Kërko

Papa: "liturgjia është vendi par excellence ku takojmë Krishtin e gjallë"

Pa reformë liturgjike nuk ka reformë të Kishës, tha Papa në fjalimin drejtuar pjesëmarrësve të plenares së Dikasterit të Vatikanit për Kultin Hyjnor dhe Disiplinë e Sakramenteve: një Kishë që nuk përpiqet t'u flasë në mënyrë të kuptueshme burrave dhe grave të kohës së saj "është një Kishë e sëmurë", roli i gruas është qendror, por nuk duhet reduktuar vetëm në shërbimin "ministror".

R.SH. - Vatikan

"Gjashtëdhjetë vjet pas shpalljes së kushtetutës së Koncilit të Dytë të Vatikanit ‘ Sacrosanctum Concilium’, fjalët që lexojmë në Parathënie të këtij dokumenti, me të cilat Etërit shpallën qëllimin e Koncilit, vazhdojnë të na emocionojnë. Ato janë objektiva që përshkruajnë një vullnet të saktë për të reformuar Kishën në dimensionet e saj themelore: për ta bërë jetën e krishterë të besimtarëve të rritet çdo ditë e më shumë; për të përshtatur sa më mirë institucionet që i nënshtrohen ndryshimit të nevojave që ka koha jonë; për të favorizuar atë që mund të kontribuojë në bashkimin e të gjithë besimtarëve në Krishtin; për të rigjallëruar atë që ndihmon për t’i thirrur të gjithë në gjirin e Kishës”. Kështu u tha Papa pjesëmarrësve të Asamblesë Plenare të Dikasterit të Vatikanit për Kultin Hyjnor dhe Disiplinë e Sakramenteve, në audiencën mbajtur sot paradite në Vatikan.

"Pa reformë liturgjike - nënvizoi Françesku - nuk ka reformë të Kishës. Ne mund ta bëjmë një pohim të tillë vetëm duke kuptuar se çfarë është liturgjia në domethënien teologjike. Një Kishë që nuk ndjen pasionin për rritje shpirtërore, që nuk kërkon t‘u flasë në një mënyrë të kuptueshme për burrave dhe grave të kohës së saj, një Kishë e cila nuk ndjen dhimbje nga ndarja ndërmjet të krishterëve, e cila nuk dridhet nga ankthi i kumtimit të Krishtit para njerëzve, është një Kishë e sëmurë, dhe këto janë kërkesa e shenja. Çdo reformë në Kishë është gjithmonë një çështje e besnikërisë bashkëshortore: Kisha si Nuse do të jetë gjithnjë e më e bukur sa më shumë ta dojë Krishtin Dhëndër, deri në atë pikë sa t'i përkasë plotësisht, deri në konformim të plotë me Të ".

Dhe "Kisha - kujtoi akoma Papa - është grua, Kisha është nënë, Kisha e ka figurën e saj në Marinë dhe Kisha-grua, figura e së cilës është Maria, është më shumë se Pjetri, domethënë se ajo është diçka tjetër. Nuk mund të reduktohet çdo gjë në shërbesë a në mbarështim. Gruaja në vetvete ka një simbol shumë të madh në Kishën si grua, pa e reduktuar atë në shërbim a mbarështim, prandaj thashë se çdo rast i reformës së Kishës është gjithmonë çështje besnikërie bashkëshortore, sepse ajo është grua".

Liturgjia "është vendi par excellence ku mund të takosh Krishtin e gjallë. Për këtë është i nevojshëm formimi liturgjik, domethënë formimi në liturgji dhe nga liturgjia. Ky nuk është një specializim për disa ekspertë, por një prirje e brendshme e gjithë popullit të Zotit. Në frymën e bashkëpunimit sinodal ndërmjet Dikastereve të Selisë së Shenjtë, dëshiroj - urdhëroi Papa - që çështja e formimit liturgjik të shërbëtorëve të shuguruar të trajtohet edhe me Dikasterin për Kulturë dhe Arsim, edhe me Dikasterin për Klerin dhe me Dikasterin për Institutet e Jetës së Kushtuar dhe Shoqëritë e Jetës Apostolike, në mënyrë që secili të japë kontributin e vet specifik”.

"Detyra juaj - përfundoi Papa Françesku - është e madhe dhe e bukur: të punojmë në mënyrë që populli i Hyjit të rritet në vetëdijen dhe gëzimin e takimit me Zotin duke kremtuar misteret e shenjta dhe, duke e takuar Atë, të ketë jetën në emër të tij".

08 shkurt 2024, 11:53