashur të largohen nga atdheu dhe njerëzit e tyre, ngushëlloji të dëshpëruarit, rizgjoje shpresën”.
Dy vitet e fundit në Ukrainë janë karakterizuar nga tragjedi, tmerr dhe vdekje: më 24 prill 2022 kremtohen Pashkët sipas kalendarit julian, por edhe dy muajt pas shpërthimit të konfliktit. Edhe një herë, Papa - në fund të lutjes së Mbretëreshës Qiellore - u kërkon të gjithëve "t’i shtojnë lutjet për paqe dhe të kenë guximin të thonë se paqja është e mundur". Dy muaj më vonë, më 5 qershor, në solemnitetin e Rrëshajëve, lufta në Ukrainë mbush dramatikisht 100 ditë. E Françesku përsërit thirrjen për "bisedime të vërteta, negociata konkrete për armëpushimin dhe për një zgjidhje të qëndrueshme". “Ta dëgjojmë britmën e dëshpëruar të njerëzve që vuajnë, të kemi respekt për jetën njerëzore”, shprehet ai, sepse lufta është “makth, mohim i ëndrrës së Zotit”.
Ndërkohë, muajt kalojnë dhe mediat ndërkombëtare vazhdojnë të shkruajnë faqe të hidhura lotësh e shkatërrimesh. Muaji i gjashtë i konfliktit fillon më 24 gusht 2022, tjetër çast historik dramatik për Ukrainën. Pikërisht atij vendi i drejtohet Ati i Shenjtë, në fund të audiencës së përgjithshme të së mërkurës: "Lufta është çmenduri", nënvizon ai, duke u lutur për të burgosurit, të plagosurit, fëmijët, refugjatët dhe për "të pafajshmit e shumtë", që paguajnë një haraç të rëndë. Mbërrin nëntori e muajt e luftës bëhen nëntë: me këtë rast, Papa i shkruan një letër popullit ukrainas, duke e cilësuar si "popull fisnik dhe martir", duke e siguruar për afërsinë e tij "me zemër e me lutje". Gjithë njerëzve u thotë: "Mos u mësoni me luftën".
Më 24 shkurt 2023, saktësisht një vit pas shpërthimit të konfliktit, Papa mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit “Freedom on Fire: Lufta e Ukrainës për Liri”, të regjisorit Evgeny Afineevsky. “Sot – pohon ai – mbushet një vit në luftë, ta shohim Ukrainën, të lutemi për ukrainasit dhe t’ia hapim zemrat tona dhimbjes. Të mos kemi turp nga vuajtjet dhe lotët, sepse lufta është shkatërrim”. Edhe më pas, Papa e ngre zërin në favor të popullit ukrainas, si për shembull, kur shpërtheu çështja e bllokimit të transportit të grurit, kur priti në audiencë ipeshkvijtë e Sinodit të Kishës greko-katolike të Ukrainës, kur i shkroin kryeipeshkvit të Kyiv-Halyč, imzot Sviatoslav Shevchuk, duke uruar që të mos harrohet lufta në vendin e tij, kur i flet, më 8 janar 2024, Trupit Diplomatik të akredituar në Selinë e Shenjtë. “Fatkeqësisht, pas gati dy vjetësh lufte në shkallë të gjerë – u thotë Françesku ambasadorëve nga e gjithë bota – paqja aq e dëshiruar ende nuk ka arritur të gjejë vend në mendje dhe zemra, pavarësisht nga viktimat e shumta dhe shkatërrimet e mëdha. Një konflikt, që po gangrenizohet gjithnjë e më shumë, nuk mund të lejohet të vijojë në dëm të miliona njerëzve, por tragjedisë së vazhdueshme duhet t'i jepet fund përmes negociatave, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare".
Përveç lutjeve dhe nxitjeve, Françesku vepron edhe personalisht, në emër të paqes, sa me njërën aq edhe me palën tjetër: më 25 shkurt 2022, shkon në selinë e ambasadës së Federatës Ruse në Selinë e Shenjtë që të shprehë shqetësimin e tij një ditë pas shpërthimit të luftës. Disa ditë më vonë, më 16 mars, zhvillon një bisedë online me Patriarkun e Moskës dhe të gjithë Rusive, Kirill, i motivuar "nga dëshira për të treguar, si barinj të popullit, një rrugë për paqen”. Gjatë muajve në vijim, Papa i telefonon disa herë presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, të cilin e pret në audiencë në maj 2023.
Përpjekjet e Papës për t'i dhënë fund konfliktit bëjnë që të emërojë kreun e ipeshkvijve italianë, kardinalin Matteo Zuppi, kryeipeshkëv i Bolonjës, si të dërguarin e tij të posaçëm për paqen. Gjatë vitit 2023, kardinali shkon në Rusi, në SHBA dhe në Kinë, me shpresën e një spiraleje për paqen. Dy kardinaj të tjerë - Lëmoshtari i Shenjtërisë së Tij, Konrad Krajewski dhe prefekti i Dikasterit për Shërbimin e Zhvillimit të gjithanshëm Njerëzor, Michael Czerny - dërgohen nga Françesku në Ukrainë, si përfaqësues të tij, për të çuar solidaritetin dhe afërsinë me refugjatët dhe viktimat e luftës. Po kështu, kryeipeshkvi Paul Richard Gallagher, Sekretar i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare, viziton Vorzel, Irpin dhe Bucha në maj 2023, ku lutet para varrit masiv pranë kishës ortodokse të Shën Andreut. Gjest, për të vënë në dukje, në vazhdën e Papës, "mizorinë dhe egërsinë e luftës".