Sagrada Familia në Barcelonë Sagrada Familia në Barcelonë 

Papa: në "Sagrada Familia" shtegtarët priten në atmosferën e lutjes

Françesku priti në audiencë anëtarët e "Junta Constructora" të Bazilikës projektuar nga arkitekti spanjoll dhe shërbëtori i Zotit, Antoni Gaudi. Ftesa e Papës: gjithçka, nga majat e deri te kambanoret, i ndihmon vizitorët të ruajnë klimën shpirtërore, e cila është veçanërisht e rëndësishme në këtë vit të lutjes.

R. SH. - Vatikan

Fjalët e drejtuara nga Papa Françesku në spanjisht Juntës Constructora të Sagrada Familia, në Barcelonë - fondacion kanonik privat që merret me ndërtimin, ruajtjen dhe restaurimin e Bazilikës - janë ftesë për të hyrë, idealisht, në këtë tempull të projektuar nga arkitekti Antoni Gaudi. Bazilika - shpjegoi Papa, "u ndërtua në mënyrë që çdo portik të kishte një temë, të ilustruar nga  fragmente të Shkrimit Shenjt, shoqëruar nga një lutje".  

Portat e fesë dhe të bamirësisë

Porta e parë, me figuren e Jezusit që u predikon doktorëve të ligjit, është ajo e fesë. Dera qendrore është simbol i bamirësisë: figura kryesore e Familjes së Shenjtë - nënvizoi Françesku - "na fton të lartojmë sytë drejt misterit të Mishërimit dhe prej aty, të shkoklojmë rruazat e rruzares, që zbret përgjatë dritareve, duke inkuadruar yllin e Betlehemi, si të donte të thoshte: “Këtu është drita jonë”. E pikërisht "në adhurim, në lutjen kundruese të mistereve, na hapet shpirti për atë dritë, si dritarja e madhe e tempullit".

Nga mahnitja, në lutje

Françesku kujtoi se sivjet, siç e ka përsëritur në disa raste, lutja duhet të jetë çast që na përgatit për Jubileun e vitit 2025. Është e rëndësishme - pohoi Papa - që “klima e lutjes të mos humbasë në tempuj". E më pas i ftoi anëtarët e Junta Constructora-s të Bazilikës së Sagrada Familia t’i mirëpresin "shtegtarët që dynden këtu për të soditur, duke u lutur, projektin ikonografik të shërbëtorit të Zotit Antoni Gaudí në tërësinë e tij". Kështu që "si majat dhe kambanoret, shikimet e tyre të lartohen drejt qiellit e zërat të bashkohen me ato të korit të engjëjve.

Sagrada Familia, mbi 140 vjet histori

Ndërtimi i Bazilikës së Sagrada Familia, i nisur në vitin 1882, i përgjigjet asaj që tregohet në pergamenën e ruajtur në gurin e themelit: "Zgjojini nga dremitja zemrat e përgjumura. Lartojeni fenë. Ngroheni bamirësinë". Parë nga ky këndvështrim, 7 nëntori 2010 është datë e rëndësishme në historinë e Sagrada Familia: është çasti kur u shugurua dhe u lartua në rangun e Bazilikës së vogël. Gjatë Meshës së Shenjtë, Papa Benedikti XVI pati nënvizuar se kjo ditë "ishte pikë domethënëse në një histori të gjatë aspiratash, pune dhe bujarie, e cila zgjati më shumë se një shekull". Një histori e gjatë, e zbukuruar kohët e fundit me stoli të tjera. Në vitin 2018 në Fasadën e Mundimeve të Krishtit u vendos Kryqi, ndërsa në vitin 2021 u vendos ylli i Kullës së Virgjërës Hapat e tjerë të kësaj pune janë pothuajse në përfundim.

Vepër e pashoqe

Vepër e pashoqe e modernizmit katalan, stili krej i veçantë dhe realizimi mahnitës arkitektonik e bëjnë këtë Tempull më të vizituarin në Spanjë. Sipas të dhënave të vitit 2011, këtu shkelin dhe sodisin këtë mrekulli arkitektonike, mbi 4,5 milion shtegtarë në vit. Njerëz që vijnë të etur për ta parë, e kthehen të mahnitur, pasi e panë!

17 shkurt 2024, 12:44