Papa kërkon një lëvizje të re misionare, si në fillimet e krishterimit
R. SH. - Vatikan
“Në një botë të copëtuar nga përçarjet dhe konfliktet, Ungjilli i Krishtit është zëri i butë e edhe i fortë, që i thërret njerëzit të takohen, të njohin njëri-tjetrin si vëllezër dhe të gëzohen nga harmonia e larmisë”. Këtë pohon Françesku në mesazhin për Ditën Misionare Botërore të 98-të, që do të kremtohet më 20 tetor 2024, frymëzuar nga vargu i Ungjillit të Mateut: "Shkoni e këdo që të gjeni, thirreni në dasmë!”. “Zoti dëshiron që të gjithë njerëzit të shëlbohen dhe të arrijnë në njohjen e së vërtetës” - shpjegon Ipeshkvi i Romës. - “Prandaj misioni është “vazhdim i palodhur drejt mbarë njerëzimit”, pa përjashtim, “për ta ftuar në takim dhe në bashkim me Zotin”.
Gostia e Ungjillit dhe gostitë e botës
I palodhur si Zoti: "i madh në dashuri dhe i pasur në mëshirë", "gjithnjë në dalje drejt çdo njeriu për ta thirrur në lumturinë e Mbretërisë së tij, pavarësisht nga indiferenca e nga refuzimi". Në shëmbëlltyrën ungjillore, mbreti i urdhëron shërbëtorët të shkojnë dhe t'i ftojnë të gjithë në sofrën e dasmës, "shëmbëlltyrë” e shëlbimit përfundimtar të Mbretërisë së Zotit, i realizuar që tani me ardhjen e Jezusit". Ipeshkvi i Romës na nxit ta dallojmë nga premtimet e rreme të lumturisë: "Bota na propozon "gostitë” e ndryshme të konsumizmit, të mirëqenies egoiste, të grumbullimit, të individualizmit, ndërsa Ungjilli i fton të gjithë në banketin hyjnor ku mbretëron gëzimi, ndarja e përbashkët, drejtësia, vëllazëria, në bashkim me Zotin dhe me të tjerët”.
Rreziku i një Kishe, që nuk e lë të dalë Zotin
Ftesa e Jezusit është gjithmonë po aq e rëndësishme, si dje, edhe sot: "shkoni" e "ftoni": "çdo i krishterë - nënvizon Papa - është i thirrur të marrë pjesë në këtë mision universal me dëshminë e tij ungjillore në çdo skaj e skutë, në mënyrë që e gjithë Kisha të dalë vazhdimisht me Zotin e Mësuesin e vet drejt 'kryqëzimit të rrugëve' të botës së sotme”. Megjithatë - sipas Françeskut - "tragjedia" e Kishës sot "është se Jezusi vazhdon të trokasë në derë, por nga brenda, që ta lëmë të dalë!". “Shumë herë - vëren Ati i Shenjtë - ne katandisemi në një Kishë, që nuk e lë Zotin të dalë jashtë, që e mban si “gjë të veten”, ndërsa Zoti ka ardhur për mision dhe na do misionarë”.
Askush nuk përjashtohet. Të fundit, të ftuar të veçantë në gosti
Prej këndej, ftesa për të gjithë të pagëzuarit, për të rizbuluar zellin misionar të të krishterëve të parë, që ndjenin nevojën "për shpalljen e ngutshme të Ungjillit". Kumtimi është universal, ka të bëjë me "të gjithë njerëzit e çdo gjendje shoqërore e morale". Papa vëren se në shëmbëlltyrën e banketit shërbëtorët i mblodhën "të gjithë ata që gjetën, të mirë e të këqij", e "të fundmit dhe të përjashtuarit janë të ftuarit e veçantë të mbretit". Kushdo që ftohet nga Zoti", duhet t’i thotë “po” kësaj dhurate hyjnore, që i jepet falas, duke e mirëpritur dhe duke pranuar të shndërrohet prej saj".
Respekt dhe gëzim, pa detyrim, as prozelitizëm
Sipas Françeskut, urgjenca, por edhe respekti e mirësia, duhet të karakterizojnë ftesën në dasmë dhe bukurinë e takimit me dashurinë shëlbuese të Zotit, në Krishtin e vdekur dhe të ringjallur: “duke i shpallur botës bukurinë e dashurisë shpëtuese të Zotit - shkruan Papa në mesazhin për Ditën Botërore të Misionit 2024 - dishepujt e bëjnë këtë me "gëzim, me bujari, pa detyrim, pa prozelitizëm".
Pamja e gostisë ka edhe një këndvështrim eskatologjik: misioni i Krishtit është ai i përmbushjes së kohërave. Papa citon dekretin Ad Gentes të Koncilit II të Vatikanit: "Përpara ardhjes së Zotit, Ungjilli duhet t'u shpallet të gjithë njerëzve".
Sinodi dhe Jubileu
Reflektimi mbi ungjillëzimin tingëllon posaçërisht aktual - vëren Ati i Shenjtë - "në këtë fazë përfundimtare të rrugës sinodale" dhe në vitin kushtuar lutjes në përgatitje për Jubileun 2025. Ftesa është që "të vazhdojmë udhëtimin drejt një Kishe kejtësisht sinodale-misionare, në shërbim të Ungjillit” e ta shpeshojmë lutjen për misionin ungjillëzues të Kishës dhe pjesëmarrjen në meshë. Eukaristia përshpejton dhuratën e përkryerjes së jetës - lexojmë në dokument - "siç na mësoi Benedikti XVI (...), që na kujton se banketi eukaristik është për ne pritje e vërtetë e banketit përfundimtar" dhe se "ne nuk mund t'i afrohemi gostisë eukaristike pa tërheqjen e fortë nga lëvizja e misionit që, duke u nisur nga vetë Zemra e Zotit, synon t’i arrijë të gjithë njerëzit”.
Të lëmë gjithçka për Ungjillin
Në mesazhin e datës 25 janar 2024, festës së Kthimit të Shën Palit, Françesku falënderon misionarët që “duke iu përgjigjur thirrjes së Krishtit, lanë gjithçka për të shkuar larg atdheut dhe për të çuar Lajmin e Mirë”. Jeta e tyre është "shprehje e prekshme e përkushtimit ndaj misionit ad gentes që Jezusi ua besoi dishepujve të tij". Së fundi, ipeshkvi i Romës uron që të ketë "bashkëpunim të ngushtë misionar" si në Kishën universale, ashtu edhe në Kishat e veçanta, duke u kujtuar të gjitha dioqezave shërbimin e Shoqatave Misionare Papnore: "lëmoshët e Ditës Misionare Botërore janë tërësisht në shërbim të fondit universal të solidaritetit, të cilin Vepra Papnore e Përhapjes së Fesë e shpërndan, më pas, në emër të Papës, për nevojat e të gjitha misioneve të Kishës”.