Nga 18 shkurti, me Papën: “Ushtrimet shpirtërore, kështu zbulojmë sa na do Zoti”
R.SH. – Vatikan
Nga e diela pasdite (18 shkurt) deri të premten e ardhshme (23 shkurt) janë pezulluar të gjitha impenjimet publike të Papës Françesku. Përfshirë audiencën e përgjithshme të së mërkurës.
Kjo është tashmë praktikë e konsoliduar, filluar më 1964, në kohën e Papës Pali VI, i cili caktoi një periudhë ushtrimesh shpirtërore për anëtarët e Kuries Romake, javën e parë të Krezhmëve. Përurimi i kësaj tradite ushtrimesh në stilin e Shën Injacit të Lojolës, u bë nga Papa Piu XI, i cili e caktoi javën jo gjatë Krezhmëve - siç ndodh sot - por në Kohën e Ardhjes me enciklikën “Mens Nostra”, botuar më 20 dhjetor 1929.
Për të katërtin vit radhazi, Papa Françesku nuk shkoi në Shtëpinë e Mësuesit Hyjnor në Ariccia, në periferi të Romës. Ushtrimet e fundit shpirtërore, që u mbajtën aty, në praninë e Atit të Shenjtë, ishin ato të predikuara nga jezuiti dhe studiuesi biblik Pietro Bovati, në vitin 2020. Kësaj, radhe, ashtu si gjatë viteve të kaluara, Ati i Shenjtë u kërkoi anëtarëve të Kuries t’i përjetojnë ushtrimet shpirtërore “në mënyrë personale, duke pezulluar punën dhe duke u mbledhur në lutje”.
Jezuiti Ferraroni: "Mundësi për shqyrtimin e shpirtit"
Sipas jezuitit Tiziano Ferraroni, ekspert i përshpirtërisë injaciane, ushtrimet shpirtërore ndihmojnë në rishikimin e jetës, duke filluar “një bisedë të vërtetë me Zotin”. “Shën Injaci i Lojolës, në hyrje të broshurës së Ushtrimeve Shpirtërore, pohon se ky term nënkupton ‘çdo formë të shqyrtimit të ndërgjegjes, të meditimit, të kundrimit, të lutjes me zë e me mend dhe çdo veprimtari tjetër shpirtërore’. Kjo do të thotë se ka mënyra të ndryshme për t’i jetuar ushtrimet shpirtërore e asnjëra nuk është më e mirë se të tjerat. Më duket se ftesa që Papa Françesku i drejton çdo anëtari të Kuries romake, përveç kohës për t’i rigjallëruar marrëdhëniet me Zotin, është ta pyesin veten për mënyrën e lutjes, që i ndihmon më shumë të hyjnë në harmoni me Të”, vijon jezuiti.
“Prandaj, secili i përjeton ushtrimet në mënyrën "më të mirë" për të, në masën me të cilën do të hyjë në këtë periudhë me ndershmëri dhe me dëshirë të vërtetë për t'u përfshirë në to. Siç thotë Shën Injaci: ‘është shumë e dobishme nëse ata, që i bëjnë ushtrimet, i ndërmarrin me guxim dhe bujari’”.
Ushtrime shpirtërore pa predikatar
Rregulltari, i lindur më 1978, prej disa vitesh, jep mësim teologjie shpirtërore në Fakultetin Teologjik Papnor të Italisë Jugore, në Napoli. E, siç sugjeron Papa Françesku, sheh në këtë periudhë të veçantë shkëputjeje nga të gjitha gjërat e kësaj bote, mundësinë për të vënë në qendër Fjalën e Zotit, sipas Ushtrimeve Shpirtërore Injaciane. Ashtu siç nënvizon vetë At Tiziano në një nga librat e tij (La Fortezza espugnata. Attraversare la crisi con Ignazio di Loyola): “Kushdo që tërhiqet në heshtje, duke u vënë në dispozicion të veprimit të Fjalës së Zotit, përjeton efektet e saj, siç thotë letra drejtuar Hebrenjve: ‘Fjala e Hyjit është e gjallë, e efektshme dhe më e mprehtë se çdo shpatë me dy tehe; depërton deri në pikën e ndarjes ndërmjet psikikës dhe shpirtit”.
Në fakt, kur Fjala hyn në rezonancë me identitetin tonë të thellë si bij të Zotit, ndiejmë ngushëllim të madh; ndërsa, kur Fjala nxjerr në pah çështje të pazgjidhura në jetën tonë, përjetojmë dëshpërimin; por ky dëshpërim është vetëm kalimtar, sepse na përgatit për një ngushëllim më të madh, i cili vjen kur Fjala të ketë arritur fitoren e saj dhe ne të përjetojmë shërimin, çlirimin, shpëtimin”.
Ushtrimet janë për secilin punë shpirtërore, ndonjëherë luftë, por prej tyre dalim më të lirë, më të vërtetë e më të gjallë në Krishtin. Javë e jetës së tërhequr, gjatë së cilës Papa sugjeron të kërkohen fryte shpirtërore në heshtje, pa u dukur e pa u ndihmuar nga ndonjë udhërrëfyes shpirtëror. “Ushtrimet injaciane në vetvete e parashikojnë praninë e “atij, që i predikon” Ushtrimet”.
Ftesa e Papës Piu XI
Duke iu rikthyer ftesës për t'iu ekspozuar «veprës së brendshme të shpirtit», që Papa Ratti, Piu XI, i drejtoi çdo besimtari në enciklikën “Mens Nostra”, At Ferraroni nënvizon: “Ftesa për t’i konsideruar Ushtrimet si ‘vend’ për të ushqyer njeriun e brendshëm është veçanërisht e rëndësishme, pasi u shqiptua në një kohë kur Ushtrimet shpesh kuptoheshin si dëgjim pasiv i një predikatari, i cili me fjalët e tij, pavarësisht se të thella e të shprehura mirë, mbushte gjithë ditën, duke mos lënë vend për asimilimin personal të Fjalës së Hyjit dhe për dëgjimin me vetëdije të zërit të brendshëm. Pas gati një shekulli, ajo ftesë e Papës Piu XI po realizohet”.