Papa Federatës Itali-Kinë: “Rrezikoni gjithnjë në rrugën e dialogut”

Me rastin e dhjetëvjetorit të lindjes së Federatës Itali-Kinë dhe festimeve të Vitit të Ri kinez, Françesku priti, në Vatikan, anëtarët e kësaj organizate, që dëshiron të nxisë dialogun ndërmjet dy vendeve, duke përballuar “sfidat” e integrimit kulturor, të arsimit, të ndarjes së vlerave shoqërore: "Njohja reciproke nxit mikpritjen dhe frymën e vëllazërisë".

R.SH. / Vatikan

“Njohuria e anasjelltë ndërmjet bashkësisë italiane dhe asaj kineze mund të kontribuojë në rritjen e mirëpritjes reciproke dhe të frymës së vëllazërisë”. Këtë uroi Papa në audiencën me anëtarët e Federatës Kombëtare Itali-Kinë, të cilët i priti në Pallatin Apostolik me rastin e dhjetëvjetorit të themelimit dhe në kuadrin e festimeve të Vitit të Ri kinez. Është fjala për një organizatë jofitimprurëse, e cila synon të nxisë shkëmbimet ekonomike, politike dhe kulturore ndërmjet Italisë dhe Kinës e, njëkohësisht, të thellojë shkëmbimet e ideve, njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit ndërmjet dy vendeve. Federata organizon edhe veprimtari  të ndryshme për festën e Vitit të Ri, shumë të vlerësuara nga Papa: “Urime për gjithçka keni bërë. Ky art është shumë i bukur dhe shumë i mirëmenduar” - theksoi Papa - duke i përshëndetur të pranishmit lirisht, me fjalë shumë të përzemërta.

Vazhdoni rrugën e nisur

 Papa  përshëndeti edhe të gjitha "nismat e shumta" të Federatës, të cilat - kujtoi - "synojnë të nxisin dialogun ndërmjet Italisë dhe Kinës, duke përballuar sfidat që lidhen me integrimin kulturor, arsimin dhe vlerat e përbashkëta shoqërore". Prandaj, i inkurajoi "të vazhdojnë rrugën e nisur " dhe "t’i ndjekin këto synime me përkushtim bujar".

Akrobatë të paqes dhe të vëllazërisë

Më pas Françesku e falënderoi Akademinë e Arteve Marciale Kineze të Vercellit për vallet popullore të frymëzuara nga Luani dhe Dragoi, të cilat "në traditën e popullit fisnik kinez synojnë të shprehin dëshirën që viti i ri  të jetë i frytshëm dhe plot të mira". “Akrobatët, siç e dimë - theksoi Papa - janë të specializuar në ushtrime e shfaqje, që mund t’i quajmë  “shumë të rrezikshme”. Duke e vërejtur këtë valle akrobatike, Françesku u uroi të gjithëve “të rrezikojnë gjithmonë në rrugën e dialogut, duke u bërë akrobatë të paqes dhe vëllazërisë”.

02 shkurt 2024, 12:40