2024.02.05 Consiglio dei Cardinali C/9 2024.02.05 Consiglio dei Cardinali C/9

Papa: nuk i kemi dëgjuar sa duhet zërat e grave në Kishë

Botojmë parathënien e Papës Françesku për librin "Çmashkullarizimi i Kishës"? Ballafaqim kritik mbi "parimet" e Hans Urs von Balthasar (Edizioni Paoline) publikuar së fundmi. Vëllimi përmbledh shkrimet e tre teologëve, rregulltares saleziane Linda Pocher, Lucia Vantini dhe Don Luca Castiglioni, të thirrur për të marrë pjesë në Këshillin e Kardinajve, mbledhur për të reflektuar mbi rolin e grave në Kishë

R.SH. / Vatikan

Botojmë parathënien e Papës Françesku për librin "Çmashkullarizimi i Kishës"? Ballafaqim kritik mbi "parimet" e Hans Urs von Balthasar (Edizioni Paoline) publikuar së fundmi. Vëllimi përmbledh shkrimet e tre teologëve,  motrës saleziane Linda Pocher, rregulltares Lucia Vantini dhe Don Luca Castiglioni, të thirrur për të marrë pjesë në Këshillin e Kardinajve, që u mbajt këtyre ditëve për të reflektuar mbi rolin e grave në Kishë.

Papa Françesku

Prania dhe kontributi i gruas në jetën dhe rritjen e bashkësive kishtare nëpërmjet lutjes, reflektimit dhe veprimit, janë realitete që e kanë pasuruar gjithnjë Kishën, madje përbëjnë identitetin e saj. Megjithatë, veçanërisht gjatë përgatitjes dhe kremtimit të Sinodit, kuptuam se nuk e kishim dëgjuar sa duhet zërin e grave në Kishë dhe se Kisha ka ende shumë për të mësuar prej tyre.

Është e nevojshme të dëgjojmë njëri-tjetrin për të "çmashkullarizuar" Kishën, sepse Kisha është bashkësi burrash dhe grash, me të njëjtin besim dhe të njëjtin dinjitet pagëzimi. Duke dëgjuar gratë, ne burrat dëgjojmë dikë që e sheh realitetin nga një këndvështrim tjetër dhe kështu ne nxitemi t’i rishikojmë projektet tona, përparësitë tona. Ndonjëherë  jemi të humbur. Herë tjetër ajo që dëgjojmë është kaq e re, kaq e ndryshme nga mënyra jonë e të menduarit dhe e të parit, saqë na duket absurde, gjë që na frikëson. Por ky çorientim është i shëndetshëm, na bën të rritemi.

Duhet durim, respekt i ndërsjellë, dëgjim dhe çiltërsi për të mësuar me të vërtetë nga njëri-tjetri dhe për të avancuar si Popull i Zotit, i pasur në dallime, por që ecën së bashku.

Pikërisht për këtë doja t'i kërkoja një gruaje, një teologeje, që t'i ofronte Këshillit të Kardinajve një rrugë reflektimi mbi praninë dhe rolin e gruas në Kishë. Pika e nisjes për këtë shtegtim është reflektimi i Hans Urs von Balthasar mbi parimet Mariane dhe Petrine në Kishë, reflektim që frymëzoi magjisterin e papëve të fundit në përpjekjen për ta kuptuar dhe për ta përmirësuar praninë e ndryshme kishtare të burrave dhe grave.

Megjithatë, pika e mbërritjes është në duart e Zotit: t'i lutemi Shpirtit Shenjt të na ndriçojë dhe të na ndihmojë të kuptojmë, të gjejmë një gjuhë dhe mendim të efektshëm për t'iu drejtuar grave dhe burrave të sotëm, në Kishë dhe në botë, që të mund të rritet ndërgjegjësimi për reciprocitetin dhe praktika e bashkëpunimit ndërmjet burrave dhe grave.

Jam i kënaqur që reflektimet e këtij botimi, të cilat ia ofruan Këshillit të Kardinajve Lucia Vantini, Luca Castiglioni dhe Linda Pocher, mund të jenë të  në dispozicion të atyre, që dëshirojnë të marrin pjesë në dialogun sinodal dhe të thellohen më tej në temën e marrëdhënieve kishtare ndërmjet burrave dhe grave, temë që e kam shumë për zemër. Janë reflektime që priren të hapen dhe jo të mbyllen; që na nxisin të mendojmë, na ftojnë të kërkojmë, na ndihmojnë të lutemi.

Këtë dua në këtë pikë të procesit sinodal: që të mos lodhemi duke ecur së bashku, sepse vetëm kur ecim, jemi ata që duhet të jemi, trupi i gjallë i të Ngjallurit në lëvizje, duke dalë, duke takuar vëllezërit e motrat pa frikë, në rrugët e botës. Maria, nëna e fesë, na shoqëroftë në këtë rrugëtim!

Qyteti i Vatikanit, 8 dhjetor 2023

07 shkurt 2024, 19:15