Papa priti kryeministrin e Sao Tomè, Trovoada

Papa priti në audiencë Kryeministrin e São Tomé dhe PrincipePatrice Émery Trovoada. Në bisedimet në Sekretarinë e Shtetit të Vatikanit, fokusi në situatën politike dhe socio-ekonomike të vendit dhe bashkëpunimin në fushën e arsimit dhe shëndetësisë, duke iu referuar gjithashtu edhe çështjeve e problemeve të sigurisë në kontinentin afrikan.

R.SH. / Vatikan

Papa Françesku priti kryeministrin e Sao Tomè dhe Principe, Patrice Émery Trovoada, shoqëruar nga një delegacion, në një audiencë të mbajtur sot paradite, në Pallatin Apostolik në Vatikan. Biseda private mes Atit të Shenjtë dhe Kryeministrit, në sallën e bibliotekës, zgjati 20 minuta. Në fund, pas prezantimit të delegacionit nga arkipelagu i Afrikës Qendrore, u shkëmbyen dhurata.

Papa i ofroi kreut të qeverisë një skulpturë prej bronzi të titulluar "Dialog midis brezave". Pastaj, vëllimet e dokumenteve papnore, Mesazhi për Ditën Botërore të Paqes të këtij vit dhe, librin mbi Statio Orbis të 27 Marsit 2020, redaktuar nga shtëpia botuese e Vatikanit (Lev). Kryeministri Trovoada nga ana tij i dhuroi Papës katër piktura që paraqesin traditën teatrale Tchilioli të São Tomé e Principe dhe një vëllim që e përshkruan këtë traditë.

Vizita e delegacionit nga São Tomé e Principe vijoi më pas bisedimet në Sekretarinë e Shtetit të Vatikanit. Pas audiencës së Papës, Kryeministri Trovoada u takua me kardinalin Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit të Shenjtërisë së Tij, i shoqëruar nga Monsinjor Miroslaw Wachowski, nënsekretar i Vatikanit për marrëdhëniet me shtetet.

“Gjatë diskutimeve të përzemërta – thuhet në njoftim të Zyrës së Shtypit të Vatikanit – u theksuan marrëdhëniet e mira ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Republikës Demokratike të Sao Tomé e Principit, si edhe disa aspekte tjera rreth situatës politike dhe zhvillimit shoqëroro-ekonomik të vendit, veçanërisht rreth bashkëpunimit në fushën e arsimit dhe shëndetësisë”. Gjithnjë gjatë bisedimeve, "pati edhe një shkëmbim mendimesh për çështjet aktuale ndërkombëtare, me një referim të veçantë mbi problemet e sigurisë në vendet e kontinentit afrikan".

01 shkurt 2024, 18:23