Papa i telefonon Patriarkatit të Jerusalemit: “Inkurajoni famullinë e Gazës”
R.SH. – Vatikan
Papa Françesku i telefonoi dje Patriarkatit Latin të Jeruzalemit, duke i kërkuar të mbajë lidhje të përditshme me famullinë e Gazës, "për të kontrolluar si janë e për t'i inkurajuar" besimtarët e saj. Njoftimin e jep administratori i Patriarkatit, Sami El-Yousef. Më pas, Ati i Shenjtë i telefonoi edhe zv.famullitarit të Familjes Shenjte, Át Yousef.
“Unë dhe Át Gabrieli - pohon përfaqësuesi i Patriarkatit, duke iu referuar Át Gabriel Romanelli-t, famullitarit të Gazës, i cili nuk mund të kthehet më në famulli - u dëshpëruam kur dëgjuam për situatën e furnizimit me ushqim, me karburant e me ujë, për të mos folur për kushtet e vështira të dimrit, pa ngrohje, si edhe për gjendjen shëndetësore, pa ilaçe e trajtim mjekësor”. “Pas katër muajsh – vijon Sami El-Yousef – besimtarët janë tejet të rraskapitur, por, mrekullisht, gjejnë akoma forcën për të ecur përpara, falë fesë. Zoti i ruajtë! Ne sigurojmë lutjet tona për armëpushimin e menjëhershëm”.
Kujtojmë se edhe Papa Françesku lutet vazhdimisht për Tokën Shenjte, duke e përmendur pothuajse në të gjitha takimet e tij publike. Ati i Shenjtë i telefon gati përditë famullitarit të Gazës, Át Gabriel Romanelli e sidomos, zv.famullitarit Át Yousef Assad, i cili ndodhet aktualisht në Gazë e mund të japë informacione të dorës së parë mbi gjendjen.