Kërko

2024.02.09 Pellegrini dall'Argentina per la Canonizzazione della Beata Maria Antonia di San Giuseppe de Paz y Figueroa 2024.02.09 Pellegrini dall'Argentina per la Canonizzazione della Beata Maria Antonia di San Giuseppe de Paz y Figueroa

Papa: përballë virusit të individualizmit, Mama Antula na mëson të shikojmë të fundmit

Dy ditë para se të shpallet shenjte María Antonia de San José de Paz y Figueroa, Papa priti një grup shtegtarësh nga Argjentina dhe kujtoi tiparet e shenjtores të ardhshme, e cila jetoi në shekullin e nëntëmbëdhjetë duke përhapur në Buenos Aires praktikën e ushtrimeve shpirtërore injaciane, pa u dorëzuar kurrë përballë vështirësive, që ndeshi gjatë periudhës kur Shoqëria e Jezusit u ndalua

R.SH. / Vatikan

Takimi me shtegtarët e ardhur nga Argjentina për kanonizimin, të dielën, në Sheshin e Shën Pjetrit, të María Antonia de San José de Paz y Figueroa, e njohur si Mama Antula, ishte burim gëzimi për Atin e Shenjtë Françeskun. I lumtur, që po mirëpriste, në Sallën Klementine të Pallatit Apostolik, në Vatikan, ipeshkvij, priftërinj, rregulltarë, rregulltare e besimtarë,  foli në spanjisht dhe theksoi tiparet që e dalluan të Lumen argjentinase e cila, në shekullin e nëntëmbëdhjetë, përhapi në Buenos Ájres, praktikën e ushtrimeve shpirtërore të Shën Injac Lojolës, duke themeluar edhe Kongregatën e Bijave të Shëlbuesit Hyjnor.

Vëmendje ndaj të përjashtuarve  

Grua plot vëmendje për të përjashtuarit nga radhët e shoqërisë, Nënë Antula - theksoi Papa – është për botën bashkëkohore "frymëzim që ringjall vëmendjen "për ata, të cilët shoqëria i përjashton dhe i flak tutje":

“Bamirësia e Mama Antula-s, sidomos në shërbim të nevojtarëve, kërkohet me shumë forcë sot, në mes të një shoqërie që rrezikon të harrojë se ‘individualizmi radikal është virusi më i vështirë për t'u mposhtur. Virus që mashtron.  Që na bën të besojmë se gjithçka ka të bëjë vetëm me dhënien e dorës së lirë për ambiciet e dikujt”.

Besimi dhe lëshimi i plotë në dorë të Zotit

Papa Françesku kujtoi se rruga e shenjtërisë kërkon besimin, braktisjen e vetvetes në duar të Zotit. E Maria Antonia bëri “pikërisht atë, që Zoti e dëshiron nga secili prej nesh", domethënë e kuptoi se është e mundur të zbulohet thirrja e Tij nga secili, në ato kushte, në të cilat jeton “sepse sido që të jenë, do të përmblidhen gjithnjë në realizimin e 'çdo gjëje për lumninë më të madhe të Zotit dhe për shpëtimin e shpirtrave'”. Këtë na mëson “Përshpirtëria Injaciane”, me të cilën u ushqye Mama Antula e që ishte gjithmonë forcë lëvizëse “në çdo vepër të saj”. Kur Shoqëria e Jezusit (Jezuitët) u shtyp në Argjentinë, Maria Antonia mori përsipër të organizonte ushtrime shpirtërore, "duke u përpjekur kështu t’i ndihmonte të gjithë të zbulonin bukurinë e ndjekjes së Krishtit". U detyrua të përballonte shumë fatkeqësi. Madje iu ndalua t'i organizonte Ushtrimet Injaciane. Po ajo vendosi t'i vijonte fshehurazi:

“Këtë përmasë klandestiniteti nuk mund ta harrojmë, është shumë e rëndësishme. Në këtë kuptim, një mesazh tjetër që i jep e Lumja botës sonë sot, është të mos dorëzohemi përballë fatkeqësive, të mos heqim dorë nga qëllimet tona të mira për t'ua çuar Ungjillin të gjithëve, pavarësisht sfidave që mund të ndeshen në këtë rrugë aspak të lehtë”.

Të rrënjosur në Zotin, kudo që jetojmë

Ndodh që edhe familja e dikujt apo vendi i punës “mund të jenë ai mjedis i thatë,  ku sot duhet ruajtur feja e duhen bërë përpjekje të rrezatohet” - vërejti Papa - por “me rrënjë të thella në Zotin”, duke e shikuar si mundësi për ta sfiduar mjedisin e "për t’i çuar gëzimin e Ungjillit".

Së fundi, Papa Françesku nënvizoi entuziazmin e madh të Mama Antulas për Eukaristinë, e cila "duhet të jetë qendra e gjithë jetës sonë të krishterë, e nga e cila vjen forca për të kryer apostullimin tonë" dhe i ftoi shtegtarët argjentinas të jenë dëshmitarë të shembullit të bashkatdhetares së tyre.

09 shkurt 2024, 13:04