Papa: luftërat janë humbje e të padobishme. Popullsitë, të rraskapitura
R. SH. - Vatikan
Dhuna që shkatërroi Sudanin për dhjetë muaj e që u përhap edhe në Mozambik, e më pas konfliktet që përgjakin pjesë të tjera të botës, si Palestina dhe Ukraina. Këto tregojnë qartë se "lufta është disfatë". Françesku vijon t’i kujtojë këto gjëmë. E këtë e bëri sërish në përshëndetjet pas kremtimit të Engjëllit, sot, e Diela e parë e Kreshmëve:
“Të mos harrojmë: lufta është gjithmonë disfatë, gjithmonë. Kudo që ka përleshje, popullatat janë të rraskapitura, të lodhura nga lufta e cila, si gjithmonë, është e kotë dhe e pafundme e sjell vetëm vdekje, vetëm shkatërrim, kurrë zgjidhje të problemit. Të lutemi, prandaj, pa u lodhur, sepse lutja është e dobishme e t’i kërkojmë Zotit dhuratën e mendjeve dhe të zemrave që i kushtohen konkretisht paqes”.
Thirrja për Sudanin
Thirrja e Papës i drejtohet Sudanit ku, më 15 prill 2023, nisi konflikti ndërmjet ushtrisë sudaneze e grupit paraushtarak të njohur si RSF, "Forcat e ndihmës së shpejtë" dhe që - kujtoi Françesku - shkaktoi një situatë shumë të rëndë humanitare:
“U kërkoj sërish palëve ndërluftuese ta ndalojnë këtë luftë, e cila i bën dëm të rëndë njerëzve dhe të ardhmes së vendit. Të lutemi të gjenden së shpejti rrugët e paqes, për të ndërtuar ardhmërinë e Sudanit të dashur”.
Dhuna në Mozambik
Vështrimi i Papës vijoi t’i drejtohej Afrikës, duke lëvizur në veri të Mozambikut, edhe kjo, zonë e destabilizuar nga dhuna e milicive të armatosura:
“Dhuna kundër popullsive të pambrojtura, shkatërrimi i infrastrukturës dhe pasiguria po përhapen sërish në provincën e Cabo Delgado, në Mozambik, ku ditët e fundit iu vu flaka edhe misionit katolik të Zojës së Afrikës në Mazeze. Të lutemi që paqja të kthehet në atë rajon të munduar”.
Përkushtojuni lutjes
Zëri i Françeskut shtrihet nga Sudani dhe Mozambiku, në të gjitha konfliktet e tjera që përgjakin kontinentin afrikan dhe pjesë të tëra të botës, si në Evropë, në Ukrainë dhe në Palestinë. Duke përshëndetur besimtarët nga vende të ndryshme të botës, përfshirë edhe fermerët e blegtorët e pranishëm në shesh, Papa kujtoi se sot pasdite do të fillojë ushtrimet shpirtërore "me bashkëpunëtorët e Kuries" dhe i ftoi të gjithë besimtarët “në këtë stinë të Kreshmëve dhe gjatë gjithë këtij viti të përgatitjes për Jubileun, që është Vit i Lutjes, t’i kushtojnë çaste të veçanta lutjeje në praninë e Zotit”.