Kërko

Papa Françesku në mbledhjen e C9-s, 2024.02.05 Papa Françesku në mbledhjen e C9-s, 2024.02.05

Punimet e C9, tri gra, me kardinajtë, flasin për rolin femëror në Kishë

Vijon, në Vatikan, takimi i shkurtit i Këshillit të Kardinajve, në praninë e Papës dhe të gjithë anëtarëve. Kontribute nga Motrat Linda Pocher, Giuliva Di Berardino dhe Jo Bailey Wells, ipeshkve e Kishës Anglikane

R.SH. – Vatikan

Mbledhja e shkurtit e Këshillit të Kardinajve filloi sot, më 5 shkurt, në Vatikan. Lajmin e bëri të ditur Salla e Shtypit e Vatikanit, duke dhënë njoftimin se bashkë me Papën Françesku ishin të pranishëm të gjithë kardinajtë, që bëjnë pjesë në Këshill si dhe sekretari i tij.

Mëngjesi iu kushtua thellimit të reflektimit, nisur në mbledhjet e 4 dhe 5 dhjetorit të kaluar, mbi rolin e femrës në Kishë, me kontributet e motrës Linda Pocher, bijë e Zojës Ndihmëtare dhe docente e Kristologjisë dhe Mariologjisë në Fakultetin Papnor të Shkencave të Auxilium të Romës; pasuar nga Giuliva Di Berardino, murgeshë e Ordo Virginum të Dioqezës së Veronës, mësuese dhe përgjegjëse e kurseve të përshpirtërisë dhe ushtrimeve shpirtërore si dhe Doktoresha e nderuar Jo Bailey Wells, ipeshkve e Kishës së Anglisë dhe Zëvendës-Sekretare e Përgjithshme e Bashkimit Anglikan. Puna e Këshillit vazhdon sot pasdite e do të vazhdojë dhe nesër për trajtimin e  temave të tjera.

Takimi i dhjetorit

Tema kryesore e takimit të dhjetorit ishte "roli i grave në Kishë". Në të dhanë kontributin e tyre edhe pedagogë e teologë si motër Linda Pocher, bijë e Zojës Ndihmëtare; Lucia Vantini dhe don Luca Castiglion. Gjatë Këshillit, informonte një notë e Vatikanit, u theksua "nevoja për të vënë në pah, në çdo bashkësi të krishterë, aspektin femëror të Kishës, në mënyrë që proceset e reflektimit dhe të vendimmarrjes të përfitojnë nga kontributi i pazëvendësueshëm i grave". Gjatë takimit u fol edhe për konfliktet në Ukrainë dhe në Tokën Shenjte, për konferencën mbi klimën COP28, që po mbahej në Dubai, si dhe për nismat parandaluese të abuzimit me të miturit dhe me njerëzit e brishtë. Gjithashtu, dy ditët e dhjetorit u dhanë kardinajve mundësinë të diskutojnë mbi rezultatet e Sinodit të tetorit për sinodalitetin dhe për "zbatimin" e Kushtetutës Apostolike “Praedicate evangelium” në kuriet dioqezane.

C9 i ri

Këshilli i Kardinajve, pas rinovimit të 7 marsit 2023 nga ana e Papës, përbëhet nga kardinajtë Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit të Vatikanit; Fernando Vérgez Alzaga, kryetar i Komisionit Papnor për Shtetin e Vatikanit dhe i Guvernatoratit të Shtetit të Vatikanit; Fridolin Ambongo Besungu, kryeipeshkëv i Kinshasës; Oswald Gracias, kryeipeshkëv i Bombeit; Seán Patrick O'Malley, kryeipeshkëv i Bostonit; Juan José Omella Omella, kryeipeshkëv i Barcelonës; Gérald Lacroix, kryeipeshkëv i Kebekut; Jean-Claude Hollerich, kryeipeshkëv i Luksemburgut; Sérgio da Rocha, kryeipeshkëv i San Salvador de Bahia. Sekretar i Këshillit është imzot Marco Mellino, ipeshkëv titullar i Cresima-s. Takimi i parë i C9-s së re u mbajt më 24 prill.

Themelimi i Këshillit të Kardinajve

Këshilli i Kardinajve u themelua nga Papa Françesku me kirografin e 28 shtatorit 2013, me detyrën për ta ndihmuar atë në mbarështimin e Kishës universale dhe për të studiuar një projekt për rishikimin e Kuries Romake. Ky i fundit, s’është tjetër veçse Kushtetuta e re Apostolike “Praedicate Evangelium”, botuar më 19 mars 2022. Takimi i parë i C9-s u mbajt më 1 tetor 2013.

05 shkurt 2024, 13:40