Kërko

Audienca e përgjithshme Audienca e përgjithshme  (Vatican Media)

Papa në Gemelli-Isola Tiberina për disa kontrolle diagnostike

Njoftim i Sallës së Shtypit të Vatikanit. Ditët e fundit Françesku pësoi një “grip të lehtë”. Edhe sot, në audiencën e përgjithshme, u shpjegoi besimtarëve se ishte “paksa i ftohur”, ndaj katekizmin e lexoi një bashkëpunëtor. Më pas, kontrolli i ri shëndetësor.

R. SH. - Vatikan

“Pas audiencës së përgjithshme, Papa Françesku shkoi në spitalin Isola Tiberina - Gemelli Isola për disa analiza diagnostikuese. Pasi i përfundoi, u kthye në Vatikan”. Lajmin e bën të ditur Salla vatikanase e Shtypit.

Siç dihet, ditët e fundit Françesku pati një grip të lehtë. Për shkak të tij, i anuloi disa audienca të planifikuara. Edhe sot paradite, në fillim të audiencës së përgjithshme të së mërkurës, u shpjegoi besimtarëve të pranishëm në Sallën Pali VI se ishte "ende pak i ftohur" dhe i kërkoi njërit prej bashkëpunëtorëve të tij, Imzot Filippo Ciampanelli-t, të lexonte katekizmin. Menjëherë pas, kontrolli në spitalin romak, pak hapa larg Vatikanit.

 Salla e Shtypit e Vatikanit konfirmoi edhe audiencën me kancelarin e Republikës Federale të Gjermanisë, Olaf Scholtz, në Pallatin Apostolik të Vatikanit, mëngjesin e së shtunës, 2 mars.

28 shkurt 2024, 14:35