Françesku: shumë luftëra kudo, na duhet paqja
R.SH. – Vatikan
Sytë ulur mbi letër, megjithëse nuk ka asnjë thirrje të shkruar në të. Fjalët e Papës, në fund të audiencës së sotme të përgjithshme, mbajtur paradite në Vatikan, dalin nga zemra dhe nga dhimbja për lajmet e vdekjeve të reja, të mijëra të plagosurve, të bombardimeve, të shtëpive dhe qyteteve të shkatërruara, të raketave dhe sulmeve me dron. “Të mos harrojmë luftërat”, ngriti zërin Papa Françesku, duke u kërkuar 5500 besimtarëve të pranishëm në Sallën Pali VI të mos mësohen me këtë tmerr, që ka përfshirë botën.
Lufta është gjithmonë disfatë
“Të mos harrojmë Ukrainën e martirizuar, Palestinën, Izraelin, Rohingya-t. Shumë e shumë luftëra, që janë kudo. Të lutemi për paqen”.
Ati i Shenjtë përsëriti frazën, që është kthyer në aksiomë, në çdo takim publik: "Lufta është gjithmonë disfatë". “Gjithmonë”, theksoi edhe sot, duke kërkuar sidomos lutje. Është veprimi i parë, konkret, për çdo të krishterë.
“Të lutemi për paqen. Na duhet paqja”.