Papa për lëvizjen “Bashkim e Çlirim”: ruajeni karizmën, kapërcejini keqkuptimet
R.SH. – Vatikan
Unitet, bindje, besnikëri ndaj karizmës, korrigjim të “disa keqkuptimeve”, kapërcim të “interpretimeve personale, fatkeqësisht ende të pranishme”, ungjillëzim, bamirësi për burrat e gratë e kohëve të sotme. Këtë u kërkon Papa anëtarëve të Lëvizjes kishtare "Comunione e Liberazione" (“Bashkim e Çlirim”), themeluar në vitin 1954 nga don Luigi Giussani dhe tashmë e pranishme në mbarë botën.
Gjatë viteve të fundit, ajo ka përjetuar disa ndryshime (të brendshme dhe në kryesi), të cilat - siç tha vetë Françesku në audiencën e 15 tetorit 2022 me 60 mijë anëtarë të Lëvizjes - kanë sjellë "probleme serioze, ndarje" dhe "një varfërim të pranisë" së saj. Një fazë, që duket se po kapërcehet gradualisht, siç tregohet nga disa fryte, të cilat Papa i vë në dukje në një letër, botuar sot, më 1 shkurt, me rastin e përkujtimit të vdekjes së don Giussani-t (i cili ndërroi jetë më 2005) dhe të 70-vjetorit të lëvizjes.
Letra u publikua nga kryetari i vëllazërisë, Davide Prosperi, i cili është në krye të “Bashkim e Çlirim” që nga viti 2021, pas dorëheqjes së spanjollit don Julián Carrón (pasardhës i drejtpërdrejtë i don Giussani-it), kur hyri në fuqi dekreti i Vatikanit për rregullimin e jetës së brendshme të “shoqatave ndërkombëtare të besimtarëve”, që vendosi kufirin e dhjetë viteve për mandatet drejtuese.
Kujdesuni për unitetin dhe karizmën
Me rastin e kremtimeve në përvjetorin e vdekjes së don Luigi Giussani-t, Françesku u shkruan anëtarëve të Lëvizjes së themeluar prej meshtarit italian, "të kujdesen për unitetin ndërmjet tyre”, pasi vetëm kështu do t’i ruajnë në kohë frytet e karizmës së tij.
Për këtë, vijon Papa, “duhet shkuar përtej interpretimeve personale, fatkeqësisht ende të pranishme, të cilat ka rrezik të vlerësojnë një vizion të njëanshëm të vetë karizmës”. Ati i Shenjtë i inkurajon anëtarët e Lëvizjes dhe kryesinë e saj ta "vazhdojnë punën e ndërmarrë”: "Rruga edukative e propozuar nga ju… po kontribuon në korrigjimin e disa keqkuptimeve dhe në vazhdimin e mision tuaj”.
Në këtë periudhë kaq vendimtare për historinë e këtij realiteti kishtar, rekomandimet e Papës janë të qarta: "Të vijohet rruga e ndërmarrë, nën drejtimin e Kishës" dhe "të bashkëpunohet me gatishmëri e besnikëri me ata, që janë thirrur për të udhëhequr lëvizjen". “Vetëm kjo bindje – siguron Jorge Mario Bergoglio – që duhet rizbuluar dhe ushqyer vazhdimisht, do të jetë në gjendje të sigurojë një përvojë gjithnjë e më të pasur jete të krishterë ndërmjet jush, si edhe përtëritjen e pranisë suaj në botë, për të mirën e të gjithë Kishës”.