Kërko

 Papa gjatë një sesioni të Sinodit të Tetorit 2023 (Media e Vatikanit) Papa gjatë një sesioni të Sinodit të Tetorit 2023 (Media e Vatikanit)   (VATICAN MEDIA Divisione Foto)

Françesku krijon grupe studimore mbi temat e dala nga Sinodi

Grupet do të koordinohen nga Sekretaria e përgjithshme, që përfshin dikasteret kompetente. Sesioni i dytë do të mbahet nga 2 deri më 27 tetor dhe do të paraprihet nga dy ditë ushtrimesh shpirtërore (30 shtator - 1 tetor)

R. SH. - Vatikan

Sekretaria e Përgjithshme e Sinodit njofton se Papa Françesku ka përcaktuar datat për seancën e dytë të asamblesë XVI të përgjithshme të zakonshme, e cila do të zhvillohet nga e mërkura, 2 tetor - deri të dielën, 27 tetor 2024, për të vazhduar punën e Sinodit mbi sinodalitetin sipas temës "Për një kishë sinodale: bashkim, pjesëmarrje e mision". Ky sesion i dytë, siç ndodhi në tetor 2023, do të paraprihet nga dy ditë ushtrimesh shpirtërore, nga 30 shtatori deri më 1 tetor (me arritjen e pjesëmarrësve më 29 shtator).

Në të njëjtën kohë me deklaratën, botohet edhe një kirograf i Papës, që kërkon ngritjen e grupeve studimore për t'u thelluar në disa nga temat që dolën në sesionin e kaluar. Do të krijohen ndërmjet dikastereve kompetente të Kuries Romake dhe Sekretarisë së Përgjithshme të Sinodit, që do t'i koordinojë. Në kirografin kushtuar bashkëpunimit ndërmjet departamenteve kuriale dhe Sekretarisë së Sinodit, Françesku citon kushtetutën konciliare Lumen Gentium duke kujtuar kështu se Kisha i përket «Krishtit, në njëfarë mënyre sakramentit, domethënë shenjës dhe bashkimit intim me Zotin dhe me unitetin e të gjithë racës njerëzore" dhe se "duket me qartësi dhe besueshmëri më të madhe para botës në kultura të ndryshme si mister i bashkimit misionar, një Korp i vetëm, pjesëmarrës në Shpirtin e Tij, që e përtërin dhe e drejton në shpalljen e Ungjillit për të gjithë njerëzit". Në këtë dritë, në kushtetutën mbi Kurien Romake Praedicate evangelium lexojmë se "jeta e bashkimit i jep Kishës fytyrën e sinodalitetit".

“Në veçanti - shkruan Papa - dëgjimi reciprok dhe dinamika e reciprocitetit për vënien në shërbim të misionit të popullit të Zotit, e kualifikojnë veprimtarinë ndihmëse të Kuries Romake në shërbim të Ipeshkvit të Romës, të ipeshkvijve dhe të kolegjit ipeshkvnor. Kompetencat baritore që kryen i shërbejnë kolegjialitetit ipeshkvnor e bashkimit kishtar në lidhje dhe nën drejtimin e Ipeshkvit të Romës”. Pikërisht në këtë kuadër vendoset detyra e Sekretarisë së Përgjithshme të Sinodit, e cila varet drejtpërdrejt nga Papa dhe “mbështet e shoqëron herë pas here procesin sinodal”, duke i frymëzuar me frymë sinodale marrëdhëniet ndërmjet ipeshkvijve dhe Kishave të  veçanta, në bashkësi me Ipeshkvin e Romës.

Kirografi përfundon duke parashikuar se “dikasteret e Kuries Romake, sipas kompetencave të tyre specifike përkatëse, do të bashkëpunojnë me veprimtarinë e Sekretarisë së Përgjithshme të Sinodit, duke krijuar grupe studimi që fillojnë, me një metodë sinodale, analizën e thelluar të disa prej temave të dala në seancën e parë të Sinodit të Ipeshkvijve. “Këto grupe studimore duhet të krijohen me marrëveshje të ndërsjelltë ndërmjet dikastereve kompetente të Kuries Romake dhe Sekretarisë së Përgjithshme të Sinodit, së cilës i besohet koordinimi”. Në dokumentin “Drejt tetorit 2024” të Sekretarisë së Përgjithshme të Sinodit, botuar më 11 dhjetor 2023, nënvizohet se asambleja e ardhshme do të përqendrohet mbi temën e pjesëmarrjes, në lidhje me ushtrimin e autoritetit si shprehje e bashkimit në shërbim të misionit. E kjo do të thotë se do të kërkohen rrugët për ta jetuar sinodalitetin në të gjitha nivelet në Kishë. Tani vendimi i Papës e bën të qartë se disa nga temat më domethënëse që dolën nga dëgjimi i kishave, kërkojnë një kohë të konsiderueshme për studim teologjik, kanonik dhe baritor, sipas një modaliteti sinodal që përfshin ekspertë nga të gjitha kontinentet dhe dikasteret e Kuries romake, sipas kompetencave të tyre. Tani për tani po përcaktohet se cilat grupe studimi do të ngrihen dhe për cilat tema. Raporti përmbledhës, i votuar në fund të seancës së tetorit të kaluar, kujtoi disa prej tyre, si përditësimi i disa normave kanunore, formimi i të shuguruarve, marrëdhëniet ndërmjet ipeshkvijve dhe urdhrave fetare, kërkimi teologjik dhe baritor mbi diakonatin. Kontributet e grupeve të studimit, siç mund të shihet nga dokumenti i Sekretarisë së Përgjithshme, botuar në dhjetor dhe nga kirografi i sotëm papnor, do të jenë mjete të dobishme për reflektimin e gjithë Kishës, por nuk do të përbëjnë drejtpërdrejt çështje për diskutim dhe dallim në sesionin i radhës të Sinodit, i cili do të përqendrohet - siç dihet tashmë - tek sinodaliteti si i tillë, pra, si shprehje e bashkimit në jetën kishtare. Së fundi, është interesant të theksohet roli që i është besuar Sekretarisë së Përgjithshme të Sinodit, drejtuar nga kardinali Mario Grech, i cili do të koordinojë punën me departamentet. Një organizëm që nuk është pjesë e Kuries Romake, por që është në varësi të drejtpërdrejtë të Papës.

Emërohen këshilltarë të rinj

Sot Papa Françesku emëroi 6 këshilltarë të rinj në Sekretarinë e Përgjithshme të Sinodit, përveç dhjetë aktualëve. Këshilltarët e rinj janë: Imzot Alphonse Borras, vikar ipeshkvnor i Dioqezës së Lièges (Belgjikë); Gilles Routhier, profesor i Teologjisë në Université Laval (Kanada); Ormond Rush, profesor i asociuar i Teologjisë në Universitetin Katolik Australian; Motra Birgit Weiler, M.M.S., profesoreshë e Teologjisë në Pontificia Universidad Católica del Perú; Profesoresha Tricia C. Bruce, presidente e zgjedhur e Shoqatës për Sociologjinë e Fesë dhe Maria Clara Lucchetti Bingemer, profesoreshë e Teologjisë në Pontifícia Universidade Católica do Rio de Janeiro.

17 shkurt 2024, 14:28