Papa Françesku Papa Françesku

Papa Françesku anulon audiencat e paradites, për shkak të gripit të lehtë

Ati i Shenjtë nuk mori pjesë në audiencat e paradites së sotme, e hënë, 26 shkurt, pasi gripi i lehtë, nga i cili vuan së paku që nga e shtuna, vijon. Edhe javën e kaluar, pas ushtrimeve shpirtërore me Kurien Romake, që përfunduan të premten, Papa anuloi të gjitha takimet e së shtunës, por kremtoi lutjen e Engjëllit të Tënzot të së dielës, me besimtarët e mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku anuloi veprimtaritë e tij të së hënës, për shkak se ende vuan nga gripi i lehtë. Njoftimin e jep Salla e Shtypit e Vatikanit.

“Simptomat e lehta të gjendjes gripale vazhdojnë, pa temperaturë”, shkruhet në deklaratë, ku shtohet se audiencat e paradites u anuluan thjesht, si masë paraprake. Papa 87-vjeçar, i cili nuk i mbajti edhe takimet e parashikuara për të shtunën, gjithnjë për të njëjtën arsye, ka pasur disa probleme shëndetësore muajt e fundit. Për shembull, u detyrua të anulojë udhëtimin e planifikuar për Dubai, në dhjetor, në Takimin botëror për klimën COP28, për shkak të një infeksioni në mushkëri.

Ndërkaq, dje, kremtoi rregullisht Engjëllin e Tënzot të së dielës, me besimtarët e mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit. Gjatë tij, bëri sërish thirrje për zgjidhjen diplomatike të luftës në Ukrainë, që do të çonte në një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme.

26 shkurt 2024, 09:55