Kërko

Papa në audiencë pjesëmarrësit në konferencën ndërkombëtare për formimin e vazhdueshëm të meshtarëve, që po mbahet në Vatikan deri më 10 shkurt, promovuar nga Dikasteri për Klerin Papa në audiencë pjesëmarrësit në konferencën ndërkombëtare për formimin e vazhdueshëm të meshtarëve, që po mbahet në Vatikan deri më 10 shkurt, promovuar nga Dikasteri për Klerin

Papa, meshtarëve: pranë njerëzve, për të mos u ndierë “të gjithëpushtetshëm”

Françesku pret në audiencë pjesëmarrësit në konferencën ndërkombëtare për formimin e vazhdueshëm të meshtarëve, që po mbahet në Vatikan deri më 10 shkurt, promovuar nga Dikasteri për Klerin. Papa i këshilloi priftërinjtë të mos jenë të botës, nervozë, të hidhur, ose si “beqarë fatpadalë" dhe të lidhen me njerëzit: kjo "na ruan nga rreziku i shkëputjes nga realiteti". Më pas theksoi se duhet "të falin gjithmonë" të penduarit, “pa pasur frikë se janë të butë”

R.SH. – Vatikan

Shërbëtorë e jo sipërmarrës. Dëshmitarë, më parë se profesorë. Dishepuj e jo zotërinj. Pjesë e popullit, pranë dhimbjeve dhe gëzimeve të njerëzve, që të shmangin rrezikun e “shkëputjes nga realiteti”, të mos ndihen “të gjithëpushtetshëm”, gjë që është rrënjë e çdo abuzimi. Të mëshirshëm me ata, që vijnë për t’u rrëfyer e për të kërkuar falje e jo për të dëgjuar leksione teologjie, pa pasur frikë se mos e teprojnë me butësinë. Janë këshilla shumë konkrete ato, që u dha sot Papa pjesëmarrësve në konferencën ndërkombëtare për formimin e vazhdueshëm të meshtarëve, organizuar nga Dikasteri vatikanas për Klerin. Ati i Shenjtë i priti në audiencë sot paradite, në Sallën Pali VI, të shoqëruar nga prefekti, kardinali You Heung-sik, ndërsa konferenca, që filloi më 6 shkurt, do të përfundojnë në datën 10.

Françesku në audiencë pjesëmarrësit në konferencën ndërkombëtare për formimin e vazhdueshëm të meshtarëve
Françesku në audiencë pjesëmarrësit në konferencën ndërkombëtare për formimin e vazhdueshëm të meshtarëve

I trishtë ai, që nuk di të jetë dëshmitar

Papa u përvijoi priftërinjve tri “rrugë” për gjallërimin e dhuratës së meshtarisë: gëzimin e Ungjillit, përkatësinë në popull, shërbimin që bën të lindë risi.

“Të jeni dëshmitarë para se të jeni profesorë, - pohoi Papa Françesku - dëshmitarë të dashurisë së Zotit, e vetmja, që ka rëndësi. E, kur ndokush nuk është i aftë të jetë dëshmitar është i trishtë… është shumë e trishtueshme kjo...”

Vetëm duke e jetuar gëzimin e Ungjillit, vërejti më tej Ati i Shenjtë Françesku, mund t’u çojmë gëzim të tjerëve. Ky është shërbimi i vërtetë, për të cilin duhet të punojë meshtari, pa u kthyer në “sipërmarrës” të fesë, por duke u ndjerë gjithmonë dishepull i Krishtit e jo zotëri. Për këtë, nevojitet një formim i gjithanshëm njerëzor, theksoi Papa, pasi të jesh dishepull nuk është maskim me rrobat e fesë, por mënyrë jetese, që kërkon kujdes për humanizmin e secilit.

“Një herë – tregoi Françesku - një meshtar i vjetër më tha: kur prifti nuk është në gjendje të luajë me fëmijët, është i humbur. Është provë kjo. Kemi nevojë për meshtarë krejtësisht njerëzorë, që luajnë me fëmijët e përkëdhelin të moshuarit, të aftë për marrëdhënie të mira, të pjekur në përballimin e sfidave të shërbesës, që ngushëllimi i Ungjillit të arrijë tek populli i Zotit përmes humanizmit të tyre, shndërruar nga Shpirti i Jezu Krishtit”.


Ushtrime sinodaliteti

Papa u kërkoi meshtarëve të mos e harrojnë forcën humanizuese të Ungjillit e të mos bëhen të hidhur si “beqarët fatpadalë”. Ata i përkasin popullit të Zotit, i cili i mbështet, i shoqëron, i ruan nga rreziku për t’u ndierë “të gjithëpushtetshëm”. Ky rrezik, nënvizoi Ati i Shenjtë, është rrënjë e çdo abuzimi. Të ecësh me popullin e Zotit është “ushtrim sinodaliteti”, vuri në dukje Françesku, i cili u kërkoi meshtarëve të ecin së bashku edhe me ipeshkvijtë dhe me sivëllezërit, pa i harruar rrënjët, historinë, familjen, popullin nga e kanë origjinën.

Françesku në audiencë pjesëmarrësit në konferencën ndërkombëtare për formimin e vazhdueshëm të meshtarëve
Françesku në audiencë pjesëmarrësit në konferencën ndërkombëtare për formimin e vazhdueshëm të meshtarëve

Të afërt me ata, që u besohen

Së fundi, shërbimi, që është “distinktivi i ministrave të Krishtit”, vërejti Papa, i cili u kërkoi përgjegjësve për formimin e meshtarëve t’i inkurajojnë ata në këtë rrugë, t’i ndihmojnë në shoshitje e në vështirësi, duke i mbështetur në përballimin e sfidave baritore. Vetëm kështu, ata do të dinë të vihen në shërbim të popullit të Zotit, sipas shembullit të Jezu Krishtit, duke u kthyer në “nëna e baballarë për ata, që u janë besuar”. Françesku përdori shprehjen “baritori gjenerative”, duke nënkuptuar atë lloj pune me njerëzit, që i bën të lindin për një jetë të re, pasi zemra e tyre është vaditur me ujin e gjallë të Ungjillit.

E pastaj, çështja e rrëfimit, për të cilin Papa i këshilloi meshtarët të mirëpresin gjithnjë besimtarët e penduar e t’i falin, duke pasur parasysh se duhet të tregohen të mëshirshëm e jo t’u bëjnë atyre leksione teologjie.

“Gjithmonë falni, sepse falja ka hirin e përkëdheljes, të mirëpritjes. Falja është gjithmonë përtëritëse. Jua këshilloj këtë: falni gjithmonë”.

E, në përfundim të audiencës, Papa shtoi edhe: "Mos kini frikë të jeni të butë".

08 shkurt 2024, 11:18