Kërko

Homazhet për ish-presidentin e Kilit Homazhet për ish-presidentin e Kilit

Kili, ngushëllimet e Papës për vdekjen e ish-presidentit Piñera, njeri i fesë dhe i intelektit

Telegram i Françeskut drejtuar presidentit Boric, pas vdekjes së ish-kreut të shtetit, më 6 shkurt, për shkak të një aksidenti me helikopterin që drejtonte. Papa kujton "pasionin e tij të sinqertë për jetën politike kiliane". Sot, funerali shtetëror u kryesua nga kryeipeshkvi i Santiagos, imzot Chomali

R.SH. – Vatikan

Papa shpreh ngushëllimet e tij për “vdekjen tragjike” të ish-presidentit të Kilit, Sebastián Piñera Echenique, i cili ndërroi jetë më 6 shkurt, në moshën 74-vjeçare, si pasojë e një aksidenti me helikopterin që drejtonte. Në një telegram të nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, drejtuar presidentit kilian Gabriel Boric, Françesku lutet për pushimin e amshuar të ish-kreut të shtetit, i cili shërbeu për dy mandate në krye të vendit të Amerikës së Jugut. Ati i Shenjtë e kujton si “njeri të fesë, që dëshmoi dhunti të mëdha intelekti dhe pasion të sinqertë për jetën politike kiliane”. Papa i shpreh ngushëllimet familjes dhe të gjithë atyre, që vajtojnë humbjen e ish-presidentit.

Funerali, sot në Santiago

Piñera, president i Kilit ndërmjet viteve 2010-2014 dhe 2018-2022, po fluturonte me helikopterin e tij ultra të lehtë, së bashku me tre persona të tjerë kur, ndoshta, për shkak të motit të keq, avioni u rrëzua dhe përfundoi në liqenin Ranco, në rajonin e Los Rios, në jug të vendit. Eshtrat e ish-kreut të shtetit u nderuan nga një turmë e madhe në zi, mbledhur pranë ish-Kongresit, ku qeveria kiliane organizoi homazhe për dy ditë me radhë. Varrimi u kremtua sot, më 9 shkurt, në katedralen metropolitane të Santiagos, nga kryeipeshkvi, imzot Fernando Chomali. Në ritin e varrimit morën pjesë ish-presidentët kilianë Eduardo Frei, Ricardo Lagos dhe Michelle Bachelet, si dhe disa liderë nga bota.

Kujtimi i ipeshkvijve

Ditët e fundit, edhe ipeshkvijvtë e Kilit shprehën ngushëllimet për vdekjen e ish-kreut të shtetit, duke kujtuar punën e tij për të mirën e vendit dhe të popullit. Më tej, në një notë, prelatët nënvizojnë "aftësitë e tij udhëheqëse dhe atë për t'i bashkuar njerëzit, që të rimëkëmbet shoqëria".

09 shkurt 2024, 14:20