Kërko

Një ushtar në luftën e Ukrainës Një ushtar në luftën e Ukrainës  (AFP or licensors)

Françesku: paqja është në rrezik por ka të bëjë me të gjithë, duhen gjeste guximi

Në lutjen e Engjëllit, Papa na ftoi të lutemi për paqen, e cila nuk është përgjegjësi vetëm e disave. Kujtoi dhe situatën e vështirë në Ukrainë, Palestinë e Izrael dhe nxiti për ta luftuar fenomenin e trafikimit të qenieve njerëzore, duke njohur dinjitetin e çdo njeriu.

R. SH. - Vatikan

Paqja është urgjenca që Papa Françesku e ndjen më shumë se kurrë. Edhe në Lutjen e Engjëllit të kësaj të dieleje shkurti, thirrja e tij për të bashkëpunuar dhe për t'i dhënë fund dhunës, na kujton përgjegjësinë e përbashkët, sepse paqja u përket të gjithëve:

“Ju ftoj të luteni për paqen, të cilën bota e dëshiron aq fort dhe që sot, më shumë se kurrë, është në rrezik ndër shumë vende. Nuk është përgjegjësi e disave, por e gjithë familjes njerëzore. Të bashkëpunojmë të gjithë për ta ndërtuar me gjeste dhembshurie e guximi!”.

Nuk mungon,  në fjalët e Papës, as kujtimi i ngjarjeve më të vështira, si ato që vijojnë të kalojnë Ukraina, Palestina dhe Izraeli, e as ftesa për t'u lutur për popullatat që vuajnë.  

Duhet njohur dinjiteti i çdo njeriu

Françesku më pas kujtoi nevojën për të ndërtuar "një shoqëri solidare dhe vëllazërore, ku çdo njeri njihet dhe mirëpritet në dinjitetin e tij të patjetërsueshëm". Kujtoi edhe se më 10 shkurt, në Azinë Lindore, por edhe në pjesë të tjera të botës, miliona njerëz do të festojnë Vitin e Ri Hënor, "mundësi për të jetuar marrëdhënie dashurie dhe gjeste vëmendjeje".

Luftë kundër trafikimit

Viktimave të trafikimit duhet t'u njihet dinjiteti! Papa e kujton kështu Ditën Botërore të Lutjes dhe Reflektimit kundër Trafikimit, e cila do të kremtohet më 8 shkurtin e ardhshëm, "ditën e kujtimit të Shën Josephine Bakhita-s, murgeshës sudaneze - kujton Françesku - e cila, akoma vajzë e parritur, e pati provuar shijen e hidhur të skllavërisë":

“Edhe sot shumë vëllezër e motra mashtrohen me premtime të rreme dhe më pas i nënshtrohen shfrytëzimit dhe shpërdorimit. Të bashkohemi të gjithë për të luftuar fenomenin dramatik global të trafikimit të qenieve njerëzore”.

Faleminderit që lexuat këtë artikull. Nëse dëshironi të na ndiqni, ju ftojmë të abonoheni në buletinin, duke klikuar këtu

04 shkurt 2024, 14:09