Papa: kujdes nga trishtimi i pashpresë, që të rrëmben çdo gëzim
R.SH. / Vatikan
"Të gjithë kalojmë nëpër prova, që na mbushin me trishtim, sepse gjatë jetës shohim shpesh ëndrra, që pastaj bëhen copë e thërrime. Në këtë situatë, ndokush, pas shumë trazirash, beson tek shpresa; ndërsa të tjerët pushtohen nga trishtimi, që ua gangrenizon zemrën. E ndjejnë kënaqësi nga kjo! Trishtimi është si kënaqësi e moskënaqësisë. Kënaqesh që kjo nuk ndodhi, aq sa të duket si të kishe në gojë një karamele të hidhur, të hidhur, të hidhur, pa pikën e sheqerit. Trishtimi është kënaqësia e moskënaqësisë”. Kështu u shpreh Papa Françesku gjatë audiencës së sotme të përgjithshme, duke folur "për një ves shqetësues": trishtimin, "kuptuar si ligështim i shpirtit e mundim i vazhdueshëm, që ta rrëmben çdo gëzim”. E kjo është edhe tema së cilës Papa Françesku i kushtoi katekizmin e sotëm, mbajtur në Sallën e Palit VI, duke vazhduar ciklin, kushtuar veseve dhe të virtyteve:
“Deri kur në zemrën time do të dynden gjithë ditën e lume mendimet e trishtuara? Por unë besoj në besnikërinë tënde; do të hovë nga gëzimi zemra ime për shpëtimin tënd e do t'i këndoj Zotit, që më shpëtoi (nga Psalmi 13,2-3,6)”
Por menjëherë pas kësaj brohorie, që lartohet drejt qiellit, duhet të bësh dallim ndërmjet dy llojeve të trishtimit: atij që niset nga udha e pendesës së të krishterit e që hiri i Zotit e shndërron në gëzim, e atij që vjen nga i ligu e të flak në humnerën e dëshpërimit. Pikërisht ky trishtim duhet luftuar - kujtoi Papa - duke u ndaluar tek trishtimi i parë:
“Është, pra, trishtim miqësor, i cili na çon drejt shëlbimit. Të mendojmë për djalin plangprishës të shëmbëlltyrës: kur prek fundin e përdhosjes, pushtohet nga hidhërimi, gjë që e shtyn të hyjë brenda vetes dhe të vendosë të kthehet në shtëpinë e atit. Është hir të rënkosh për mëkatet tuaja, të kujtohesh për gjendjen e faljes, të cilën e humbëm, të vajtosh sepse ke humbur pastërtinë, me të cilën na ëndërroi Zoti”.
Trishtimi e gangrenon zemrën
Lloji i dytë i trishtimit është "sëmundja e shpirtit" - kujtoi Papa Françesku - që më pas shpjegoi se ajo lidhet me përvojën e humbjes, e cila lind në zemër nga zbehja e një dëshire, e një ëndrre, e një shprese. E kujtoi sakaq episodin e dishepujve të Emmaus-it, që ecin drejt Jeruzalemit "me zemër të thyer " dhe vërejti:
“Kur ndodh kjo, është si të binte zemra e burrit në greminë, e ndjenjat që provon janë çkurajimi, ligështia shpirtërore, depresioni, ankthi. Ne të gjithë kalojmë prova, që na ngjallin trishtim, sepse jeta na bën të shohim ëndrra, të cilat më pas avullohen. Në këtë situatë, dikush, pas një kohe trazirash, mbështetet tek shpresa; por të tjerë zhyten në trishtim të thellë, që ua gangrenizon zemrën”.
Kujdes nga trishtimi, që të çon në egoizëm
Papa Françesku e quan këtë lloj trishtimi "kënaqësia e mospëlqimit". Është njëlloj "si të jesh i lumtur që kjo nuk ndodhi, është si të marrësh një karamele të hidhur, të hidhur, të hidhur pa sheqer, të shëmtuar dhe ta lëpish". E më pas jep disa shembuj: "disa morte të stërzgjatura" - vëren - "ashtu si edhe disa hidhërime inatçore" që e shtyjnë njeriun të jetojë vazhdimisht një gjendje shpirtërore hakmarrjeje ose viktimizimi, gjë që nuk krijon jetë të shëndetshme, aq më pak të krishterë. Nga emocioni i natyrshëm - kujtoi - lind më pas trishtimi, që bëhet ligësi. “Është demon mashtrues, ai i trishtimit” - pohoi Papa – që e përfundoi katekizmin me një porosi, duke folur lirisht, jashtë tekstit:
“Duhet të ruhemi nga ky trishtim dhe të mendojmë se Jezusi na sjell gëzimin e ringjalljes. Por çfarë duhet të bëjmë kur jemi të trishtuar? Ndaloni dhe mendoni: a është ky trishtim i mirë? Apo trishtim i keq? Dhe reagoni sipas natyrës së trishtimit. Mos harroni se trishtimi mund të jetë gjë shumë e keqe, që na çon në pesimizëm, na çon në egoizëm, i cili vështirë se shërohet”.