Il Servizio di emergenza statale ispeziona un'area alla ricerca di mine e granate inesplose nella regione di Kharkiv (Ucraina) Il Servizio di emergenza statale ispeziona un'area alla ricerca di mine e granate inesplose nella regione di Kharkiv (Ucraina)

Mina kundërnjeriut, Papa: armë djallëzore, që na kujtojnë dramën e luftës

Papa Françesku kujtoi 25-vjetorin e Konventës për ndalimin e minave kundër njeriut - të cilat vazhdojnë të vrasin "civilët e pafaj" dhe veçanërisht "fëmijët", edhe pas shumë vitesh - e i falënderoi ata që angazhohen për t’i ndihmuar viktimat dhe për të pastruar zonat e ndotura. Më pas, një mendim për Tokën Shenjte, Ukrainën dhe Burkina Fason, skenë e sulmeve brutale, si dhe për Haitin, që vijon të vuajë nga rrëmbimet dhe krimet

R.SH. / Vatikan

Uria, dhuna, masakrat, shpërnguljet, shkeljet e të drejtave e, si të mos mjaftonin, edhe minat kundër njeriut, që vrasin civilët e pafajshëm edhe pasi kanë kaluar shumë vite. Kundër këtyre “armëve të pabesa” që “na kujtojnë pasojat dramatike të luftërave dhe haraçin që duhet të paguajë popullsia civile”, Papa Françesku bëri thirrje në përfundim të audiencës së përgjithshme, në Sallën Pali VI. Ende i ftohur nga gripi i ditëve të fundit, Françesku, pas leximit të katekizmit nga bashkëpunëtori i tij, Imzot Filippo Ciampanelli, mori fjalën për t’i dënuar këto mjete vdekjeje.

Përvjetori i Konventës së Ottawa-s,

Rasti ishte 25-vjetori i hyrjes në fuqi të Konventës për Ndalimin e Minave Kundër-Njeriut, e ashtuquajtura Konventa e Ottawa-s, që përfundoi më 1997 dhe hyri në fuqi më 1999, e ratifikuar nga 164 shtete, duke përfshirë 34 nga 50 vendet prodhuese para '97-tës. Françesku i dënoi këto bomba të cilat - nënvizoi - "vazhdojnë t’i dëmtojnë rëndë civilët e pafajshëm, veçanërisht fëmijët, edhe shumë vite pas përfundimit të armiqësive". Një raport i paraqitur vitin e kaluar në Gjenevë nga "Fushata Ndërkombëtare për Ndalimin e Minave Anti-Njeri" (ICBL), kujtoi numrin e tyre në rritje edhe për shkak të shtimit të viktimave në Ukrainë, 608 (58 në 2022), e dyta pas Sirisë (me 834 ) dhe pas Jemenit e Mianmarit:

“U shpreh afërsinë time viktimave të shumta të këtyre mjeteve djallëzore, të cilat na kujtojnë pasojat dramatike të luftërave dhe çmimin që detyrohet të paguajë popullsia civile”.

Falënderim atyre që janë pranë viktimave dhe pastrojnë zonat e ndotura

Përballë këtij skenari dramatik, Françesku i falënderoi dhe i inkurajoi "të gjithë ata që ndihmojnë viktimat dhe pastrojnë zonat e  ndotura". “Puna e tyre - theksoi - është përgjigje konkrete ndaj thirrjes universale për të qenë paqebërës, duke u kujdesur për vëllezërit tanë”.

Lutje për Tokën Shenjte, Ukrainën, Burkina Fason dhe Haitin

 Papa, përpara bekimit përfundimtar, i nxiti të pranishmit në Sallën Pali VI    dhe të gjithë ata që ndjekin takimin e së mërkurës, të mos i harrojnë popujt e vuajtur për shkak të luftës: "Ukrainën, Palestinën, Izraelin dhe shumë e shumë të tjerë".

Më pas, një mendim dhe një lutje “për viktimat e sulmeve të fundit në vendet e kultit të Burkina Faso”, që jetoi një të diel të përgjakshme me sulmin e dyfishtë terrorist, fillimisht në një kishë katolike në Essakane, me pasojë rreth 15 viktima, më pas, në një xhami në Natiaboani, me rreth dhjetë të vdekur.  Nuk mungoi as shprehja e afërsisë "për popullatën e Haitit, ku krimet dhe rrëmbimet nga bandat e armatosura vazhdojnë". Më pak se një javë më parë, 6 Vëllezër të Zemrës së Krishtit u rrëmbyen nga grupe të armatosura ndërsa po shkonin në shkollë e një prift tjetër u kap, pas kremtimit të meshës në kryeqytetin Port-au-Prince.

28 shkurt 2024, 12:44