Papa: kush rrezikon jetën për Ungjillin, i transmeton Kishës zellin misionar

Në ndjetet e muajit mars, kur kremtohet Dita e lutjes dhe e agjërimit për misionarët martirë, Françesku ia kushton videon e përhapur nga Rrjeti Botëror i Lutjeve të Papës, atyre që jetojnë fenë e tyre në Krishtin dhe e mishërojnë Ungjillin edhe kur persekutohen, shtypen, mundohen. Dëshmia e tyre "është shenjë që tregon se jemi në rrugën e drejtë"

R.SH. / Vatikan

“Dua t'ju tregoj një histori që është një pasqyrim i Kishës së sotme. Është historia e një dëshmitari pak të njohur”, me këto fjalë Papa Françesku e fillon videomezashin e tij kushtuar ndjetit të lutjes për muajin mars që ka si temë “Për martirët e rinj, dëshmitarë të Krishtit”, përhapur nga rrjeti botëror i lutjes.

“Të lutemi që ata, të cilët, në vise të ndryshme të botës, e rrezikojnë jetën për Ungjillin, t’ia transmetojnë Kishës guximin e frymëzimin e tyre misionar dhe gatishmërinë për hirin e martirizimit”: kjo, ftesa e Françeskut në video mesazhin e marsit, publikuar nga Rrjeti Botëror i Lutjes në YouTube, Facebook, X, Instagram, në faqen @ Pontifex dhe Franciscus.

Në muajin mars, në të cilin kremtohet Dita e lutjes dhe e agjërimit për misionarët martirë (24 Mars), Papa, i frymëzuar nga biseda që pati në një kamp refugjatësh të Lesbos me një mysliman, nënvizoi se “ndër ne do të ketë gjithmonë martirë. Është shenjë që tregon se jemi në rrugë të drejtë dhe se guximi i martirëve, dëshmia e martirëve, është bekim për të gjithë”.  “Gruaja ime ishte e krishterë - i tregoi myslimani -  Terroristët erdhën në vendin tonë, na shikuan dhe na pyetën për fenë tonë . E panë gruan time me kryq dhe i thanë ta flakte për dhe. Ajo nuk pranoi e ata e prenë në fyt para meje". Nuk kishte asnjë inat në ato fjalë - thekson Françesku - i sigurt se ai burrë "ndiqte shembullin e dashurisë së gruas së tij, dashurisë për Krishtin, që e nxiti ta pranojë dhe t’i qëndrojë besnike deri në vdekje”.

 “Martirët mes nesh”

Videomesazhi i Papës për muajin mars, i përkthyer në 23 gjuhë dhe i shtypur në 114 vende, u realizua me mbështetjen e fondacionit 'Ndihmë për Kishën që vuan' (ACN) - organizatë ndërkombëtare bamirëse katolike dhe fondacion papnor, misioni i të cilit është të ndihmojmë besimtarët kudo që janë të persekutuar, të shtypur ose në vështirësi. Përmes informacionit, lutjes dhe veprimit, Papa na fton të reflektojmë për ata që dhurojnë jetën si dëshmitarë të Krishtit, për historitë e tyre, prandaj përfshin edhe pamje të të krishterëve në rrezik dhe shembuj guximi, si ai i shërbëtorit të parë të Zotit në Pakistan, Akash Bashir, i cili vdiq në moshën 20-vjeçare në vitin 2015 për të parandaluar sulmin terrorist në një Kishë plot me besimtarë, në Lahore.

"Ashtu si ai, sot ka shumë martirë të panjohur, që e jetojnë jetën e tyre të zakonshme me koherencë e guxim, si dëshmitar deri në fund të fundit, domethënë, deri në vdekje. “Martirë mes nesh”" - i quan Papa Françesku - njerëz që rrezikuan jetën për të ndjekur Jezusin, për të jetuar sipas mesazhit të tij dhe për ta mishëruar Ungjillin e tij të dashurisë, të paqes dhe të vëllazërisë në botë. Ata nuk e mohuan, as nuk e harruan Zotin. Mbetën gjithnjë besnikë të Jezu Krishtit. Për këtë arsye - thekson Papa Bergoglio - i tregojnë Kishës rrugën e drejtë.

Persekutimet e të krishterëve sot

“Ka më shumë martirë sot, sesa në fillimet e krishterimit” - nënvizon Papa Françesku - duke kujtuar të dhënat e ekspertëve dhe duke theksuar se   tema e të krishterëve të persekutuar që japin jetën për fenë e tyre është shumë aktuale. Vetëm në vitin 2023, Ndihmë për Kishën që Vuan mori raporte lidhur me njerëz të vrarë ose të rrëmbyer për fenë e tyre në 40 vende, përfshirë Nigerinë, ku u regjistrua numri më i madh i vrasjeve; e edhe Pakistanin, ku u sulmuan vendet e kultit dhe shtëpitë e të krishterëve në dioqezën e Faisalabad, në Jaranwala dhe Burkina Faso, ku katolikët e Debes u dëbuan nga fshati  vetëm për shkak të besimit të tyre.

Duke i ndjekur këto krime, Regina Lynch, presidente ekzekutive e fondacionit papnor 'Ndihmë për Kishën që vuan, vëren se "liria fetare, e njohur në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut, është e drejtë e patjetërsueshme" dhe se "asnjë i krishterë nuk duhet ta humbasë jetën për ushtrimin e saj. Është themelore të garantohet e drejta për të praktikuar fenë si pjesë e dinjitetit të të gjitha qenieve njerëzore”. Prandaj, synimi i Françeskut këtë muaj është “shumë i rëndësishëm për të inkurajuar lutjen kushtuar viktimave të persekutimit - vazhdon Lynch - si dhe për të mbështetur ata që diskriminohen për shkak të fesë së tyre. Për më tepër, ne duhet të angazhojmë politikanët që t’i mbrojnë të drejtat e më të përndjekurve”.

Guximi për të dëshmuar me jetë

Papa kujton inkurajimin e Shën Françeskut të Asizit për të predikuar Ungjillin, nëse është vërtet e nevojshme të përdorë "edhe fjalë". “Ne jemi thirrur ta dëshmojmë Krishtin me gjithë jetën tonë. Martiri është dëshmitar i Krishtit, jeta e të cilit është dëshmi e gjallë - shpjegon - domethënë, mishëron Ungjillin duke rrezikuar jetën e tij, pa u trembur nga dhuna”. E atëherë qëllimi i lutjes së Françeskut na nxit të reflektojmë mbi mënyrën "sesi mund ta dëshmojmë Krishtin në vendin ku gjendemi", vë në dukje Atë Fornos.

27 shkurt 2024, 15:53