Papa, artistëve: kemi nevojë për ju që të ëndërrojmë një botë ndryshe, të bukur
R.SH. – Vatikan
“Diaconie de la beauté”, pra, “Diakonia e bukurisë”: ky është emri i shoqatës, themeluar në Francë në vitin 2012, të cilën Papa Françesku e priti sot në audiencë në Vatikan, me rastin e Simpoziumit, që kremton në Romë 10-vjetorin e "Festivaleve", promovuar çdo vit pikërisht prej saj. Ati i Shenjtë nënvizoi tiparet dhe rëndësinë e shoqatës, duke u kërkuar anëtarëve "të jenë këngëtarë të harmonisë" në mes të një njerëzimi që, i tronditur nga dhuna, duhet të ëndërrojë sërish një botë ndryshe, vërtet të bukur.
Përmasa shpirtërore e shërbimit
Përmasa e parë e shërbimit, që ofron shoqata është ajo shpirtërore, theksoi Papa, përmasë që të çon në meditim, i cili na nxit ta jetojmë jetën “të orientuar drejt plotësisë”.
“Thirrja juaj është t’i ndihmoni artistët të krijojnë një urë ndërmjet qiellit dhe tokës. Ju dëshironi të zgjoni tek ata kërkimin e së vërtetës, qofshin muzikantë, poetë apo këngëtarë, piktorë, arkitektë apo regjisorë, skulptorë, aktorë apo valltarë, ose diçka tjetër. Sepse bukuria na fton për një mënyrë tjetër të jetuari në botë”.
Dialogu ndërmjet Kishës dhe artistëve
Përmasën e dytë e quajmë "me një francezizëm - vazhdoi Françesku - evenementale", pra, që jeton e duket përmes veprimtarive dhe ngjarjeve, me të cilat “Diaconie de la beauté” ndihmon në rinovimin e dialogut të Kishës me artistët, nëpërmjet takimeve, shfaqjeve, koncerteve dhe përfaqësimeve.
“Është kjo një mënyrë që ta bëni të dukshme afërsinë e Kishës me artistët, duke hyrë në dialog me kulturën e jetën e tyre, qofshin ata besimtarë apo jo”.
Mbështetje dhe dinjitet
Përmasa e tretë e shërbimit të shoqatës është shumë konkrete. Papa Françesku e përkufizoi si “rezidenciale”. Është fjala për realizimin e shtëpive, ku mund të priten artistët e t’u vlerësohet dinjiteti, pasi jeta e tyre, shpesh, karakterizohet nga vetmia, depresioni dhe vuajtja e brendshme.
“Sfida juaj është të nxirrni në pah bukurinë, që fshihet tek ai ose ajo artiste, në mënyrë që ai ose ajo të bëhet apostull i kësaj bukurie, që bën të lindë jeta, shpresa, dhe etja për lumturi”.
Këngëtarë të harmonisë në një botë të përçarë
Pastaj, Papa, duke pasur parasysh njerëzimin e sotëm në ankth, për shkak të luftërave, dhunës e përçarjes, u bëri thirrje anëtarëve të shoqatës "të jenë këngëtarë të harmonisë ndërmjet popujve, kulturave dhe feve".
“Njerëzimi është tronditur nga dhuna e të gjitha llojeve, nga luftërat, nga krizat shoqërore. Në këtë kuadër, kemi nevojë për burra dhe gra të afta për të na bërë të ëndërrojmë një botë ndryshe, të bukur. Bëjini njerëzit të ëndërrojnë, në mënyrë që ata të aspirojnë një jetë në plotësi!”
Bukuria e natyrës dhe kujdesi për shtëpinë e përbashkët
Së fundi, Papa kujtoi se sot është e nevojshme të rikrijohet harmonia ndërmjet njeriut dhe ambientit, duke i ndryshuar sjelljet, duke u vetëdijësuar më shumë se gjithçka është e ndërlidhur. Duke cituar enciklikën “Fratelli tutti”, Ati i Shenjtë theksoi:
“Arti është mjet shumë i fuqishëm për të përcjellë mesazhin e bukurisë së natyrës. Në fakt, ‘të kujdesemi për botën, që na rrethon dhe na mbështet, do të thotë të kujdesemi për veten. Por duhet ta konsiderojmë veten si bashkësi, si një "ne", që banon në shtëpinë e përbashkët’”.
“Kultura e bukurisë – përfundoi Papa – na vë gjithnjë në lëvizje” dhe na lejon të fillojmë sërish, nga e para, “rrugën drejt shoqërive më njerëzore dhe më vëllazërore”.