Kërko

Papa Françesku kremtoi meshën në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, në solemnitetin e Paraqitjes së Zotit në Tempull, njëkohësisht, Dita e 28-të Botërore e Jetës Rregulltare Papa Françesku kremtoi meshën në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, në solemnitetin e Paraqitjes së Zotit në Tempull, njëkohësisht, Dita e 28-të Botërore e Jetës Rregulltare

Papa për rregulltarët: të presim me besim Zotin dhe të papriturat e tij

Në festën e Paraqitjes së Zotit në Tempull, njëkohësisht Dita Botërore e Jetës Rregulltare, Françesku kryeson meshën në Bazilikën e Vatikanit, në prani të rreth 5500 besimtarëve, kryesisht meshtarë, rregulltarë dhe murgesha. “Zoti na viziton çdo ditë dhe do të vijë në fund të jetës e të kohërave”. Duhet të kultivojmë jetën shpirtërore dhe të mos i përshtatemi "stilit të botës", që të jemi në gjendje të mirëpresim risitë e Zotit

R.SH. – Vatikan

 So në solemnitetin e Paraqitjes së Zotit në Tempull, njëkohësisht, Dita e 28-të Botërore e Jetës Rregulltare, themeluar nga Shën Gjon Pali II më 1997, Papa Françesku kremtoi meshën në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, pikërisht në praninë e rregulltarëve e të murgeshave, që e mbushën plot kishën më të rëndësishme të krishterimit. Ati i Shenjtë e përqendroi homelinë e tij në pritjen e Zotit, ashtu siç e pritën Simeoni e Ana, që njohën në Krishtin Mesinë e Izraelit, siç tregon Ungjilli i sotëm sipas Lukës.

Qirinjtë e ndezur dhe procesioni

Në bazilikën e pandriçuar, besimtarët, kryesisht rregulltarë e murgesha, që u përkasin kongregatave dhe instituteve të ndryshme fetare, mbanin në duar qirinj të ndezur, që u bekuan. Hyri procesioni i meshtarëve bashkëkremtues me Atin e Shenjtë. Kardinali João Braz de Aviz, prefekt i Dikasterit për Institutet e Jetës Rregulltare dhe Shoqëritë e Jetës Apostolike, spërkati altarin me kem. Pastaj, qirinjtë u fikën dhe dritat e bazilikës u ndezën, sipas traditës së kremtimit në festën e sotme, që ndër shqiptarë njihet edhe si festa e Zojës së Qirave. Drita është simbol i Krishtit, drita e njerëzve dhe shpëtim për botën. Dita Botërore e Jetës Rregulltare është rast për lutje dhe falënderim për këtë thirrje të veçantë nga Zoti.

Gjatë meshës
Gjatë meshës

Dy, pengesat kryesore në pritjen e Zotit

Në pritjen e ardhjes së Hyjit, dy janë pengesat kryesore, vuri në dukje Papa, gjatë homelisë: moskujdesi për jetën shpirtërore dhe përshtatja me stilin e kësaj bote. U kërkoi rregulltarëve të mos e humbasin entuziazmin, pavarësisht nga lodhja e nga sprovat e jetës, por “të kthehen, përmes një jete shpirtërore intensive, në shpirtin e përvujtërisë plot gëzim, të mirënjohjes së heshtur. E kjo – i këshilloi - ushqehet duke e adhuruar Zotin, me punën e gjunjëve dhe të zemrës”.

 Duke denoncuar stilin e kësaj bote, që ngre në qiell konsumizmin dhe argëtimin me çdo kusht, Françesku theksoi se kjo frymë nuk duhet të hyjë në bashkësitë rregulltare. “Jeta e krishterë dhe misioni apostolik kanë nevojë që pritja, e konsoliduar me lutje dhe me besnikëri të përditshme, të na lirojë nga miti i efikasitetit, nga obsesioni i rendimentit e, sidomos, nga pretendimi për ta mbyllur Zotin në kategoritë tona, sepse Ai vjen gjithmonë jo sipas parashikimeve”.

Drita e festës së Zojës së Qirave
Drita e festës së Zojës së Qirave

T’i mirëpresim risitë e Hyjit

 Risia e Zotit, vërejti Papa, vjen në formën e një Fëmije, pikërisht ndërsa paraqitet në Tempull, siç e përkujtojmë sot. Do ta lemë të hyjë në jetën tonë si risi e vërtetë, apo do të përpiqemi të bashkojmë të vjetrën me të renë, duke synuar të mos shqetësohemi nga prania e Krishtit? – pyeti Ati i Shenjtë rregulltarët e murgeshat e, përmes tyre, gjithë Kishën.

“Ta lemë Shpirtin Shenjt të na shqetësojë, të na prekë, ashtu si bëri me Simeonin dhe Anën. Nëse, si ata, e jetojmë pritjen, duke e ruajtur jetën e brendshme, koherentë me stilin e Ungjillit, do ta përqafojmë Jezusin, dritën dhe shpresën e jetës”, e përfundoi me këtë këshillë Papa Françesku homelinë e meshës, kremtuar pasditen e sotme, në Ditën e 28-të Botërore të Jetës Rregulltare.

02 shkurt 2024, 18:28