Papa, në fillim të Krezhmëve: ta heqim maskën e dukjes e t’i kthehemi zemrës
R.SH. - Vatikan
“T’i kthehemi zemrës”, “thelbësores”, “të hyjmë fshehurazi”, të zhvishemi nga “mbulesat e kësaj bote”: kjo është rruga, që Papa Françesku na fton të ndërmarrim në kohën e Krezhmëve, “udhëtim nga jashtë - brenda, sepse çdo gjë që përjetojmë, edhe marrëdhëniet me Zotin, nuk duhet të reduktohen në dukje të jashtme, por duhet të përkojnë "me ndjenjat tona". Bëni, këshillon Ati i Shenjtë, si Varfanjaku i Asizit, "i cili pasi u zhvesh, përqafoi me gjithë vetveten Atin, që është në qiell". Fjalët e Papës jehuan në bazilikën romake të Shën Sabinës, gjatë meshës me ritin e përhimjes, që nisi rrugëtimin liturgjik drejt Pashkëve. Para saj, në një pasdite të kthjellët me diell, procesioni pendestar nga kisha e Shën Anselmit në kodrën e Aventinit.
Aty ku gurrojnë ndjenjat më intime
Papa përmendi pikërisht shenjtin-teolog, që jetoi në mesjetë, për t’i këshilluar të gjithë të largohen nga shqetësimet e punët e përditshme për të kërkuar Zotin, për ta dëgjuar zërin e Tij, "aty, ku banon frika, ndjenja e fajit dhe mëkati” e ku Hyji mund të na shërojë e të na purifikojë.
“Pa e kuptuar, shohim se nuk kemi më një vend sekret, ku të ndalemi dhe ta ruajmë veten, zhytur në një botë në të cilën gjithçka, madje edhe emocionet e ndjenjat më intime, duhet të bëhen "social" - por si mund të jetë shoqërore ajo, që nuk gurron nga zemra? – Edhe përvojat më tragjike dhe më të dhimbshme ka rrezik të mos kenë një vend sekret, që i fsheh e i ruan: gjithçka duhet ekspozuar, shpallur dukshëm, bërë argument i thashethemeve të çastit. E ja që Zoti na thotë: hyr në fshehtësi, gjeje sërish qendrën e vetvetes”.
Të heqim maskat e të kthehemi tek e vërteta
Françesku shpjegoi se Krezhmët duhet të jetë "banjë purifikimi dhe zhveshjeje", për të hequr "çdo grim, gjithçka që veshim për t'u dukur më të mirë se sa jemi".
“T’i kthehemi zemrës do të thotë të kthehemi tek vetvetja jonë e vërtetë dhe ta paraqesim atë ashtu siç është, lakuriq dhe e zhveshur, përpara Zotit. Do të thotë të shikojmë brenda vetes dhe të jemi të vetëdijshëm se kush jemi në të vërtetë, të heqim maskat që mbajmë shpesh, të ngadalësojmë vrapin e frenezisë sonë, duke përqafuar të vërtetën e vetvetes. Jeta nuk është teatër e Krezhmët na ftojnë të dalim nga skena e aktrimit, t’i kthehemi zemrës, tek e vërteta e asaj, që jemi”.
Jemi pluhur, të cilit Zoti i jep formë dhe e ruan
Hiri mbi kokën e besimtarëve i kthen ata "në realitetin themelor për vetveten", është kujtesë për ta braktisur "armaturën, që e mbulon zemrën" dhe "maskën e dukjes", pasi me to mbetemi bosh dhe shpirthatë, sqaroi Ati i Shenjtë.
“Jemi pluhur, jeta jonë është si puhizë, por Zoti - Ai dhe vetëm Ai - nuk e lë të zhduket; Ai e mbledh dhe i jep formë pluhurit që jemi, që të mos shpërndahet nga erërat e vrullshme të jetës dhe të mos tretet në humnerën e vdekjes”.
Të brumosur me dashurinë e Zotit, që na bën thirrje të duam
Kur zhvishemi nga gjithçka, që na e mbulon shpirtin dhe kur shohim brenda vetvetes, mund “të zbulojmë praninë e një Zoti, që na ka dashur gjithmonë", shtoi Françesku, e ndiejmë se Ai i Lumi na do me “një dashuri të përjetshme". Bëhemi të vetëdijshëm se jemi pluhur, të cilit i Gjithëpushtetshmi i jep formë për të na rilindur në jetën pa fund, përgatitur për ne.
“E nëse, në hirin që jemi, digjet zjarri i dashurisë së Zotit, atëherë zbulojmë se jemi krijuar nga kjo dashuri dhe se jemi thirrur të duam: të duam vëllezërit që na rrethojnë, të jemi të vëmendshëm ndaj të tjerëve, ta jetojmë dhembshurinë, të ushtrojmë mëshirën, ta ndajmë vetveten dhe gjithçka kemi me nevojtarët”.
Shtigjet që na çojnë në thelbin e jetës së krishterë
Kur e kuptojmë se jemi fryt i dashurisë së Zotit nuk e reduktojmë lëmoshën, lutjen dhe agjërimin "në praktika të jashtme", të cilat, përkundrazi, janë "shtigje, që na kthejnë në zemrën, në thelbësoren e jetës së krishterë", nënvizoi Papa, “na mundësojnë ta përhapim të njëjtën dashuri mbi ‘hirin’ e shumë situatave të përditshme”, në mënyrë që të rilindë “shpresa, besimi, gëzimi”.
Hapësirë për lutje
Atëherë, në këto javë Krezhmësh duhet t'i lihet "hapësirë lutjes e adhurimit të heshtur - përfundoi Françesku – për ta dëgjuar praninë e Zotit", "Hyjit të mëshirës dhe të dhembshurisë, Hyjit të faljes dhe të dashurisë, Hyjit të butësisë dhe të nxitjes”, siç e quan teologu dhe skrimtari holandez, don Henri Nouëen, duke e lënë dashurinë e Atij të Lumit “të prekë skutat më të thella dhe më të fshehura” të zemrës.