Mesazhi i Papës për Kreshmët 2024: nëpër shkretëtirë Zoti na çon drejt lirisë!
R.SH. - Vatikan
Papa ia kushton mesazhin e tij për Kreshmën 2024 temës së shkretëtirës dhe lirisë, pas Eksodit (Daljes). “Sot jemi dëshmitarë të një lufte të tretë botërore pjesë-pjesë”, pohon Françesku, i cili denoncon “mungesën e shpresës në botë”. Është koha ta shkundim atë "mall të pashpjegueshëm për skllavërinë", që mbartim brenda vetes e t’i braktisim "lidhjet shtypëse", që na paralizojnë dhe na pengojnë të ëndërrojmë një botë më të mirë. Kështu shkruan mes tjerash Papa Françesku në Mesazhin e tij për Kreshmët 2024. Po të përshkojmë, së bashku, Mesazhin e Atit të Shenjtë Bergoglio për Kreshmët e këtij viti, që fillojnë me të Mërkurën e Përhime më 14 shkurt të ardhshëm:
Mesazhi i Papës për Kreshmët 2024
Të dashur vëllezër dhe motra!
Kur Zoti ynë duket, kumton lirinë: "Unë jam Zoti, Hyji juaj, që ju nxora nga vendi i Egjiptit, nga gjendja e skllavërisë" (Dal 20,2). Kështu hapet Dekalogu - “Dhjetë Urdhërimet e Tënzot”, që Hyji ia dorëzoi Moisiut në malin Sinai. Populli e di mirë se për çfarë eksodi flet Zoti: përvoja e skllavërisë ka lënë gjurmë mbi trupin e tij. Ndaj i merr dhjetë fjalët në shkretëtirë, si rrugë drejt lirisë. Ne i quajmë "urdhërime", duke theksuar forcën e dashurisë me të cilën Zoti e edukon popullin e vet. Është thirrje e fuqishme për liri! Nuk përfundon me një ngjarje të vetme, sepse gjatë shtegtimit fiton pjekurinë.
Si Izraeli në shkretëtirë e ka ende Egjiptin në shpirt - ndaj shpesh i vjen keq për të kaluarën dhe mërmërit kundër qiellit e kundër Moisiut - kështu edhe sot populli i Zotit ka në shpirt lidhje shtypëse, që duhet t'i braktisë. Kujtohemi për këtë, kur na mungon shpresa dhe endemi nëpër jetë si nëpër shkretëtirë, pa asnjë farë toke të premtuar, drejt së cilës duhej të përpiqeshim të arrijmë së bashku. Krezhmët janë kohë hiri, në të cilën shkretëtira - siç e shpall Ozea profet - bëhet përsëri vendi i dashurisë së parë (shih Oz 2,16-17). Zoti e edukon popullin e tij në mënyrë që të dalë nga skllavëria dhe të përjetojë kalimin nga vdekja, në jetë. Si dhëndër i ri, na tërheq rishtas dhe i pëshpërit fjalë dashurie zemrës sonë.
Dalja nga skllavëria drejt lirisë nuk është rrugë abstrakte. Që edhe Kreshmët tona të jenë konkrete, hapi i parë është të dëshirojmë ta shohim realitetin. Kur Zoti e thirri Moisiun tek kaçuba që digjej flakë dhe i foli, u duk menjëherë si Zot që sheh e, sidomos, që dëgjon: "Pashë mjerimin e popullit tim në Egjipt dhe e dëgjova britmën e tij për shkak të prijësve të vet: I di vuajtjet e tyre. Ndaj zbrita për ta çliruar nga pushteti i Egjiptit dhe për ta nisur nga ky vend, në një vend të bukur e të gjerë, në një vend ku rrjedh qumësht dhe mjaltë” (Dal. 3,7-8). Edhe sot britma e shumë vëllezërve dhe motrave të shtypura arrin në qiell. Ta pyesim veten: a arrin edhe tek ne? A na trondit? A na prek? Shumë faktorë na largojnë njërin-nga-tjetri, duke mohuar vëllazërinë që na lidhte në zanafillë.
