Papa përshëndet fituesit e Çmimit Zayed për vëllazërimin njerëzor
R.SH. – Vatikan
Papa Françesku u dërgon një videomesazh pjesëmarrësve të ceremonisë së dhënies së Çmimit Zayed për Vëllazërimin Njerëzor 2024, që u mbajt në Abu Dabi, kryeqytet i Emirateve të Bashkuara Arabe. Çmimi i sivjetëm shënon 5-vjetorin e Dokumentit mbi Vëllazërimin Njerëzor, për Paqen Botërore dhe Bashkëjetesën, të cilin Ati i Shenjtë e nënshkroi në vitin 2019, së bashku me Imamin e Madh të Al-Azharit, Ahmed Al-Tayyeb.
Në videomesazh, Papa vlerëson katër fituesit, që impenjohen për të promovuar solidaritetin në favor të zhvillimit të njerëzimit. Kujtojmë se Çmimi Zayed 2024 u fitua nga motër Nelly León Correa, murgeshë kiliane që punon me gratë e burgosura; Sir Magdi Yacoub, kardiokirurg egjiptian, si edhe dy organizata të mëdha bamirëse islamike indoneziane, “Nahdlatul Ulama” dhe “Muhammadiyah”.
"I falënderoj", thotë Papa Françesku, "duke besuar se shembulli i tyre do të inkurajojë edhe të tjerë të ndërmarrin nisma, që rrjedhin nga bashkëpunimi i frytshëm ndërmjet njerëzve me fe të ndryshme, të cilët i shërbejnë gjithë familjes sonë njerëzore, respektojnë dinjitetin e secilit dhe promovojnë vlerat e propozuara nga Dokumenti për Vëllazërimin Njerëzor”. Ati i Shenjtë i fton të gjithë të shkëmbejnë “ndjenja vëllazërimi me njëri-tjetrin” dhe të nxisin një “kulturë paqeje, që inkurajon dialogun, dhembshurinë, solidaritetin, zhvillimin e qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirjen”.
Papa e përfundon videomesazhin duke shprehur dëshirën për “mirëkuptim të ndërsjellë gjithnjë e më të madh” ndërmjet njerëzve dhe popujve.