Papa me Kryeipeshkvin e Madridit Cobo Cano dhe bashkësinë e seminaristëve të kryeipeshkvisë spanjolle Papa me Kryeipeshkvin e Madridit Cobo Cano dhe bashkësinë e seminaristëve të kryeipeshkvisë spanjolle  (VATICAN MEDIA Divisione Foto)

Papa seminaristëve të Madridit: Zoti të jetë në qendër të jetës, çlirohuni nga kotësitë e kësaj bote

Françesku pret bashkësinë e Seminarit të Kryedioqezës Spanjolle, që shoqëroi Kryeipeshkvin Cobo Cano për të marrë në dorëzim kishën e Santiago y Montserrat, në Romë. Papa iu përgjigj lirisht pyetjeve të meshtarëve të ardhshëm, duke ua dorëzuar fjalimin e përgatitur, në të cilin e quan Eukaristinë qendër të mendimeve dhe veprimtarive dhe u kërkon të çlirohen "nga çka të robëron" me heshtje, agjërim, lutje, asketizëm, pendesë!

R. SH. - Vatikan

Eukaristia si nxitës, mësues, inspektor, model i gjallë, providencë, gur themeli, për të reflektuar mbi kotësinë e "ideve të kësaj bote" dhe dëshirën për t'u dukur, për t'u shquar. E më pas “heshtja, lutja, agjërimi, pendimi, asketizmi” si elementë “të domosdoshëm” për t’u çliruar “nga ajo që na robëron t’i përkasim plotësisht  Zotit”. Seminaristëve nga Madridi, të pritur sot në Vatikan, me rastin e udhëtimit të tyre në Romë për të shoqëruar kardinalin e ri José Cobo Cano (krijuar në Koncistorin e shtatorit 2023) i cili sot merr në zotërim kishën e Santiago y Montserrat, Papa, në fjalimin e dorëzuar, u tregon se ku dhe si mund ta vendosin qendrën e gravitetit të mendimeve, lutjeve dhe aktiviteteve të tyre të përditshme: në Eukaristi, ku është i pranishëm Krishti i shndërruar. Është e nevojshme të hyjmë në dialog me të, në mënyrë që ai të mund të flasë me zemrën tonë - i këshillon Papa - por "nëse kjo është e mbushur me mendësinë e botës, me gjëra në të cilat, sado që të quhen "fetare", Zoti nuk do të gjejë vend, as ne nuk do ta dëgjojmë kur të trokasë në derën tonë".

Dialog i lirë

Me priftërinjtë e ardhshëm të Madridit, Françesku shkëmbeu një dialog të lirë, me pyetje spontane dhe përgjigje po aq spontane. Më pas u dorëzoi tekstin e gatshëm, në të cilin citohen fjalët e Ipeshkvit të shenjtë spanjoll, Manuel González në Un sueño pastoral, mbi ëndrrën - pikërisht - për "një seminar në të cilin Eukaristia ishte, në rendin pedagogjik, stimuli më i suksesshëm; në atë shkencor, mësuesi i parë dhe lënda e parë; në atë disiplinor, inspektori më vigjilent; në atë asketik, modeli më i gjallë; në atë ekonomik, provinca e madhe; e në atë arkitektonik, guri i themelit”.

Zoti në qendër

“T'i rishikojmë këto pika”- ftoi Papa - “që të mund ta vendosim Zotin në qendër”, domethënë që “Ai të jetë themeli, projekti, arkitekti, guri i këndit”. E kjo mund të arrihet vetëm me adhurim - nënvizoi Françesku- e shtoi:

"Jezusi do të jetë mësuesi ynë, i durueshëm, i ashpër, i ëmbël dhe i vendosur sipas asaj që kemi nevojë në aftësinë tonë shquese, sepse ai na njeh më mirë se ne vetëveten dhe na pret, na inkurajon, na mbështet gjatë gjithë rrugëtimit tonë. Është stimuli ynë më i madh, sepse ne i kemi kushtuar jetën tonë ndjekjes së tij”.

“Zoti - shtoi Papa - dëshiron t’i japë popullit të vet barinj sipas zemrës së tij. Nga Jezusi ne nuk mësojmë gjëra, e mirëpresim, kapemi pas tij, që të mund t’ua çojmë edhe të tjerëve”. E mësimi i madh që jep Zoti është "natyra njerëzore". Ai u bë njeri, tokë, humus për ne, nga dashuria". Ky është kuptimi i "materies", siç pati thënë Shën Manueli.

Përballja me Eukaristinë

Dhe përsëri, si Ipeshkvi shenjt, Papa, duke rikujtuar disiplinën, nxit për t’u takuar çdo mëngjes me Eukaristinë, "inspektorin më vigjilent" që na ndihmon të "reflektojmë mbi kotësinë e ideve tona të kësaj bote, të dëshirave tona për t'u lartuar lart e më lart, për t'u dukur, për të dalë në pah”. Prandaj nevojiten aftësi dalluese, shkencë dhe vigjilencë; megjithatë, pavarësisht se janë "aspekte kyçe" në seminar, "ato nuk do të ishin të dobishme pa asketizëm" - kujton Papa - "Të kopjosh një model duhen përpjekje; të bësh një vepër arti, duhet frymëzim, por edhe punë, Jezusi nuk iu shmang të gjitha këtyre. Mos iu shmangni as ju". Prandaj është e nevojshme të hyni në dialog me Të, duke e çliruar zemrën nga ajo që është e tepërt ose rrezikon të vendoset mbi fjalën e Tij.

Heshtje, lutje, agjërim, pendesë

Prandaj Papa flet për “heshtjen, lutjen, agjërimin, pendimin, asketizmin” si për elementë “të domosdoshëm” për të çliruar veten “nga ajo që na robëron dhe për të qenë plotësisht të Zotit”. E “jo vetëm nga brenda, por edhe nga jashtë, në punë, në projekte, duke e lëshuar plotësisht vetveten në duart e Jezusit”. Zoti - na siguron Françesku - "do të jetë provania e madhe, t'ia lëmë Atij të propozojë dhe të realizojë, të vihemi nën urdhërat e Tij me bindje shpirti".

03 shkurt 2024, 12:47