Gjatë shtegtimit tim në Lampeduzë, Itali, për globalizimin e indiferencës bëra dy pyetje, të cilat po bëhen gjithnjë e më të rëndësishme: "Ku je?" (Zan 3.9) dhe "Ku është vëllai yt?" (Zan 4,9). Udhëtimi i Krezhmëve do të jetë konkret nëse, duke i dëgjuar sërish, pranojmë se sot jemi ende nën sundimin e Faraonit. Është sundim që na rraskapit, na mpin. Model zhvillimi, që na ndan dhe na e rrëmben të ardhmen. Toka, ajri dhe uji janë të ndotur prej tij, por edhe shpirtrat, jo më pak të ndotur. Megjithëse çlirimi ynë filloi me pagëzimin, brenda nesh mbetet ende një mall i pashpjegueshëm për skllavërinë. Është si tërheqje drejt sigurisë së gjërave, që tashmë i pamë, në dëm të lirisë.
Do të dëshiroja t'ju vë në dukje, në rrëfimin e Daljes, një hollësi jo pak të rëndësishme: është Zoti ai që sheh, që preket, që çliron, nuk është Izraeli ai që e kërkon. Faraoni shuan edhe ëndrrat, vjedh edhe qiellin, e bën të pandreqshme një botë, në të cilën dinjiteti shkelet e lidhjet e mirëfillta mohohen, duken të pandryshueshme. Domethënë, arrin të lidhesh me vetveten. Ta pyesim veten: a dua një botë të re? A jam i gatshëm të bëj kompromis me të vjetrën? Dëshmia e shumë vëllezërve ipeshkvij dhe e një numri të madh punonjësish të paqes dhe të drejtësisë më bind gjithnjë e më shumë se ajo që duhet theksuar, është mungesa e shpresës. E kjo është edhe pengesë për të ëndërruar, është klithmë e heshtur, që arrin deri në qiell dhe lëviz zemrën e Zotit. E i ngjan atij malli për skllavërinë, që paralizoi Izraelin në shkretëtirë, duke e penguar të përparojë. Dalja a ekzodi mund të ndërpritet: përndryshe nuk do të ishte e mundur të shpjegohej pse njerëzimi, që ka arritur në pragun e vëllazërisë universale dhe të niveleve të zhvillimit shkencor, teknik, kulturor dhe ligjor, të afta të garantojnë dinjitet për të gjithë, po ecën në terrinat e pabarazive dhe të konflikteve?
Zoti nuk është lodhur me ne.
Ne i mirëpresim Kreshmët si kohë të fortë, në të cilën na drejtohet përsëri Fjala e Atit: "Unë jam Zoti, Hyji juaj, që ju nxori nga vendi i Egjiptit, nga gjendja e skllavërisë" (Dal 20,2). Është kohë kthese, kohë lirie. Vetë Jezusi, siç e kujtojmë çdo vit të dielën e parë të Kreshmëve, u mbart nga Shpirti në shkretëtirë për t'u vënë në provë, në liri. Për dyzet ditë Ai do të jetë para nesh e me ne: është Biri i mishëruar. Ndryshe nga Faraoni, Zoti nuk dëshiron nënshtetas, por bij. Shkretëtira është hapësira në të cilën liria jonë mund të fitojë pjekurinë me një vendim personal për të mos rënë përsëri në skllavëri. Për Kreshmë gjejmë kritere të reja gjykimi dhe një bashkësi me të cilën mund të shkelësh në rrugë krejtësisht të pashkelura.
Kjo është luftë: libri i Daljes dhe tundimet e Jezusit në shkretëtirë na e tregojnë qartë këtë. Gënjeshtrat e armikut kundërshtojnë zërin e Hyjit, i cili thotë: "Ti je Biri im i dashur" (Mk 1,11)dhe " Zota të tjerë nuk do të kesh, përveç meje" (Dal 20,3). Më të frikshëm se faraoni janë idhujt: ne mund t'i konsiderojmë si zërin e tij brenda nesh. Të mund të bësh gjithçka, të njihesh nga të gjithë, të merresh me të mirë nga të gjithë: çdo qenie njerëzore e ndjen joshjen e kësaj gënjeshtre brenda vetes. Është rrugë e vjetër. Kështu, ne mund të lidhemi ngushtë me paratë, me disa projekte, ide, qëllime, me pozitën tonë, me një traditë, madje edhe me disa njerëz. Në vend që të na bëjnë të lëvizim, do të na paralizojnë. Në vend që të na bashkojnë, do të na bëjnë të kacafytemi me njëri-tjetrin. Megjithatë, ekziston një njerëzim i ri: populli i të vegjëlve dhe i të përvuajturve, që nuk i nënshtrohet joshjes së gënjeshtrës. Ndërsa idhujt i bëjnë ata që u shërbejnë, memecë, të verbër, të shurdhër, të palëvizshëm(shih Ps 114,4), të varfërit në shpirt janë menjëherë zemërhapur dhe të gatshëm: forcë e heshtur e së mirës, që kujdeset për botën dhe e mban mbi supe.
