Papa: teknologjia nuk duhet ta përçudnojë thelbin e thellë të njeriut që vuan
R.SH. / Vatikan
Në epokën e inteligjencës artificiale, në të cilën ndjehet fort frika se algoritmet do të bëhen masë e përhapur e gjërave njerëzore, është e nevojshme të rikuptohet marrëdhënia e njeriut me makinën. Për ta bërë këtë, është themelore të kuptojmë "çka e cilëson njeriun", natyrën e tij më të thellë. Ky, mendimi kryesor, nga i cili lind reflektimi i Akademisë Papnore për Jetën, e cila nga sot e deri të mërkurën do të diskutojë në asamblenë e saj të përgjithshme mbi temën “Njerëzore. Kuptime dhe Sfida”. E prej këndej e nisi Papa fjalimin drejtuar sot paradite, 12 shkurt, pjesëmarrësve në seancën plenare të Akademisë Papnore për Jetën.
Brenda një horizonti më të gjerë
Para së gjithash, Papa Françesku e përkufizon si jo "të besueshëm" dallimin ndërmjet "proceseve natyrore dhe proceseve artificiale", ku të parat janë të vetmet "vërtetësisht njerëzore" ndërsa të dytat, "të huaja apo në kundërshtim me njeriun":
“Ajo që duhet bërë është të përfshihen njohuritë shkencore dhe teknologjike brenda një horizonti më të gjerë kuptimi, duke shmangur kështu hegjemoninë teknokratike”.
Kjo lëvizje - domethënë ky pretendim - vijoi Ati i Shenjtë - për të "riprodhuar qenien njerëzore me mjetet dhe logjikën e teknologjisë" - mund të vërehet edhe në historinë e lashtë biblike të Kullës së Babelit. Papa e çliron rrëfimin e lashtë nga klisheja e zakonshme dhe e nxituar, që e paraqet si “dënim shkatërrues”. Përkundrazi – shpjegon Papa - ndërhyrja e Zotit në atë rreth “bekim konstruktiv”:
“Ajo tregon përpjekjen për të korrigjuar devijimin drejt ‘një mendimi të vetëm’ përmes shumëllojshmërisë së gjuhëve. Kështu, qeniet njerëzore përballen me limite e ligështi dhe detyrohen të respektojnë të tjerët e edhe të kujdesen për njëri-tjetrin”.
Krijimtaria e "përgjegjshme".
Ekziston - vëren Françesku - tek njerëzit e sotëm hiper-teknologë, të cilët ndërtojnë "makina që flasin", "tundimi tinëzar" për ta "ndjerë veten protagonistë të një akti krijues" të ngjashëm me atë Hyjnor dhe, për këtë arsye - shpjegon Papa - "na kërkohet të dallojmë se krijimtaria që njeriu ia beson vetes, mund të ushtrohet me përgjegjësi”. Për këtë arsye sot është e nevojshme - vazhdon Bergoglio - “të zhvillohet një kulturë e cila, duke integruar burimet e shkencës dhe teknologjisë, të jetë e aftë të njohë dhe të promovojë njeriun në veçantinë e tij të papërsëritshme”.
Çlirim nga "prapambetja"
Ka dy mënyra - theksoi Papa - për të vazhduar me këtë "detyrë kulturore". E para bazohet në "shkëmbimin transdisiplinor", "laborator kulturor" i përbërë nga "shkëmbimi i ndërsjellë" që ripërpunon njohuritë dhe kapërcen "përballjen e njohurive" përmes "dëgjimit të ndërsjellë dhe reflektimit kritik". Mënyra e dytë është e dukshme - shton Françesku - në "procedurën sinodale" të Akademisë Papnore për Jetën:
“Është stil shkencor kërkues, sepse përfshin vëmendjen dhe lirinë e shpirtit, hapjen për të ecur në shtigje të pashkelura dhe të panjohura, duke u çliruar nga çdo ‘zmbrapje’ sterile”.
Në këtë linjë - përfundon Papa - "Krishterimi ka ofruar gjithmonë kontribute të rëndësishme, duke marrë nga çdo kulturë në të cilën ka hyrë, traditat më të mira, që i gjeti të shkruara" dhe "duke i riinterpretuar në dritën e marrëdhënies me Zotin, e cila zbulohet në Ungjill dhe duke përdoruar burimet konceptuale gjuhësore të pranishme në kontekste individuale”.