Papa në ditën kundër trafikimit: "t'i dëgjojmë ata që vuajnë, dhe të veprojmë"
R.SH. / Vatikan
Mesazh i Shenjtërisë së Tij, Papës Françesku, për Ditën X Botërore të lutjes dhe të refketimit kundër trafikimit të njerëzve, 8 shkurt 2024.
Të dashur motra dhe vëllezër!
Sot, në ditën e kujtimit liturgjik të Shën Josephine Bakhita-s, kremtohet Dita e dhjetë Botërore e Lutjes dhe Reflektimit kundër trafikimit të qenieve njerëzore. Me gjithë zemër bashkohem me ju, veçanërisht me të rinjtë, të cilët në mbarë botën po punojnë për t’iu kundërvënë kësaj drame globale.
Së bashku ecim në gjurmët e Shën Bakhitës, murgeshës sudaneze, e cila si fëmijë u shit skllave, viktimë e trafikimit. Kujtojmë padrejtësinë që pësoi, vuajtjet e saj, por edhe forcën dhe rrugën e çlirimit e të rilindjes drejt një jete të re. Shën Bakhita na inkurajon të hapim sytë e veshët, të shohim të padukshmen dhe të dëgjojmë ata që nuk kanë zë, të njohim dinjitetin e secilit dhe të veprojmë kundër trafikimit dhe çdo forme shfrytëzimi. Trafikimi është shpesh i padukshëm. Mediat, falë edhe gazetarëve të guximshëm, hedhin dritë mbi skllavërinë e kohës sonë, por kultura e indiferencës na anestetizon. Le të ndihmojmë njëri-tjetrin për të reaguar, për të hapur jetët tona, zemrat tona për shumë motra dhe vëllezër që trajtohen si skllevër. Nuk është kurrë vonë të vendosësh për ta bërë këtë.
E, faleminderës Zotit, janë të shumtë të rinjtë e përfshirë në angazhimin e kësaj Dite Botërore. Entuziazmi i tyre na tregon rrugën, na thotë se kundër trafikimit duhet të dëgjojmë, të ëndërrojmë dhe të veprojmë. Është themelore të kesh aftësinë për t’i dëgjuar ata që vuajnë. Mendoj për viktimat e konflikteve, të luftërave, për ata që janë prekur nga efektet e ndryshimeve klimatike, për turmat e migrantëve të detyruar të lënë tokat e tyre, për ata që i nënshtrohen shfrytëzimit seksual ose të punës, veçanërisht për gratë dhe vajzat. Ta dëgjojmë britmën e tyre për ndihmë, t’i dëgjojmë historitë e tyre; e së bashku me viktimat dhe të rinjtë të ëndërrojmë rishtas për një botë, ku njerëzit mund të jetojnë me liri dhe dinjitet.
E pastaj, motra dhe vëllezër, me forcën e Shpirtit të Jezu Krishtit duhet ta shndërrojmë këtë ëndërr në realitet, nëpërmjet veprimeve konkrete për të luftuar trafikimin. Të angazhohemi për lutje dhe të veprojmë për këtë kauzë dinjiteti: të lutemi e të veprojmë si personalisht, ashtu edhe në familje, në bashkësitë famullitare e fetare, në shoqatat dhe lëvizjet kishtare, si dhe në fusha të ndryshme shoqërore e në politikë.
E dimë se është e mundur të luftohet trafikimi, por duhet të arrijmë tek rrënjët e fenomenit, duke i çrrënjosur shkaqet e tij. Prandaj ju inkurajoj t'i përgjigjeni kësaj thirrjeje për transformim, në kujtim të Shën Josephine Bakhita-s, simbol i atyre që, për fat të keq, u kthyen në skllevër, por që mund ta rifitojnë ende lirinë. Është thirrje për të mos ndenjur duarkryq, por për t’i mobilizuar të gjitha burimet tona në luftën kundër trafikimit dhe për t'u kthyer dinjitetin e plotë atyre, që ishin viktima të tij. Nëse mbyllim sytë dhe veshët, nëse qëndrojmë duarkryq, do të jemi bashkëfajtorë.
Ju falënderoj dhe ju bekoj përzemërsisht ju, që punoni për këtë Ditë. E i bekoj edhe të gjithë ata, që duan të angazhohen kundër trafikimit dhe çdo forme shfrytëzimi, për të ndërtuar një botë vëllazërie dhe paqeje.
Romë, San Giovanni in Laterano, 8 shkurt 2024,
kujtimi i Shën Josephina Bakhita-s.