Është koha për të vepruar, e gjatë Kreshmëve të veprosh, do të thotë edhe të ndalesh! Të ndalesh në lutje, për të mirëpritur Fjalën e Zotit, e të ndalesh, si Samaritani, në prani të vëllait tënd të plagosur. Dashuria për Zotin dhe për të afërmin është dashuri e vetme. Të mos kesh zota të tjerë, do të thotë të ndalesh në praninë e Hyjit, pranë korpit të të afërmit. Për këtë arsye lutja, lëmosha dhe agjërimi nuk janë tre ushtrime të pavarura, por një lëvizje e vetme hapjeje, zbrazjeje: përjashta çka na rëndon: larg, lidhjet, që na burgosin. Atëherë zemra e atrofizuar dhe e izoluar do të zgjohet. Të ngadalësojmë, pra, e të ndalohemi. Përmasa soditëse e jetës, të cilën Kreshmët do të na lejojnë ta rigjejmë, do të mobilizojë energji të reja. Në praninë e Zotit ne bëhemi motra dhe vëllezër, i ndjejmë të tjerët me një intensitet të ri: në vend të kërcënimeve dhe armiqve, gjejmë shoqe e shokë udhe! Kjo është ëndrra e Zotit, toka e premtuar drejt së cilës priremi, kur dalim nga skllavëria.
Forma sinodale e Kishës, të cilën po e rizbulojmë dhe po e kultivojmë vitet e fundit, na kujton se Kreshmët janë edhe kohë e volitshme për vendime komunitare, për zgjedhje të vogla e të mëdha, që i bien ndesh kohës, të afta për ta ndryshuar jetën e përditshme të njerëzve dhe jetën e një lagjeje të tërë: zakonet në blerje, kujdesi për krijimin, përfshirja e atyre që nuk janë përfillur, po përbuzur. Ftoj çdo bashkësi të krishterë ta bëjë këtë: t'u ofrojë besimtarëve çaste, në të cilat të rimendojnë stilet e veta të jetesës; të gjejë kohë për të vërtetuar praninë e vet në territor dhe ndihmesën për ta përmirësuar atë. Mjerë ne, sikur pendesa e krishterë të ishte si ajo, që e trishtoi aq shumë Jezusin. Ai na kujton edhe: “Mos u trishtoni si hipokritët, të cilët mundohen të duken të trishtuar, për t'u treguar të tjerëve se po agjërojnë”(Mt 6,16). Përkundrazi, të shohim gëzim në fytyra, të nuhasim aromën e lirisë, të shprehim atë dashuri, që i bën të gjitha gjërat të reja, duke filluar nga më e vogla dhe më e afërta. Kjo mund të ndodhë në çdo bashkësi të krishterë!
Në atë masë që këto Kreshmë do të jenë një kthim në fe, njerëzimi i humbur do të ndjejë një pëshpëritje krijimtarie: lindjen e një shprese të re. Do të doja t'ju them, si të rinjve që takova në Lisbonë, verën e kaluar: “Kërkoni dhe rrezikoni, kërkoni dhe rrezikoni. Në këtë çast historik sfidat janë të mëdha, rënkimet, të dhimbshme. Po shohim një luftë të tretë botërore pjesë-pjesë. Ta përqafojmë rrezikun e mendimit se nuk jemi në agoni, por në lindje; nuk jemi as në fund, por në fillim të një shfaqjeje të madhe. Duhet guxim për ta menduar këtë”(Fjalim drejtuar studentëve të universitetit, 3 gusht 2023). Është guximi i kthesës, i largimit nga skllavëria. Feja dhe Dashuria Bamirëse e kanë përdore vajzën e vogël, që quhet Shpresë. E mësojnë të ecë e, në të njëjtën kohë, ajo i tërheq përpara.1
Ju bekoj të gjithë dhe shtegtimin tuaj të Kreshmëve.
Romë, Shën Gjoni në Lateran, 3 dhjetor 2023, e Diela I e Kohës së Ardhjes