Kërko

Founder's Memorial i Abu Dabit, ku më 4 shkurt 2019, Papa Françesku dhe Imami i Madh i Al-Azharit nënshkruan Dokumentin mbi Vëllazërimin Njerëzor Founder's Memorial i Abu Dabit, ku më 4 shkurt 2019, Papa Françesku dhe Imami i Madh i Al-Azharit nënshkruan Dokumentin mbi Vëllazërimin Njerëzor

Françesku: ëndrra e vëllazërisë nuk ndalet vetëm tek fjalët

Papa u drejton një mesazh pjesëmarrësve të Kongresit IV Ndërkombëtar të “PLURIEL", Platformë Universitare e Kërkimeve për Islamin, mbledhur në Abu Dabi për të shkëmbyer mendime lidhur me ndikimet e dokumentit mbi vëllazërimin njerëzor, pesë vjet pas nënshkrimit të tij. Papa thekson tri pengesat kryesore të dialogut: mungesën e njohjes së tjetrit, mungesën e të dëgjuarit dhe mungesën e shkathtësisë intelektuale

R.SH. - Vatikan

Në një kohë kur vëllazëria dhe bashkëjetesa vihen në pikëpyetje nga padrejtësitë dhe luftërat, të cilat janë gjithmonë “humbje të njerëzimit”, Papa Françesku përgëzon ata që çojnë përpara parimet dhe temat e Dokumentit për vëllazërinë njerëzore për paqen dhe bashkëjetesën  në botë nënshkruar pesë vjet më parë në Abu Dhabi, së bashku me Imamin e Madh të Al-Azhar, Al-Tayyeb. Papa shpreh vlerësimin e tij në një mesazh për pjesëmarrësit e Kongresit IV Ndërkombëtar të "PLURIEL", Platformës Kërkimore Universitare mbi Islamin, me pjesëmarrjen e rreth 180 studiuesve nga 27 vende, të angazhuar në dialogun ndërmjet të krishterëve dhe myslimanëve, mbledhur këto ditë në qytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe për të analizuar ndikimet dhe perspektivat e dokumentit. Fjalët e Françeskut do t’i lexojë gjatë zhvillimit të punimeve kardinali Miguel Ángel Ayuso Guixot, prefekt i Dikasterit për Dialogun Ndërfetar.

Nuk duhet të ndaloheni tek fjalët

“Të përpiqemi që ëndrra jonë për vëllazërinë në paqe, të mos mbetet vetëm fjalë!”. Këtë shpreson Papa, i cili nënvizon pasurinë e pamasë të fjalës “dialog”, e cila “nuk mund të kufizohet në diskutimin rreth një tavoline”. Megjithatë, në shoqërinë bashkëkohore janë tri të këqija, që e pengojnë këtë rrugë, “tri të meta të shpirtit njerëzor, që e shkatërrojnë vëllazërinë e që duhen identifikuar mirë për të rizbuluar urtinë dhe paqen”. E para është“mosnjohja e tjetrit”. Ta njohësh tjetrin, të kesh besim reciprok, ta ndryshosh mendimin e keq që mund të kesh për këtë "vëlla në natyrën njerëzore", në botime, fjalime dhe mësimdhënie, është mënyra për të nisur proceset e paqes të pranueshme për të gjithë, nënvizon Françesku. Për Papën, kjo është rruga që duhet ndjekur për të shmangur ndërtimin e  qytetërimit "kundër-vëllait", të perceptuar në mënyrë të thjeshtuar si armik. Paqja, pa  edukim të bazuar mbi respektin dhe njohjen e të tjerëve,  nuk ka as vlerë, as të ardhme.

Mësohuni të dëgjoni

Inteligjenca njerëzore, nënvizon më tej Papa, "mund të zhvillohet vetëm nëse mbetet kureshtare dhe e interesuar për të gjitha fushat e realitetit dhe nëse di t’i komunikojë lirisht frytet e zbulimeve të saj", por për ta bërë këtë, duhet dëgjuar. "Mungesa e dëgjimit"është, pra, kurthi i dytë që dëmton vëllazërinë. Për të debatuar - shkruan Papa - "ne duhet të mësojmë të dëgjojmë, domethënë të heshtim e ta ngadalësojmë ritmin, e kundërta e drejtimit aktual të botës postmoderne,  gjithmonë e trazuar, plot ëndrra e zhurma”. Pa iu dorëzuar emocioneve, por edhe pa frikë nga keqkuptimet e pashmangshme.

Të ketë fleksibilitet intelektual

“Sa të këqija do të mund të shmangeshin - vëren Françesku - nëse do të kishte më shumë dëgjim, heshtje dhe, në të njëjtën kohë, fjalë të vërteta, në familje, në bashkësitë politike apo fetare, brenda vetë universiteteve dhe ndërmjet popujve e kulturave!”. Megjithatë,debati kërkon edukimin me shkathtësi intelektuale, mungesa e të cilit është pengesa e tretë e vëllazërisë. Prandaj, “Formimi dhe kërkimi” - përfundon Papa - duhet “të mos i bëjë burrat dhe gratë e popujve tanë të ngurtë, por fleksibël, të gjallë, të afërt me të tjerët, miq e vëllezër”.

05 shkurt 2024, 11:14