Françesku: shkelja e të drejtave të njeriut në zonat e luftës është e patolerueshme
R. SH. - Vatikan
“Është e patolerueshme” që “të drejtat themelore të njeriut të shkelen çdo ditë” në trojet ku luftohet! Pas lutjes së Engjëllit e në Ditën Botërore të të Sëmurëve, Papa Françesku ngre zërin, në mbrojtje të “njerëzve të shumtë të cilëve sot u mohohet e drejta e mjekimit, pra e drejta e jetës! E mendon për ata që jetojnë në varfëri ekstreme” dhe për ata që fatkeqësisht janë nën bombat e konflikteve të vazhdueshme. Mendon e na kërkon të lutemi "për Ukrainën e martirizuar, për Palestinën, për Mianmarin dhe për të gjithë popujt e munduar nga lufta". E të mos harrojmë se dita e sotme, në kujtim të Zojës Lourdë, këtë vit tërheq vëmendjen për rëndësinë e marrëdhënieve gjatë sëmundjeve:
“Gjëja e parë që na duhet kur jemi të sëmurë, është afërsia e të dashurve, e punonjësve të kujdesit shëndetësor dhe, në zemrat tona, afërsia e Zotit. Të gjithë duhet të jemi pranë atyre që vuajnë e t’i vizitojmë të sëmurët, siç na mëson Jezusi në Ungjill. Kjo është arsyeja pse sot dua t’u shpreh afërsinë time dhe të Kishës të gjithë njerëzve të sëmurë ose më të ligshtë. Të mos e harrojmë stilin e Zotit: afërsinë, dhembshurinë, butësinë”.
Situata në Gazë dhe në Ukrainë
Ndërsa Papa larton lutjen e tij për Palestinën, ku lufta ka arritur në ditën e saj të 126-të, Hamasi paralajmëron se sulmi i afërt tokësor i ushtrisë izraelite në Rafah, qyteti në jug të Rripit të Gazës, do të "hedhë në erë bisedimet për shkëmbimin e pengjeve”. Ndërsa kryeministri i Tel Avivit, Netanyahu, pohon se ndalimi tani do të ishte i barabartë me humbjen e luftës, duke e lënë Hamasin të ngujuar në Rafah. Lidhur me frikën e bashkësisë ndërkombëtar për një katastrofë të mundshme, duke pasur parasysh praninë e qindra mijëra palestinezëve të zhvendosur në zonën jugore të Rripit, përgjigjet se ushtria e tij do të garantojë "kalim të sigurt për popullsinë civile, në mënyrë që të mund të largohet". Në Ukrainë, ndërkohë, mbrëmë një sulm me dron rus zgjati më shumë se pesë orë në nëntë rajone, me 40 nga 45 avionë pa pilot të rrëzuar, sipas Kievit. Qyteti jugor i Mykolaiv ishte veçanërisht në shënjestër, me shpërthime të shumta, zjarre dhe dëme.