Kërko

  Papa Françesku priti drejtuesit dhe stafin e Inspektoratit të Sigurisë Publike “Vatikan”. Papa Françesku priti drejtuesit dhe stafin e Inspektoratit të Sigurisë Publike “Vatikan”.  (VATICAN MEDIA Divisione Foto)

Françesku, Inspektoratit Policor: ku ka uniformë, ka edhe besim

Françesku priti Zyrën e Policisë së Shtetit Italian që, gjatë vizitave baritore, merret me rendin publik në Sheshin e Shën Pjetrit në Romë dhe në Itali: e nevojshme “të jetë ndokush që, përballë së keqes, nuk rri duke bërë sehir, por merr përgjegjësinë të ndërhyjë, për të mbrojtur viktimat dhe për t’i dënuar shkelësit. Njerëzit e dinë se "ku ka uniformë, ka edhe besim”

R. SH. - Vatikan

Ishte një fjalë e përsëritur disa herë - faleminderit - në krye  të fjalimit të Papës Françesku drejtuar krerëve dhe personelit të Inspektoratit të Sigurisë Publike të Vatikanit: "Së pari, faleminderit për punën besnike e durimtare me të cilën ju i mbroni të gjithë ata, që vijnë në Vatikan”. Papa e shprehu kështu mirënjohjen për “angazhimin delikat, i cili meriton edhe më shumë vlerësim, pasi kryhet ditë e natë, gjatë gjithë vitit". Një punë - vijoi Papa - që kërkon edhe “guxim, takt, nerva të forta, vëmendje dhe mirëkuptim për nevojat dhe çështjet kritike të atyre që kërkojnë ndihmën tuaj e edhe të atyre, që e bëjnë të nevojshme ndërhyrjen me sjellje problematike të llojeve të ndryshme”.

Detyrë e rëndë për shërbyesit e mirë të bashkësisë njerëzore

Françesku kujtoi, më pas, se Shën Gjoni XXIII e quajti detyrën e Forcave të Rendit "të rëndë, që kërkon cilësi të veçanta morale e sidomos, përkushtim e vetëmohim për arritjen e së mirës së përbashkët". Detyrë - pati shpjeguar Papa Roncalli - që iu besua "shërbëtorëve të mirë të bashkësisë njerëzore dhe krijuesve të paqes në shoqëri":

“Janë fjalë plot kuptim që shprehin mirë si detyrat - ndonjëherë shumë kërkuese - që  duhet t’i kryeni - ashtu dhe idealet, që ju frymëzojnë. E pra kështu është puna. E mira e përbashkët dhe paqja në shoqëri nuk mund të improvizohen dhe jo gjithmonë lulëzojnë vetvetiu. Dritat dhe hijet e natyrës sonë njerëzore, të kufizuara dhe të plagosura nga mëkati, nënkuptojnë nevojën për të pasur nga ata që përballë së keqes nuk  rrinë duke shikuar duarkryq, por marrin përgjegjësinë për të ndërhyrë, për të mbrojtur viktimat e për t’i ndaluar shkelësit, duke pasur gjithmonë në zemër të mirën e të gjithëve”.

"Makinat blu" janë shpesh pikë mbështetjeje

Papa Françesku, duke kujtuar këtë angazhim delikat, të kryer çdo ditë, nënvizoi se forcat e policisë janë pikëmbështetjeje dhe bashkëbisedues, të cilit mund t'i besohet:

“Mbase pikërisht për këtë angazhim tuajin personal, ‘makinat blu’ bëhen shpesh pikë referimi për shumë nevoja të tjera më pak institucionale, por jo më pak të rëndësishme në nivel njerëzor, për të cilat kujdeseni edhe ju: nga kërkesa për informacion, për ngjarje të vogla të papritura, tek ata që ju drejtohen për të shprehur shqetësimin, ose mbasi, duke u ndjerë të lënë pas dore, kërkojnë pak mirëkuptim dhe empati. Po, sepse njerëzit e dinë se ‘ku ka uniformë, ka edhe besim. E kjo ka shumë rëndësi’”.

Inspektorati i Sigurisë Publike “Vatikani”

Inspektorati i Sigurisë Publike “Vatikani” është unik në nivel global: Zyrë Policore e Shtetit Italian, i ushtron funksionet e tij në një territor tjetër, atë të Vatikanit. Me Paktet Lateranense, të përcaktuara në vitin 1929 ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Italisë, parashikohej që "Sheshi i Shën Pjetrit", megjithëse pjesë e qytetit të Vatikanit, të ishte i hapur për publikun dhe t’u nënshtrohej kompetencave policore të autoriteteve italiane. Për zbatimin e marrëveshjes, me një dekret të marsit 1945, Ministri i Brendshëm i atëhershëm krijoi Zyrën e Policisë Speciale “Shën Pjetri” me detyrë të veçantë garantimin e sigurisë së Sheshit të Shën Pjetrit dhe të Papëve gjatë të gjitha lëvizjeve të tyre në territorin italian. Më pas, në qershor 1954, Zyra mori emrin Inspektorati i Përgjithshëm i Policisë në Vatikan, emër me të cilin u njoh deri në mars 2001. Që atëherë emri i ri, i sotëm, është  Inspektorati i Sigurisë Publike “Vatikan”.

10 shkurt 2024, 12:30