Papa, arsimi katolik të promovojë vëllazërinë dhe paqen botërore
R.SH. / Vatikan
"Edukimi katolik na angazhon, ndër të tjera, të ndërtojmë një botë më të mirë, të mësojmë bashkëjetesën e ndërsjellët, solidaritetin vëllazëror dhe paqen. Ne nuk mund të rrimë të mbyllur brenda mureve apo kufijve të institucioneve tona, por duhet të përpiqemi të dalim drejt periferive, për të takuar dhe shërbyer Krishtin në të afërmin tonë. Kështu tha mes tjerash Papa në audiencën e sotme mbajtur në Vatikan me Presidentin dhe anëtarët e Bordit Administrimit të Universitetit të Notre Dame" (Indiana - SHBA).
Papa inkurajoi përdorimin, në edukimin e të rinjve, të “tri gjuhëve: të kokës, të zemrës dhe të duarve. Ky është sekreti i edukimit: të mendosh atë që ndjen dhe bën, të ndjesh atë që mendon dhe bën, të bësh atë që ndjen dhe mendon. Ky është thelbi që karakterizon formimin e të rinjve, mos të harrojmë". Dhe, lidhur me këtë, Ati i Shenjtë Françesku deshi të reflektonte mbi "këto tri gjuhë: ato të kokës, të zemrës dhe të duarve. Së bashku, ato formojnë një horizont brenda të cilit komunitetet akademike katolike mund të përpiqen të formojnë personalitete solide dhe të integruara mirë, vizioni i jetës së të cilëve është i frymëzuar dhe ushqehet nga mësimet e Krishtit".
Së pari: koka - tha Papa -. Nga vetë natyra e tyre, Universitetet katolike janë të përkushtuara për të ndjekur zhvillimin e njohurive përmes studimit dhe kërkimit akademik. Në botën e globalizuar, kjo kërkon nevojën e një qasje bashkëpunuese dhe ndërdisiplinore, e cila bashkon fushat e ndryshme të studimit dhe hulumtimit. Përpjekjet arsimore të ndërmarra nga institucionet katolike, në fakt, bazohen mbi besimin e harmonisë së brendshme ndërmjet fesë dhe arsyes, nga ku lind rëndësia e mesazhit të krishterë për të gjithë fushat e jetës, personale dhe sociale". Nga kjo rezulton se "si pedagogët, po kështu edhe studentët janë të thirrur të vlerësojnë gjithnjë e më shumë, përveç vlerës së të mësuarit në përgjithësi, pasurinë e traditës intelektuale katolike në të veçanti. Ka një traditë intelektuale, kjo nuk do thuaj mbyllje, jo, po hapet! Ekziston një traditë intelektuale që ne duhet ta ruajmë dhe ta rrisim gjithmonë”.
Sipas Papës Françeskut, "detyra e një universiteti katolik, megjithatë, nuk është vetëm për të zhvilluar mendjen, kokën: duhet zgjerojnë edhe zemrën. Nëse mendojmë dhe nuk ndjejmë, ne nuk jemi njerëz. Prandaj i gjithë komuniteti universitar është i thirrur t’i shoqërojnë personat, veçanërisht të rinjtë, me urtësi dhe respekt, në rrugët e jetës dhe t'i ndihmojë ata të formohet dhe të kultivojnë një hapje ndaj gjithçkaje që është e vërtetë, e mirë dhe e bukur". Nga këtu ftesa e Papës për të "krijuar marrëdhënie të mirëfillta ndërmjet edukatorëve dhe studentëve”, për të “ndihmuar të rinjtë të ëndërrojnë”, për të “promovuar dialogun dhe kulturën e takimit, në mënyrë që të gjithë të munden të mësojnë të njohin, vlerësojnë dhe duan çdonjërin si vëlla e motër dhe, mbi të gjitha, si një bijë të dashur të Zotit".
Së fundi: duart”, shtoi Papa. Dhe lidhur me këtë, “unë inkurajoj përpjekjet e vazhdueshme që bën Universiteti për të nxitur solidaritetin tek studentët e vet impenjimin solidar për nevojat e komuniteteve më të pafavorizuara”.